Të rinjtë shqiptarë i kthejnë aftësitë online në të ardhura  - Business Magazine Albania

Të rinjtë shqiptarë i kthejnë aftësitë online në të ardhura 


Të rinjtë shqiptarë kanë filluar të shfrytëzojnë mundësitë e jashtëzakonshme që interneti ka për të ofruar. Si rezultat, Silicon Valley e Kalifornisë, simboli dhe qendra botërore e inovacionit teknologjik, është bërë një destinacion për të rinjtë e talentuar shqiptarë – një vend për ata që duan të shfaqen në skenën e madhe. Të tjerë kanë gjetur një treg global nga shtëpia në Shqipëri, duke përdorur internetin për të gjeneruar të ardhura që nuk janë të mundura në tregun vendas.

Me ëndrra të suksesit dhe një dëshirë pasionante për të ofruar zgjidhje për problemet e të tashmes përmes teknologjisë, shqiptarët e rinj kanë filluar të lënë gjurmë në botën gjithnjë e në zgjerim të teknologjisë së internetit.

Inxhinier për WhatsApp
Aleksandër Bello, një shqiptar 24-vjeçar, ka jetuar në Kaliforni prej katër vitesh, mjaftueshëm për të filluar vjeljen e frutave të para të ëndrrës amerikane. Ai u diplomua në bachelor në shkenca kompjuterike dhe biznes nga Instituti Kalifornian i Teknologjisë, “Caltech”. Muaj më vonë, ai u punësua si një inxhinier softueri për aplikacionin më të famshëm në botë për dërgimin e mesazheve, WhatsApp.

Për Aleksandrin, prania në skuadrën kryesore të WhatsApp që ofron mesazhe të enkriptuara në të gjithë botën, nuk ka qenë një hap i vetëm. Është një arritje që ndjek vite mundimesh e punë të palodhur. Rruga nga një gjimnaz teknologjik në Tiranë në një punë të mirënjohur në Silicon Valley u shoqërua nga pasiguri të mëdha – por ai thotë se ardhja nga Shqipëria e pajisi atë me disa aftësi të dobishme gjithashtu.

“Puna që kam tani është vetëm maja e ajsbergut; poshtë ka vështirësi që lidhen me momente vendimtare, si hyrja në universitet dhe marrja e intershipeve të para,” kujton ai. “Ardhja nga Tirana nuk më bëri kurrë të ndihesha se kisha diçka më pak se shokët e klasës në kuptimin e nivelit teknologjik dhe dijeve rreth shkencës,” shton ai. “Përkundrazi, më dha disa avantazhe, ngaqë njerëzit që vijnë nga vende ku rregullat nuk funksionojnë frymëzohen të improvizojnë dhe të bëhen kreativë me gjërat,” tha ai për BIRN.

I ndërgjegjshëm se atdheu i tij është ende në fillim të revolucionit teknologjik, Aleksandri përpiqet të jetë pjesë e iniciativave që rrisin nivelin e penetrimit teknologjik dhe ndërtojnë aftësi të reja te të rinjtë. “Unë dhe shokët e mi kemi krijuar “Tirana Code”, një rrjet i shqiptarëve të talentuar që jetojnë jashtë të cilët kanë të përbashkët pasionin për teknologjinë,” shpjegon ai.

Në dhjetor, bëmë trajnimin e parë të sigurisë kibernetike në Tiranë dhe shpresoj që rrjeti të zgjerohet”.
Aleksandri e sheh veten si shumë më tepër sesa një programues. Atij i pëlqen ta mendojë veten si dikush që zgjidh probleme, duke ëndërruar që një ditë idetë e tij do të ndihmojnë në ndërtimin e një jete më të mirë për shumë njerëz. “Kam pasion për fushat si arsimi, psikologjia dhe biznesi, por në përgjithësi më pëlqen më shumë zgjidhja e problemeve,” thotë ai. “Teknologjia ka një potencial të madh të pashfrytëzuar, veçanërisht në botën në zhvillim. Puna jonë është ta zbulojmë atë,” përfundon ai.

