Mbi 2000 sipërmarrës, mbështetës të startup-eve dhe përfaqësues të institucioneve u bënë pjesë e eventit dy ditor TechChill 2020, në Riga të Letonisë gjatë muajit shkurtit. Dinamika, entuziazmi, takimet dhe shpërndarja e informacionit ishin tërësisht me një frymë rinore, njësoj si pranvera, kur lulet sapo kanë çelur.
Pjesë e këtij eventi ishte edhe një grup nga startup-et, inkubatorët dhe mbështetësit nga Shqipëria. Sara Usinger, përfaqësuese e Eu For Innovation në Shqipëri, tha se arsyeja kryesore pse projekti “EU for Innovation” (BE për Inovacionin) u mundësoi një grupi prej 12 personash të vizitonin këtë aktivitet, është se vende të tilla si Letonia, Estonia, ashtu si edhe Shqipëria, kanë karakteristika të njëjta.
Artikulli u publikua më parë në faqen 68 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.
BusinessMag e ndoqi nga afër këtë konferencë. Në një intervistë për BM, Sara thotë se “Janë vende të vogla, me startup-e të vogla dhe me ngjashmëri midis ekosistemeve të inovacionit dhe tregjeve të tyre. Ndaj menduam se mund të ishte interesante të sillnim përfaqësues nga ekosistemi shqiptar për të parë se si është zhvilluar ekosistemi këtu dhe çfarë mund të mësojmë prej tyre. Do të donim të kuptonim çfarë gjërash kanë funksionuar për ta dhe çfarë jo, si dhe çfarë mund të adaptojmë në ekosistemin shqiptar. Mendoj se është më e lehtë të bëhen krahasimet midis dy vendeve të tilla, se sa një krahasim zhvillimi mes Shqipërisë dhe vendeve europiane të përmasave të mëdha si Gjermania, etj, ku tregjet janë shumë të ndryshme”.
Ajo çfarë u pëlqye nga Sara, por edhe pjesëtarë të tjerë të grupit ishte gatishmëria e njerëzve për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre, duke e bërë më të lehtë bashkëpunimin.
Grupi nga Shqipëria përbëhej nga aktorë të ekosistemit, startup-e, përfaqësues të bashkive dhe medias. Një mundësi për të shkëmbyer, për të ndarë përvojat dhe për të kuptuar çfarë mund të zhvillojmë së bashku në të ardhmen.
Gjatë takimeve u zhvilluan tryeza interesante. Sara pati një takim me përfaqësues nga vende të ndryshme, ku u diskutua mbi mënyrat se si mbështetja ndaj startup-eve të jetë me efekt sa më të qëndrueshëm.
“Ajo që konstatojmë është që dobësitë shpesh janë edhe pikat që na bëjnë më të veçantë e të fortë në një treg global. Kjo vlen për Shqipërinë si për çdo vend tjetër të botës. Ndaj nuk duhet të ankohemi për dobësitë, por të shohim se si mund t’i zhvillojmë ato si mundësi”, theksoi ajo.
Grupi shqiptar zhvilloi një takim interesant me përfaqësusen e Magnetik Latvia, një inkubator mbështetës i startup-eve. Letonia rezulton të këtë plane aktive në mbështetjen e startup-eve, si në vënien në dispozicion të hapsirave dhe konsulencë për zhvillimin e ideve të biznesit, edhe për mbështetjen financiare. Madje, plani i Letonisë shkon më tej, në tërheqjen e startup-eve më interesante nga bota, përmes krijimit të lehtësirave për të zhvilluar bizneset e tyre. Ata pajisen lehtësisht me dokumenta për të qëndruar, për të marrë konsulencë me qëllim krijimin dhe rritjen e biznesit.
