Tesla propozon t’i japë Elon Musk 29 miliardë dollarë që të mbetet CEO - Business Magazine Albania

Tesla propozon t’i japë Elon Musk 29 miliardë dollarë që të mbetet CEO

Tesla ka miratuar një paketë të kufizuar aksionesh prej 96 milionë kuotash, me vlerë rreth 29 miliardë dollarë, si një mënyrë për të “motivuar” miliarderin kontravers që të vijojë drejtimin e kompanisë në një kohë kur ajo po përballet me një betejë të gjatë ligjore mbi shpërblimin e tij të mëparshëm.

Një vit më parë, një gjykatë në Delaware e anuloi paketën e pagesës së Musk, e cila kishte një vlerë që tejkalonte 50 miliardë dollarë, duke argumentuar se marrëveshja ishte e gabuar dhe e padrejtë për aksionerët dhe se Musk kishte ushtruar ndikim të tepruar mbi përmbajtjen e saj. Aksionerët kishin votuar dy herë për të miratuar këtë shpërblim të majmë, por gjykatësja i qendroi vendimit të saj për ta bllokuar atë. Tesla e ka apeluar vendimin në Gjykatën Supreme të Delaware.

Tani, kompania po kërkon nga aksionerët që të miratojnë këtë paketë të re shpërblimi, duke argumentuar se Tesla ndodhet në prag të një epoke të re si lidere në fushën e inteligjencës artificiale dhe robotikës, dhe për këtë arsye ka nevojë për dorën drejtuese të qëndrueshme të Musk. E megjithatë, pozicioni i Teslës është më i brishtë se kurrë më parë.

Qëndrimi publik i Musk në mbështetje të Presidentit Donald Trump, si dhe përfshirja e tij në Departamentin për Efiçencën Qeveritare, ku ka kontribuar në largimin nga puna të dhjetëra mijëra punonjës federalë dhe në anulimin e programeve humanitare ka nxitur një valë protestash në të gjithë vendin dhe ka çuar në një rënie të ndjeshme të shitjeve. Aksionet e Teslës kanë humbur mbi 20% të vlerës që nga fillimi i këtij viti.

Megjithatë, bordi drejtues i Teslës e sheh praninë e Musk si thelbësore për të ardhmen e kompanisë. Më herët këtë vit, bordi ngriti një komision të posaçëm, të përbërë nga kryetarja Robyn Denholm dhe anëtarja e bordit Kathleen Wilson-Thompson, për të shqyrtuar mënyra të reja për të shpërblyer Musk  i cili, sipas bordit, “nuk ka marrë një kompensim të rëndësishëm prej tetë vitesh.”

“Ndërkohë që jemi të vetëdijshëm se aktivitetet, interesat dhe kërkesat e tjera mbi kohën dhe vëmendjen e Elon janë të gjera dhe të larmishme… jemi të bindur se kjo paketë do ta motivojë atë të qëndrojë në Tesla dhe të përqendrojë aftësitë e tij unike drejtuese në krijimin e mëtejshëm të vlerës për aksionerët e Teslës dhe në tërheqjen dhe mbajtjen e talenteve në kompani,” shkruan Denholm dhe Wilson-Thompson në një letër drejtuar aksionerëve.

Lexo edhe: Rreth 26 kompani teknologjike nënshkruajnë Kodin e BE-së për Inteligjencën Artificiale

Bordi thekson gjithashtu se nëse gjykatat e Delaware vendosin të rikthejnë plotësisht paketën e shpërblimit të Musk të vitit 2018, atëherë granti i ri i përkohshëm do të anulohet ose do të zbritet për të shmangur “përfitimin e dyfishtë.” Nëse e pranon këtë pako të re aksionesh, Musk do të angazhohej të mbetet në krye të Teslës deri në vitin 2027. Aksionerët do të votojnë për marrëveshjen e re në takimin vjetor të planifikuar për më 6 nëntor.

Pas disa vitesh rritjeje të jashtëzakonshme, kthesa e papritur në fatin e Teslës i ka lënë shumë investitorë dhe mbështetës me ndjesinë e një goditjeje të papritur. Ndërsa Musk është zhytur gjithnjë e më shumë në politikë, investitorët e kanë nxitur që të përqendrohet në vetë Teslën dhe projektet e saj të kushtueshme dhe për disa, të diskutueshme, për të ndërtuar më shumë automjete me drejtim të automatizuar dhe robotë humanoidë.

Muajin e kaluar, kompania lançoi shërbimin e saj të parë të robotaksive në Austin, Teksas , ndonëse shërbimi mbeti larg parashikimeve optimiste të mëparshme të Musk. Produkti i vetëm i ri i kompanisë që nga viti 2020, Cybertruck-u, është konsideruar gjerësisht si një dështim. Ndërkohë, konkurrenca në rritje nga prodhuesit tradicionalë të makinave, veçanërisht ata në Kinë, po i thith burimet e Teslës.

Musk është aktualisht aksionari më i madh i Teslës, me një zotërim prej 13% të aksioneve. Por vetë CEO-ja ka deklaruar se dëshiron më shumë kontroll mbi kompaninë për të pasur ndikim më të madh në misionin e saj – objektiv që, sipas tij, kjo paketë synon të realizojë.

“Kjo është një shqetësim i madh për mua, siç e kam përmendur më parë, dhe shpresoj që të trajtohet në takimin e ardhshëm të aksionerëve,” tha Musk në një thirrje të fundit për të ardhurat, si përgjigje ndaj një pyetjeje mbi aksionet me të drejtë vote që ai zotëron. “Nuk dua të ndodhem në pozitën që kam kaq pak kontroll, sa të mund të largohem lehtësisht nga disa aksionerë aktivistë – pasi kam ndërtuar gjithë këtë ushtri robotësh humanoidë… E kam thënë më parë: mendoj se kontrolli im mbi Teslën duhet të jetë i tillë që të garantojë që kompania të shkojë në drejtimin e duhur – por jo aq sa të mos mund të më largojnë nëse më ikën mendja.”

Theverge.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0