Tarifat e Trump-it nuk do ta bëjnë Hollywood-in ‘‘GREAT’’ sërish... - Business Magazine Albania

Tarifat e Trump-it nuk do ta bëjnë Hollywood-in ‘‘GREAT’’ sërish,  por ekziston një plan që mundet

Hollywood është sërish në qendër të debatit ndërkombëtar, pasi Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar tarifa 100% për filmat e prodhuar jashtë SHBA-së, një lëvizje që ka shkaktuar valë tronditëse në industrinë globale të kinematografisë.

Trump deklaroi se do të autorizojë Departamentin e Tregtisë për të nisur procedurat e vendosjes së kësaj takse, duke argumentuar se industria amerikane e filmit është duke përjetuar një “vdekje shumë të shpejtë”. Megjithatë, vetëm një ditë më vonë, ai u shfaq më i moderuar, duke thënë se do të takohej me drejtues të industrisë për të siguruar që ata “të jenë të kënaqur” me propozimin.

Prej vitesh, prodhuesit e filmave amerikanë kanë zgjedhur vende si Britania dhe Kanadaja për të ulur kostot, ndërsa tarifa e re shihet nga disa si një kërcënim serioz. Një sindikatë ndërkombëtare e filmave e cilësoi këtë plan si “goditje fatale” për industrinë jashtë SHBA-së.

Lexo gjithashtu: Kur dollarit i lëkundet froni: kush fiton dhe kush humbet nga një monedhë globale?

Në një postim në Truth Social, Trump theksoi: “Dëshirojmë që filmat të prodhohen në Amerikë, sërish!”, duke e lidhur këtë nismë jo vetëm me ekonominë, por edhe me “mesazhin dhe propagandën” që, sipas tij, duhet të jetë amerikane.

Por shumë pyetje mbeten pa përgjigje. Nuk dihet ende nëse tarifa do të përfshijë prodhuesit amerikanë që xhirojnë jashtë vendit apo nëse do të aplikojë edhe për filmat në platformat e transmetimit si Netflix. Ende nuk është e qartë as se si do të përkufizohet një film amerikan, është burimi i financimit, regjisori, skenari, apo vendndodhja e xhirimit që e bën një film “Made in USA”?

Lexo gjithashtu:  Kardinalët gati për të zgjedhur pasuesin e Papa Françeskut!

Timothy Richards, themelues i zinxhirit të kinemave europiane Vue, tha për BBC: “Kostot e xhirimeve në Kaliforni Jugore janë rritur ndjeshëm në dekadat e fundit, ndërkohë që vende si Britania kanë ofruar stimuj fiskalë dhe ekipe produksioni shumë të kualifikuara.”

Sindikatat britanike dhe qeveria në Londër janë vënë në lëvizje për të mbrojtur industrinë që është ende në rikuperim pas pandemisë dhe sfidave të fundit. Philippa Childs, drejtuese e sindikatës mediatike Bectu, paralajmëroi se tarifat mund të kenë pasoja dramatike për dhjetëra mijëra punonjës të pavarur.

Nga ana tjetër, vendet që kanë përfituar nga zhvendosja e industrisë filmike, si Australia dhe Zelanda e Re, janë në pritje të mëtejshme të detajeve, duke theksuar se do të mbrojnë fuqishëm interesat e tyre.

Hollywood mbetet ende një qendër kryesore e prodhimit filmik global, me shpenzime prej mbi 14 miliardë dollarë vitin e kaluar, megjithëse kjo shifër ka rënë me 26% krahasuar me 2022-in. Kritikët e industrisë paralajmërojnë se tarifat mund të shkaktojnë më shumë dëme sesa përfitime, duke nxitur vende të tjera që të vendosin tarifa kundër filmave amerikanë dhe duke e bërë edhe më të vështirë realizimin e fitimeve jashtë SHBA-së.

Qeveria amerikane ka theksuar se ende nuk ka marrë vendime përfundimtare, por është duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe ekonomike, gjithnjë me synimin e madh të Trump: “Ta bëjmë Hollywood-in ‘‘GREAT’’ sërish!”

BBC

 

 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0