Fitimi i parave në Shqipëri
Në Shqipëri, Kelvin Çobanaj, 17 vjeç, filloi të programojë lojëra me miqtë e tij kur ishte vetëm 10 vjeç. Gjatë kësaj kohe, ai ka koduar dhe është përpjekur të ndërtojë sipërmarrje të reja.

Kur ishte vetëm 14-vjeç, ai fitoi një bursë nga qendra John Hopkins për të rinjtë e talentuar dhe studioi kriptologji për një muaj në Baltimore, që hapi perspektiva të reja në fushën e shkencave kompjuterike. Tani ai e gjen veten mes programimit dhe sipërmarrjes me një pasion për krijimin e platformave që janë të projektuara t’i bërë pasionet e njerëzve më të lehta dhe më të kënaqshme.
Të qenët një sipërmarrës në moshë të re nuk ka qenë e lehtë gjithsesi.

Prindërit e tij ishin të shqetësuar rreth orëve që ai kalonte përpara kompjuterit dhe madje menduan se kishte diçka që nuk shkonte më të kur ai deklaroi se kishte fituar 1000 euro online. “Kompania ime e parë online, që nuk ishte edhe aq serioze, quhej ‘Powerup Hosting’ dhe ofronte hapësira serveri për lojërat online,” kujton ai. “Megjithëse fitova rreth 2000 euro në një vit, për shkak se isha i ri nuk mund të kisha llogari bankare për të tërhequr paratë, ndaj i investova në projektin online të dikujt tjetër, që dështoi dhe kështu i humba,” kujton ai.

Kelvin po punon ende online dhe po fiton para. Disa muaj më parë ai krijoi kompaninë e tij të parë të vërtetë, Norby Technologies, Inc. Inkorporuar në Delauer, ajo ofron shërbime të shkatërrimit të të dhënave. Përveç kësaj, ai është i përqendruar në zgjerimin e dijeve të programimit dhe po përgatitet të fillojë universitetin në SHBA.

“Ëndrra ime është të studioj shkenca kompjuterike në Universitetin Stanford. Dua të arrij sukses në iniciativat e mia sipërmarrëse ndërsa përpiqem të krijoj platforma të reja që i përgjigjen kërkesave të njerëzve”, thotë ai.

Olgi Zenullari, tani 27 vjeç, filloi të eksplorojë mundësitë e biznesit online kur ishte 15 vjeç. Sfidat ishin të mëdha, kujton ai. “Kishte shumë pengesa atëherë për shqiptarët që donin të bënin biznes online,” thotë ai. “Vendi nuk kishte internet të qëndrueshëm dhe të shpejtë, na mungonin mënyrat për të paguar online dhe disa kompani globale as nuk merrnin në konsideratë blerjen e shërbimeve nga programuesit shqiptarë,” tha ai për BIRN.

Por Olgi beson se gjërat kanë ndryshuar që atëherë dhe se sot të rinjtë shqiptarë kanë më tepër mundësi për të lulëzuar në tregun online. Në vitin 2009, ai lançoi Webmaster.al, që ishte i pari komunitet shqiptar i uebmasterëve dhe tre vite më vonë ai lançoi ShqipAD, një sistem shërbimi reklamash që përdorët nga disa prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare në Shqipëri.

Ai e konsideron veten një reklamues online me eksperiencë tani. Dy vite më pas, me një grup shokësh, ai krijoi Fabric, një kompani e specializuar në krijimin e lojërave dhe aplikacioneve të tjera për smartphone dhe tabletë. “Kompania po shkon mirë dhe ne po punojmë në një treg global online, duke fituar të ardhura dhe duke u zgjeruar,” thotë ai. Ai beson se të rinjtë shqiptarë duhet të dinë se ka një botë të re atje jashtë të cilën ata mund ta përqafojnë dhe ta përdorin për të bërë realitet ëndrrat e tyre.
“Jam reklamuesi online në grup dhe fitoj rreth 50 herë më shumë se kolegët e mi që punojnë në kompanitë tradicionale të reklamave në Shqipëri,” përfundon ai.

Burimi: Shkruar nga Fatjona Mejdini dhe publikuar në reporter.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0