Të jesh grua në Shqipëri...

Të jesh grua në Shqipëri…


Shkruar nga Eva Kushova, gazetare, sipërmarrëse

Çdo vit OKB përcakton një temë për 8 Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e cila në fakt shndërrohet në një fushatë gjithëvjetore, si një temë që udhëheq gjithë takimet, forumet, konferencat të cilat kanë në thelb problemet e gruas në gjithë botën dhe përmirësimin e të drejtave të saj.

Këtë vit tema është #PressForProgress dhe nuk është një togfjalësh pa kuptim. Kjo temë ka të bëjë me barazinë gjinore dhe është një thirrje që gratë të përpiqen të ecin në jetë, të luftojnë për progres, pavarësisht pengesave, diferencave me burrat, t’i japin një dorë njëra tjetrës si një nxitje për të vazhduar betejat e tyre.

Ka vite që flitet për barazi gjinore por e vërteta është se sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror 2017 mbi diferencat gjinore, del se që të shuhen këto diferenca duhen saktësisht 217 vite. Të shokuar nga ky raport organizatat ndërkombëtare të grave vendosën të përdorin këtë platformë të OKB për të nxitur një fushatë në shkallë globale. Sipas këtyre organizatave, mjafton një individ që të mbledhë rreth vetes gra të tjera që të sfidojnë komunitetet ku ato jetojnë dhe të jenë sa më gjithpërfshirëse. Motoja e tyre është: Nuk mund të kënaqemi me pak.

Në Shqipëri tema të tilla duket se nuk kanë kurrëfarë efekti si te shoqëria civile, te qeveria, te mediat dhe te vetë gratë. Nëse vë re hartën, Shqipëria nuk përfshihet në asnjë event global që bëhet për një temë të caktuar. Shqipëria duket si një oaz i shkëputur nga bota, si një vend që rrotullohet vetëm rreth vetes. Këtu historikisht 8 Marsi festohet njësoj.

Nga viti në vit nuk sheh ndonjë fushatë masive që të sjellë ndryshim. Ndonëse jemi një shoqëri ku burrat vrasin gratë, femrat prostituohen, trafikohen, poshtërohen, ofendohen, keqpaguhen, ngacmohen… Ketu ndodhin aq shume krime në raport me gruan, por pas tyre nuk ka asnje nisme, asnjë veprim për ndryshim. Të mos flasim për situatën e grave në zonat rurale.

Sipas Bankës Botërore, në Shqipëri gratë dhe vajzat e zonave rurale përballen me shumë sfida. 80% e tyre nuk zotërojnë pronësi mbi tokën, 7 në 10 prej tyre preken nga dhuna në familje. Gjysma e tyre kërkon punë. Gratë në zonat rurale nuk kanë mundësi të trajnohen dhe zhvillojnë aftësitë e tyre. Shumë prej tyre konsiderohen thjesht si plaçkë ose si pronë e burrave si në mesjetë.

E vetmja gjë që sjell 8 marsi në Shqipëri, është se gratë ndihen pak të përkëdhelura, fitojnë një ditë ‘lirinë  me kusht’, për të bërë një festë me shoqet apo familjarët. Vetëm këtë ditë flitet për gratë, por kryesisht urime ‘hipokrite’ pa asnjë efekt në përmirësimin e të drejtave të tyre.

Nuk do të thotë të ngrihesh në protesta për t’i fituar këto të drejta. Ato mund të kthehen në fushata ndërgjegjësimi, me forume, konferenca, aktivitete masive në cdo qytet, jo vetëm në Tiranë. Ato mund të promovohen përmes fushatave mediatike, përmes emisioneve të dedikuara.  Nuk është e vështirë të ndjekësh atë që bota e zhvilluar po bën për të minimizuar diferencat gjinore.

Dikush mund të thotë që kemi parlament me shumë gra, apo një qeveri me përfaqësim të mire grash. Por a janë këto gra elitare, të barabarta me burrat? A janë ato gratë më të emancipuara të shoqërisë sonë? A mund të shërbejnë ato si model për gratë e tjera që të ringrihen dhe të vazhdojnë betejat e tyre? Kjo pyetje e fundit duket se e ka përgjigjen.

Shumë prej tyre nuk janë aty për meritë të tyre, por për meritë të dikujt që i ka ndihmuar të hyjnë në politikë dhe të bëjnë karrierë. Ky model nuk është ai që mund të ringrejë një grua në vështirësi, që të marrë në dorë fatet e veta në cdo cep të Shqipërisë. Shumica e grave që ne promovojmë në ekrane janë larg modeleve për të cilat gratë e pamundura kanë nevojë.

Në fakt ekrani ynë promovon dy tipe grash: ato të politikës dhe gratë e showbiz. Në mes të këtyre grupimeve janë mijëra e mijëra gra që rropaten përditë për të mbijetuar në xhunglën e vështirë dhe ende pa ligje të forta, pa meritokraci, me një sërë defiçencash të tjera, siç është Shqipëria. Gratë e vërteta që mund të shërbejnë si model për gratë e tjera rreth e qark nuk janë në ekrane. Ato janë diku në mes të një komuniteti të caktuar.

Është ajo gruaja që nis punën në mëngjes e kthehet në darkë dhe e përballon jetën me dinjitet. Është ajo grua që nis e mban mbi kurriz një biznes të tërë, që punëson e ndihmon gra të tjera. Është ajo grua që rrit me sakrifica fëmijët e saj për t’i bërë qytetarë të mirë, është ajo grua që sfidon burrin e dhunshëm dhe ia del që të rinisë jetën e saj nga e para. Janë ato gra që frymëzojnë komunitet për të cilat duhet të flasin ekranet. Dhe ato janë pa fund, por duhet të shkosh e t’i kërkosh atje, në komunitete dhe në zona të ndryshme të vendit.

Janë gra që jeta i ka detyruar ta nisin gjithçka nga zero, të mbijetojnë dhe të krijojnë një model të tyrin, pa patur nevojë për burrat. Ato që kanë mundur të ringrenë veten vetëm në bazë të meritës së tyre, mund të ndihmojnë edhe gratë e tjera të marrin forcë e të përballojnë problemet e tyre. Rolin e promovimit të këtyre grave duhet ta marrin në dorë mediat, duke sjellë cdo ditë në ekran modelin e një gruaje të fortë e të suksesshme si në Shkodër, Pukë, Kukës… e më tej në cdo qytet të Shqipërisë..Keshtu gratë e çdo zone, të çdo profesioni, do gjejnë një model për të ndjekur dhe një motiv për të vazhduar betejat e tyre.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0