Pavarësisht polemikave të fundit rreth Instagram dhe përballjes në Kongres mes ligjvënësve amerikanë dhe CEO-s Adam Mosseri, aplikacioni arriti një moment historik duke shënjuar 2 miliardë përdorues aktivë mujorë.
Tema e seancës dëgjimore të Mosserit para një nënkomisioni të Senatit për Tregtinë ishte siguria e fëmijëve në internet, një çështje e cila ka dëmtuar jo pak imazhin e Instagram në muajt e fundit.
Por, pavarësisht publicitetit negativ, duket se kjo nuk e ka ndaluar aplikacionin të arrijë shifra rekord sa i përket numrit të përdoruesve.
Instagram nuk i ka bërë publikë numrat e përdoruesve që kur kapërceu shifrën e 1 miliard përdoruesve aktivë mujorë në qershor të 2018-ës dhe ka shmangur reklamimin e rritjes së numrit të përdoruesve në një kohë kur ligjvënësit tashmë e shohin Facebook-un si një pjesë të madhe të kontrollit të tregut.
Punonjësit, të cilët kërkuan të mos u përmendet emri sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin për këtë çështje, i thanë CNBC se mësuan për numrin e 2 miliardë përdoruesve në biseda të brendshme të kompanisë. Një person tha se Instagram arriti shifrën rekord rreth një javë përpara se Facebook të ndryshonte emrin në Meta në Tetor.
Instagram u lançua në vitin 2010 dhe u ble nga Facebook për rreth 1 miliard dollarë dy vjet më vonë, si pjesë qendrore e përpjekjes së CEO-s Mark Zuckerberg për të kaluar nga web në mobile. Aplikacionit iu deshën tetë vite për të arritur 1 miliard përdorues dhe vetëm tre vite për ta dyfishuar këtë numër.
“Kjo është një shifër mjaft domethënëse e rritjes vjetore të përdoruesve,” tha David Heger, analist në Edward Jones.
Heger tha se shpejtësia e zgjerimit në 2 miliardë përdorues është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh konkurrencën e madhe që është shfaqur nga TikTok, e cila është rritur në popullaritet duke e bërë të thjeshtë për njerëzit që të krijojnë dhe ndajnë video të shkurtra, argëtuese.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto