Rreth 3.000 euro për një kilogram tartuf dhe në Shqipëri kjo kërpudhë e rrallë rritet gjerësisht. Tartufi shqiptar është shumë i ngjashëm me tartufin francez.
Aq me vlerë është tartufi i bardhë saqë është i kuotuar edhe në bursë, ku çmimet fillojnë nga 300 në 1000 Euro. Tartufi është një lloj kërpudhe që rritet në rrënjët e lisit, blirit, pishës dhe shelgut të egër. Zakonisht ai rritet në tokë ranore dhe nuk ka as rrënjë, as gjethe, as degë. Kjo specie është në formën e zhardhokut dhe e merr ushqimin nga rrënjët e bimëve të tjera. Ai thith prej rrënjëve kripëra minerale, të cilat janë pikërisht ato që e bëjnë kaq të kërkuar dhe të çmuar këtë specie të rrallë. Në natyrë gjenden disa lloje tartufi. I ziu është ai që haset më shpesh dhe që arrin një vlerë deri në 350 euro për kilogram.
Tartufët e bardhë ngjajnë me zhardhokët e patates. Por, me formacion më të çrregullt. Ato çmohen më shumë, për shkak të vlerave ushqyese dhe shijeve që mbartin.
Lexo: Micron ndërton fabrikën më të madhe të prodhimit të çipave në 20 vitet e fundit
E veçanta e këtyre kërpudhave është se aroma e tyre varet nga bima në të cilën rritet. Tartufi më i shtrenjtë rritet në rrënjët e lisit dhe merr aromën e kësaj peme.
Zhardhoku i tartufit e merr formën nga formacioni i terrenit dhe nga rrënjët e bimëve në të cilat paraziton. Sa më i madh të jetë zhardhoku i tartufit aq më shumë vlerësohet e për këtë arsye i rritet edhe çmimi. Kërpudhat e zonës së Reçit në Malësi të Madhe janë gjithashtu tejet të kërkuara dhe eksportohen në Francë. Këto kërpudha rriten në zonën e gështenjave dhe mbulohen nga degë dhe gjethe gështenjash. Tartufi është padyshim një thesar i fshehur në pyjet tona.
Bora Dallashi është menaxhere e “Tartuf Shop Tirana”. Tartufi është një bimë tepër e veçantë, që në aspketin ekonomik është një prurje tepër e mirë. Shqipëria ka fatin që në malet e saj të gjendet tartufi edhe pse me shumë vështirësi.
“Tartuf Shop Tirana” sjell shumëllojshmëri produktesh me bazë tartufi, po ashtu edhe vetë bimën e freskët sipas sezonit.
Cila është fillesa e “Tartuf Shop” në Tiranë?
Gjithçka ka nisur nga dashuria për natyrën dhe për të pasur më shumë zbulime të reja në tokën shqiptare. Zbuluesi i kësaj bime ka qenë shumë i dhënë pas natyrës dhe u përpoq të stërviste qen, të cilët do të ishin të gatshëm ta gjenin atë në tokë. Ka qenë tepër emocionuese gjetja e tartufit të parë. Na është dashur shumë punë për të arritur këtu ku jemi. Gjithashtu, edhe shumë vite pune për ngritjen e biznesit në Shqipëri dhe për edukimin e kulturës së tartufit si një bimë që ia vlen të shijohet.
Cilat janë vlerat e tartufit?
Tartufi është një nga 10 ushqimet më unike dhe më të shtrenja në botë, i cili njihet ndryshe si diamanti i zi i kuzhinës. Është gjetur në vitin 1831 nga një italian. Ka disa varitete që krijohen në bazë të stinës dhe terrenit. Tartufi nuk gjendet në çdo vend, por për fat të mirë, Shqipëria ka shumë tartuf dhe të llojeve të ndryshme.
A ka vlera kurative?
Dua të jem e kujdeshme në këtë pjesë. Një gjë e sigurt është se tartufi ka shumë vitamina dhe minerale dhe shumë benefite në shëndet. Mbi të dhënat e deritanishme, me sa kam lexuar, thuhet edhe që lufton kancerin.
A ka qenë e vështirë për ju të operoni në këtë biznes?
Në fakt, po. Tartufi nuk njihej si bimë dhe që të operonim na duhej kohë të futeshim në treg. Çdo gjë që vjen për herë të parë është e vështirë. Interesante është që në fillim kur flisnim me familjarët për të hapur një dyqan vetëm me produkte tartufi të gjithëve u dukej një çmenduri. Por, njerëzit me ide të mëdha ndjekin instinktin e tyre deri në fund. Kështu u hap dyqani i parë dhe nisi të krijojë një klientelë fikse. Kjo na bën të ndihemi krenarë. Tentativa e parë e përballjes me tregun ka qenë te sheshi “Skënderbej”, ku gjatë festave të fundvitit ofronim panine me tartuf. Ato u pritën shumë mirë dhe kështu u hap dhe restoranti.
A është restoranti juaj një destinacion për turistët?
Po, dhe e pëlqejnë shumë. Ajo që na bën të ndihemi që jemi në rrugën e duhur është se klientët rikthehen. Ndryshe nga vendasit, turistët pyesin për historinë e tartufit dhe ndihen të lumtur që produkti që konsumojnë është shqiptar.
A është e vëshirë gjetja e tartufit?
Procesi për gjetjen e tartufit e deri te servirja në tavolinë është i vështirë. Duhet një punë e gjatë që në thelb ka vetëm pasionin e asgjë më tepër. Duhet durim, sepse mund të rrish me muaj të tërë që të gjesh një kokërr tartufi.
Cila është pjata më e mirë me tartuf?
Unë e adhuroj në çdo lloj gatimi dhe nuk mund të ndaj asnjërën. Do të theksoja mjaltin e akacies me tartuf. Shumë klasike janë vezët me tartufin, sepse çlirohet një aromë shumë e mirë, gati-gati dehëse.
A ka nënprodukte tartufi shqiptar?
Po! Janë makaronat e gatuara vetë, që në përbërje të brumit kanë tartuf. E përmenda edhe majltin me tartuf që merr një shije të rrallë. Nuk mund të lë pa përmendur edhe sojën me tartuf. Mezi pres dhe unë ta provoj, sepse vjen së shpejti.
Mund të më thoni disa arsye pse duhet të konsumojmë tartuf dhe mbi të gjitha në restorantin tuaj?
Produkti është cilësor, sepse tartufi nxirret në Shqipëri dhe përpunohet në Itali. Cilësia është ndër më të mirat, pasi është shqiptar. Nuk duhet të humbni të shijoni Kalanë e Tiranës, që është një ambient unik. Madje, në restorantin tonë mund të gjenden produktet në format të përshtatshëm edhe për aeroport e deri tek ushqimi në restorant. Dhe mund të them me krenari se shërbimi ynë është ndër më të mirët.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.