Tirana Photo Festival, vjen në fillim të Nëntorit - Business Magazine Albania

Tirana Photo Festival, vjen në fillim të Nëntorit


Së shpejti në Tiranë zhvillohet një event fotografik, i pari i këtij lloji që do të zgjasë 7 ditë. Tirana Photo Festival do të zhvillohet me 1-7 Nëntor në Muzeun Historik Kombëtar. Aktiviteti zhvillohet nga Visit-Tirana pas një tradite tashmë në konkurset e fotografisë për Tiranën në çdo stinë.  Çfarë parashikon ky event, kujt i dedikohet dhe si do të përfshihen të rinjtë e profesionistës në këtë festival? Ne kemi zhvilluar një intervistë me Eva Kushovën, drejtore e DMO Albania (Destination Management Organisation).

Si lindi kjo iniciative?

Tirana Photo Festival është një event që synon të sjellë një promovim të shtuar për kryeqytetin tonë dhe ky është viti i parë që organizohet, por shpresojmë të bëhet i përvitshëm. Në fakt, përmes Visit Tirana (portali turistik i qytetit) ne kemi filluar me hapa të vegjël, duke zhvilluar konkurse fotografie sezonale, dhe i pari ka qenë #TiranaAutumn2016. Duke parë interesin në rritje të njerëzve të apasionuar pas fotografive, ne vendosëm që këto konkurse në mediat sociale t’i bënim periodike, çdo stinë, me një hashtag të caktuar si #TiranaSpring, #TiranaSummer #TiranaAutumn dhe #TiranaWinter. Gjithsej janë zhvilluar 7 konkurse dhe janë postuar mbi 7000 foto. Për fituesit kemi dhënë çmime simbolike mundësuar nga sponsorë të ndryshëm. Por duke parë vlerë në kaq shumë foto që e prezantojnë Tiranën më të bukur nga çfarë e shohim përditë, vendosëm të organizonim një festival më masiv, për t’ua bërë të njohur këtë pasion dhe këto bukuri gjithë publikut dhe medias. Në fakt nuk është shpikje e jona, pasi çdo kryeqytet i botës organizon festivale vjetore fotografike të ngjashme.

Çfarë parashikon Tirana Photo Festival?

Tirana Photo Festival synon të promovojë Tiranën përmes artit të fotografisë, por dhe të mbledhë së bashku gjithë fotografët, të flasin për fotografinë, të ndihen të motivuar për këtë profesion, si dhe të edukojmë të rinjtë me artin e fotografisë. Ky event do përfshijë jo vetëm komunitetin e fotografëve, por edhe të apasionuarit pas fotografisë edhe nxënësit e shkollave. Ju e shihni forcën e fotografisë në promovimin e destinacioneve kudo në botë. Edhe ne deri dje nuk i dinim bukuritë e Thethit, Valbonës dhe falë fotove të bëra nga turistët e parë dhe nga fotografët aventurierë, arritëm të njohim dhe vendin tonë. Po kështu turistët e huaj janë të tërhequr pas fotove të mrekullueshme nga Shqipëria dhe planifikojnë udhëtime thjesht për t’i parë nga afër këto bukuri. Fotoja pra, është promovimi më i mirë që ne mund t’i bëjmë vendit tonë.

Çfarë pritet konkretisht këtë herë?

Këtë herë do të kemi një ekspozitë me 100 foto të përzgjedhura nga një juri e Festivalit, ku në përbërje janë fotografë të njohur. Këto 100 foto janë zgjedhur në tre kategori: qyteti, njerëzit, dhe natyra. Për secilën kategori, natën e parë të Eventit, më 1 Nëntor juria do të shpallë nga një fitues, pra 3 fitues gjithsej, që do të marrin një shpërblim monetar modest, të cilat ne i kemi shpallur tashmë në faqen e festivalit www.tiranaphotofestival.com. Këto foto do të jenë dhe në një Album Tirana2018, që promovohet gjithashtu ditën e hapjes. Ekspozita qëndron e hapur 1 javë te Muzeu Kombëtar, ndërkohë gjatë kësaj kohe do të ketë workshop 3 ditor me të rinjtë, që janë regjistruar tashmë dhe do marrin leksione mbi bazat e fotografisë nga lektorët tanë. Ndërkohë, parashikohet edhe një forum me fotografët profesionistë ku ata të diskutojnë mbi trendet e fotografisë. Kemi parashikuar dhe vizita në ekspozitë nga shkollat, pasi dhe nxënësit krysisht 13-15 vjeçare që sapo kanë filluar të përdorin celularët, t’i përdorin për të bërë foto të bukura dhe për të marrë pjesë në këto konkurse, pasi kështu mund të nxiten të merren me art dhe të promovojnë njëkohësisht qytetin e tyre.

Cilat janë objektivat tuaja në këtë drejtim?

Synimi ynë është që të gjithë ata që e kanë pasion fotografinë të gjejnë veten në këtë event dhe të jenë pjesëmarrës. Ky është një festival që i shërben komunitetit dhe jo neve organizatorëve. Synimi është që ky event të jetë i përvitshëm, dhe të jetë promotor i bukurive të vendit tonë. Që tani kemi filluar të mendojmë për vitin që vjen, që të jetë një event sa më gjithpërfshirës dhe të tërheqë fotografë të huaj, dhe sa më shumë turistë.  Duke qenë se jemi një organizatë e fokusuar në turizëm dhe në menaxhimin e destinacioneve, mendojmë se mënyra më e mirë për të sjellë turistë këtu dhe për t’i bërë ata të qëndrojnë gjatë, janë eventet e ndryshme të lidhura me artin dhe kulturën në secilin destinacion. Synimi ynë është që t’i shtrijmë projektet tona të ngjashme në destinacionet kryesore të vendit, kryesisht ato UNESCO.

Festival

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0