ELTIANA SHKRELI, përfaqësuese e inkubatorit nga Shkodra, inkubatori më i ri, fokusuar më shumë në turizëm, tha se i pa me interes zhvillimet në Letoni. Ajo zhvilloi shumë takime me përfaqësues të inkubatorëve, akseleratorëve dhe specialistë në fushën e marketingut digjital. Gjatë eventit të konferencës, ajo ndoqi me interes prezantimet e bizneseve, për të kuptuar trendin e startup-eve në rajonin e Ballkanit dhe formën si mund të prezantohen ato. “Personat inspirues, të cilët jepnin orientime në tema të ndryshme, si shitje, marketing, shëndet mendor, si ndikon stresi tek një sipërmarrës, green technology, ishin po ashtu interesante”, thotë Shkreli. Mesazhi më i rëndësishëm që mori?! “To be focused!”. Të jesh i fokusuar dhe të mos të shpërqëndrohesh, të jesh i orientuar në një pikë dhe atë gjë ta bësh me cilësi, atëherë je unik në treg. Kjo ishte ajo çfarë u ngulit në mendjen e shumë të rinjve.
Përgjithësisht interesi i të gjithë pjesmarrësve në konferencë synonte njohjen e trendeve të startup-eve. Inovacioni, një kryefjalë edhe për EU for Inovation u ngulit edhe në mendjet e të rinjve shqiptarë, pjesë e kësaj konference-festë. Për shkak të qasjes dhe kushteve të ngjashme, mundësitë e bashkëpunimit mes të rinjve ishin të mëdha.
Ajo që u pa me më shumë interes ishin teknologjitë e gjelbërta, një zhvillim që duhet të aplikohet në smart city. Por, kjo kërkon gjithashtu zhvillimin e 5G. Si do t’i lehtësojë interneti 5G shërbimet, qasjet, çfarë shërbimesh të reja mund të zhvillohen?! Të gjitha këto janë pyetje, që ngacmuan mendimet e sipërmarrësve të rinj gjatë prezantimeve të zhvilluara.
Pjesë e eventit ishin edhe përfaqësuesit e startup-it shqiptar në fushën e blockchain mine.al. Dorian Kane pa me interes organizimin e komunitet të startup-eve. “Ata nga Lituania, Letonia, Estonia, Finlanda kishin lidhje midis tyre dhe një komunikim shumë të afërt me njëri-tjetrin, e mbështetës të ideve”, thotë Kane. Ndryshe nga shumë startup-e në Shqipëri, objektivi i të rinjve në TechChill ishte mbledhja e fondeve dhe shitja e startup-eve. Sipas Kanes, “ata nuk duan të ndërtojnë një startup që ta menaxhojnë e zhvillojnë për gjithë jetën. Ata e ngrenë dhe e shesin më pas”.
Treg duket se ka për lojërat dhe videolojërat. Industria e lojrave po zhvillohet gjithnjë e më shumë. “Ka gjithmonë kërkesa për industrinë e lojrave, sidomos për pjesën ku ti luan, kohën që kalon dhe pikët që mund t’i shpërndash në një lojë tjetër, që mund të jetë një lojë më e mirë”, thotë Kane, duke theksuar se, kjo është një industri që ka kaluar në blockchain. Pra, e njëjta gjë, që bëhet aktualisht, në blockchain bëhet më e sinkronizuar, më e lehtë dhe kështu mund të kesh më shumë kontroll mbi disa lojra.
Aktualisht në Shqipëri ka pak startup-e, që merren me gaming dhe janë në fazën e ndërtimit të komunitetit të lojërave.
Mjetet e menaxhimit të mediave sociale, me prezantimet e tyre morën po ashtu vëmendje. Me sa duket, të rinjtë përpiqen t’i përshtasin këto instrumenta për t’i prezantuar në formën e një biznesi lokal. Diçka e tillë sipas Kanes, jo domosdoshmërisht funksionon, sepse është provuar më parë në Shqipëri.
Platforma të reja të prezantuara janë shpesh të ngjashme me disa që po zhvillohen edhe në Shqipëri e Kosovë. Ashtu si për menaxhimin e mediave sociale, edhe startup-e të tjera në Europën Lindore po zhvillojnë platforma të përbashkëta profesionistësh, të rinjsh, etj.
Pjesa më madhe e startup-eve që u prezantuan në TechChill ishin të regjistruara në Riga.
