Tirana Economic Forum: Investimet, eksportet dhe energjia e gjelbër në qendër të zhvillimit ekonomik - Business Magazine Albania

Tirana Economic Forum: Investimet, eksportet dhe energjia e gjelbër në qendër të zhvillimit ekonomik

Tirana Economic Forum: Investimet, eksportet dhe energjia e gjelbër në qendër të zhvillimit ekonomik

Gjatë forumit “Albania’s Steady Rise as a Regional Economic Centre”, përfaqësues të institucioneve ekonomike, biznesit, investitorëve dhe akademisë diskutuan mbi transformimin që po përjeton ekonomia shqiptare dhe drejtimet strategjike të zhvillimit deri në vitin 2030.

Diskutimet u fokusuan te kalimi nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në konsum dhe shërbime, drejt një modeli të ri që synon rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe krijimit të vlerës së shtuar brenda vendit. Sipas ekspertëve të pranishëm, reformat e viteve të fundit në modernizimin e sektorit privat, digjitalizimin e shërbimeve dhe rritjen e efikasitetit ekonomik po japin rezultate të dukshme në rritjen e qëndrueshme, uljen e papunësisë dhe ruajtjen e stabilitetit makroekonomik.

Eksportet dhe industrializimi, në qendër të modelit të ri ekonomik

Një nga temat kyçe të forumit ishte nevoja për të rritur eksporte me vlerë të shtuar dhe për t’u larguar nga roli tradicional i prodhimit gjysmë të përpunuar. Strategjia e re e eksporteve, e cila po finalizohet, synon të pozicionojë Shqipërinë më fuqishëm në zinxhirët e furnizimit europian përmes rritjes së kapaciteteve prodhuese, teknologjisë dhe standardeve të reja të konkurrueshmërisë. Pjesëmarrësit theksuan se investimet e huaja direkte duhet të orientohen drejt sektorëve që sjellin teknologji inovative, dije, standarde të larta prodhimi dhe produkte finale për tregjet ndërkombëtare, duke qenë jo thjesht hallka të montimit, por kontribuues realë në industrializimin e vendit.

Integrimi europian si motor modernizimi ekonomik

Procesi i integrimit europian u vlerësua si një mekanizëm thelbësor për modernizimin e ekonomisë shqiptare. Kapitujt e parë që pritet të mbyllen në negociata lidhen ngushtë me rregullat e tregut të përbashkët, forcimin e qeverisjes ekonomike dhe rritjen e standardeve të prodhimit — elementë që kërkojnë bashkëpunim të ngushtë mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit.

Lexo edheForbes “Next Billion-Dollar Startups 2025”, AI dominon listën e startup-eve!

Tranzicioni i gjelbër: sfidë globale, mundësi lokale

Një tjetër temë qendrore ishte tranzicioni i gjelbër, i cili u cilësua si një mundësi e rëndësishme ekonomike për Shqipërinë. Me prodhim të energjisë nga burime të rinovueshme dhe potencial të lartë për t’u bërë eksportues neto deri në vitin 2030, vendi është në pozitë të favorshme për të tërhequr investime në teknologji të gjelbra, efikasitet energjetik dhe projekte që reduktojnë emetimet. Ekspertët inkurajuan bizneset të investojnë në inovacion, automatikë, sisteme inteligjente dhe teknologji të orientuara drejt qëndrueshmërisë, duke e parë tranzicionin e gjelbër si një motor të ri konkurrueshmërie.

Kapitali njerëzor, thelbësor për fazën e transformimit

Në forum u theksua se aftësitë që kërkon tregu po ndryshojnë me shpejtësi për shkak të zhvillimeve digjitale dhe tranzicionit të gjelbër. Prandaj, bashkëpunimi mes biznesit dhe sistemit arsimor u vlerësua i domosdoshëm për të përgatitur një fuqi punëtore të aftë për sfidat e ekonomisë moderne.

Shqipëria si qendër rajonale e zhvillimit

Pjesëmarrja e kompanive vendase dhe ndërkombëtare në forum u interpretua si një shenjë e qartë e besimit në rritje ndaj Shqipërisë si një platformë rajonale zhvillimi. Sipas panelistëve, vendi po shihet gjithnjë e më shumë si një hapësirë me potencial për ngritjen e kapaciteteve prodhuese, zhvillimin e zinxhirëve të rinj të furnizimit dhe krijimin e projekteve me ndikim afatgjatë.

Forumi u mbyll me mesazhin se transformimi ekonomik kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve, biznesit dhe investitorëve, ndërsa vizioni ekonomik drejt vitit 2030 po ndërtohet mbi inovacion, industrializim dhe orientim të qartë drejt standardeve europiane.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0