Të jesh gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar duket si një virtyt profesional, por ekspertët paralajmërojnë se “sindroma e ‘po’-së së përhershme” mund të çojë në djegie emocionale, mbingarkesë dhe humbje të respektit në vendin e punës. Ja pse të mësosh të thuash “jo” është një strategji lidershipi.
Në fillim, të ndihmosh të gjithë në punë të bën të dukesh si njeriu i duhur, ai që menaxheri e vlerëson, kolegët e besojnë dhe ekipi e sheh si shpëtimtar. Por, sipas profesor Benjamin Laker, që shkruan për Forbes, kjo sjellje mund të kthehet shumë shpejt në kurth karriere.
Në artikullin e tij “The Career Risk Of Always Saying ‘Yes, I’ll Help’”, Laker shpjegon se të thuash “po” për çdo gjë mund të çojë në lodhje mendore, punë të pabarabartë dhe mungesë vlerësimi profesional. Me fjalë të tjera, njeriu që gjithmonë ndihmon, shpesh ngelet ndihmës, jo udhëheqës.
“Saying yes is not always a sign of commitment. Sometimes it is a sign of fear,” –shkruan ai.
Frika për të mos zhgënjyer të tjerët, për të mos humbur mundësi, apo për t’u dukur më pak i përkushtuar, është ajo që e mban shumëkënd të lidhur pas “po”-së.
Por me kalimin e kohës, kjo sjellje krijon pabarazi të padukshme në punë, punët e rënda përfundojnë gjithmonë tek ata më të përgjegjshëm. Dhe ajo që fillon si bujari, shndërrohet në pritshmëri. Rezultati? Stres, humbje kreativiteti dhe asnjë avancim në karrierë.
Në vend të kësaj, Laker sugjeron një strategji tjetër:
- Mëso të thuash “jo” në mënyrë inteligjente.
- Vendos kufij të qartë, por me komunikim të respektueshëm.
- Jep alternativë kur nuk mund të ndihmosh.
- Dhe shpjego prioritetet për të shmangur keqkuptimet.
Një “jo” strategjike nuk është mungesë bashkëpunimi, është shenja e një lideri që di të menaxhojë veten dhe të tjerët. Ai krijon respekt, autoritet dhe i tregon të gjithëve se koha jote ka vlerë.
Siç shkruan Laker, diferenca mes një ndihmësi të mirë dhe një lideri të suksesshëm është aftësia për të zgjedhur kur të thuash “po”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.