Themeluesi i Google, Larry Page, ka mbrojtur prej vitesh idenë se kompanitë duhet të synojnë përparime radikale, jo thjesht përmirësime të vogla. Kjo qasje njihet si filozofia “10x”, ndërtimi i produkteve që janë dhjetë herë më të mira se ato ekzistuese.
Gjatë një interviste në TED në vitin 2013, Page u pyet për parimin që e udhëheq në punë dhe në jetë. “Nuk duhet të hysh në një fushë të vogël progresi, ku përmirësimet janë minimale dhe lehtësisht të matshme,” u shpreh ai.
Ai e përshkroi këtë si një koncept ekonomik të quajtur “additionality” (shtesë reale vlere): “Kjo do të thotë të bësh diçka që nuk do të ndodhte fare, nëse ti nuk do të ishe duke e bërë.”
Sipas Page, sa më shumë të angazhohesh në iniciativa të tilla, aq më i madh bëhet ndikimi yt. “Kjo ka të bëjë me të bërit gjëra që njerëzit as nuk i mendojnë si të mundshme,” shtoi ai.
Larry Page beson se ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga rregullime të vogla apo optimizime teknike, por nga ripërfytyrimi i problemeve që nga themeli dhe shfrytëzimi i potencialit që ofron teknologjia. “Sa më shumë mëson për teknologjinë, aq më shumë kupton se çfarë është e mundur,” tha ai. “Unë përpiqem të fokusohem te e ardhmja, si do të duket ajo dhe si mund ta krijojmë.” Duke folur më konkretisht për konceptin e “additionality”, Page theksoi rëndësinë e punës në fusha që të tjerët i anashkalojnë: “Të punosh mbi ide që njerëzit as nuk i marrin në konsideratë, ose mbi projekte ku askush tjetër nuk po investon, aty qëndron vlera e vërtetë.”
Lexo edhe:Çfarë është Sovraniteti Digjital dhe pse Europa po shtyhet drejt tij?
Si ndikoi kjo filozofi në strategjinë e produkteve të Google
Qasja “10x” e Larry Page ka ndikuar drejtpërdrejt në disa nga produktet më të njohura të Google. Ai ka përmendur shpesh shembuj si:
- Gmail, që u lançua me shumë herë më tepër hapësirë ruajtjeje sesa shërbimet konkurrente të kohës
- Google Translate, që u zgjerua masivisht duke mbështetur dhjetëra gjuhë
- Projekti ambicioz për digjitalizimin e librave në shkallë globale
Kjo filozofi çoi gjithashtu në krijimin e Google X, divizioni kërkimor i fokusuar në projekte afatgjata dhe të guximshme, si makinat vetëdrejtuese dhe sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale. Sipas Page, këto iniciativa u ndërtuan pikërisht për të testuar ide që përndryshe nuk do të realizoheshin kurrë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto
Shkenca e mireqenies