Po çfarë mësuan sipërmarrësit e mine.al nga ky event?! Doriani diskutoi me Reson, një startup që e ka bazuar aktivitetin në platformat e menaxhimit. “Interesante është ngritja e një exchange nga Reson me një partner në Angli. Ata verifikojnë të dhënat. Ne mësuam sesi të ndërtojmë një exchange, të përdorim disa tricks që mund të na ndihmojnë”, tha Doriani.
Esmeralda Kazia. Pedagoge e teknologjisë së Informacionit në universitetin Marin Barleti, tregon se, “konferenca dyditore, me fjalimet dhe bisedimet e ndryshme mbi teknologjinë dhe tendencat e fundit, ofroi potencialin për të ndryshuar botën në teknologji”. Diskutimet e fokusuara në teknologjinë dhe proceset në lëvizje me ndikim në jetën tonë të përditshme, ishin interesante. Sipas Kazias, “historitë e tyre të suksesit në Riga na frymëzuan për të arritur kufij të rinj dhe performanca të mrekullueshme, në mënyrë që të mund të shfaqim ide të klasit botëror dhe të kemi histori suksesi”.
Në dinamikën e dy ditëve, ra në sy bashkimi i startup-eve dhe të mësuarit rreth teknologjisë, për nxitjen e një bisede, sesi teknologjia po transformon teknologjinë. Kazia e pa eventin si një burim ndihmës në lidhjet midis startup-eve, investitorëve dhe inovatorëve.
Me interes ishte edhe vetë forma e organizimit të eventit. Konferenca nisi të përdorë aplikacionin “Talk” disa ditë para zhvillimit të vetë eventit, duke mundësuar krijimin e një network-u dhe axhende, sipas interesave të çdo pjesëmarrësi. U mblodhën të njëjtët persona, që kishin të njëjtët hashtag-e dhe interesa. Përmes këtij aplikacioni, i gjithë komuniteti i konferencës ndahej mes studentësh, përfaqësuesish të institucioneve, investitorësh dhe vullnetarësh. Një aplikacion që mund të vihet në punë shumë mirë edhe në konferencat që mund të zhvillojmë në vend. Si fuksionon? Vetë ndërtuesit e aplikacionit bënë një prezantim në një prej paneleve të Techchill. Në funksionin e tij, organizatorët dhe pjesëmarrësit e eventit aplikojnë, japin disa të dhëna për folësit dhe me çfarë merren ata vetë, fushat e interestit dhe kë do të donin të takonin. Përmes një kodi regjistrimi, ti bëhesh pjesë e komunitetit dhe krijon axhendën tënde, duke skeduluar dhe ftuar partnerë të mundshëm në takime.
Pjesë e eventit ishin edhe përfaqësues nga dy prej bashkive që kanë përqafuar fort zhvillimin e sektorit të teknologjisë, Tirana dhe Korça.
Megi Duro, përfaqësuese e Bashkisë Korçë, e cilësoi këtë si një eksperiencë të bukur, që i fali shumë energji. “Më bëri përshtypje mosha e re, e cila merrej me teknologji. Pjesa më e madhe e startup-eve ishin të rinj. Kishte një gjallëri dhe një network te të gjithë njerëzit që ishin aty”. E apasionuar jo vetëm pas teknologjisë, ku është formuar, por edhe kulturës, Megi shfrytëzoi lëvizjet e saj në qytet për të studiuar mënyrën si sipëmarrësit e restoranteve apo bizneseve të tjera të shërbimit po e zhvillonin turizmin tradicional.
Korça synon të zhvillojë një akselerator në fushën e teknologjisë. “Ne mund të aplikojmë krijimin e një akseleratori, në mënyrë që të rinjve të Korçës t’u jepet mundësi për të punuar, fillimisht në fushën e teknologjisë. Si bashki jemi të fokusuar në teknologji, kemi krijuar një program për ta kthyer qytetin e Korçës në një qytet inovativ dhe teknologjik. Kemi hapësira në dispozicion me qëllim trajnimin dhe punësimin e të rinjve”, tha Megi.
Artikulli u publikua më parë në faqen 68 të numrit 23 të revistës Business Magazine Albania. Business Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 23 të saj.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.