Kur dollarit i lëkundet froni: kush fiton dhe kush humbet nga një monedhë globale? - Business Magazine Albania

Kur dollarit i lëkundet froni: kush fiton dhe kush humbet nga një monedhë globale?

Trump, Bitcoin dhe e ardhmja e Dollarit

Nga Andrés Velasco – Donald Trump mendon se Amerika është vetëm për amerikanët. Por dollari amerikan? Ai është për të gjithë. Ish-presidenti i SHBA-ve ka paralajmëruar në mënyrë të qartë: nëse grupimi i vendeve BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrika e Jugut) krijon një monedhë të re, apo mbështet ndonjë valutë tjetër për të zëvendësuar “dollarin e fuqishëm amerikan”, do të përballet me tarifa 100%.

Por, shefi i Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të Trumpit, Stephen Miran, nuk është dakord. Më 7 prill, në një fjalim në Hudson Institute, ai deklaroi se përdorimi global i dollarit ka “shkaktuar shtrembërime të qëndrueshme në kursin valutor dhe bashkë me barrierat e padrejta tregtare të vendeve të tjera, ka kontribuar në defiçite tregtare të papërballueshme”.

Dhe ai nuk është i vetmi ekonomist MAGA (“Make America Great Again”) që mendon kështu. Michael Pettis – megjithëse jashtë administratës, por me ndikim të madh brenda saj – publikoi kohët e fundit një opinion në Financial Times me titullin provokues: “SHBA-ja do të ishte më mirë pa dollarin global.”

Kush përfiton nga një dollar i fortë?
Kërkesa globale për dollarë rrit vlerën e tij. Trump mendon se kjo është pozitive – “vendet e forta duhet të kenë monedha të forta.” Por shumë nga këshilltarët e tij janë të shqetësuar: një dollar i fortë e bën industrinë amerikane të paqëndrueshme në konkurrencë dhe largon punët jashtë vendit.

Kush ka të drejtë?

Kur filipinasit, malajzianët, sauditët, nigerianët apo kolumbianët – për të mos përmendur pjesën tjetër të botës – ruajnë dhe investojnë në dollarë, ata i japin SHBA-së atë që ish-ministri i financave francez Valéry Giscard d’Estaing e quajti me ironi një “privilegj të tepruar”. Nuk është një kosto e tepruar, siç sugjerojnë Miran dhe Pettis.

Çdo qeveri nxjerr valutë për të mbuluar shpenzimet. Por kjo funksionon vetëm nëse qytetarët kanë besim tek letra që përfaqëson paranë. Në vendet ku ky besim është tronditur – si Venezuela, Zimbabve apo Sudani – inflacioni ka shpërthyer.

SHBA është i vetmi vend ku njerëzit në mbarë globin duan vetë të mbajnë dollarë. Rezultati? Amerika mbledh “seigniorage” – fitim nga emetimi i valutës – nga e gjithë bota. Sipas Rezervës Federale, më shumë se 1 trilion dollarë (rreth 45% e totalit në qarkullim) mbahen nga të huajt. Një burim financimi i lirë për SHBA.

Një huadhënie me interes negativ
Imagjinoni një amerikan që paguan me dollarë një hotel në Evropë. Pas një viti, hoteli përdor të njëjtët dollarë për të udhëtuar drejt SHBA-së. Nëse çmimet në SHBA janë rritur gjatë asaj kohe, praktikisht kjo është një hua që SHBA merr nga bota me interes negativ.

Për më tepër, bonot e thesarit amerikan përdoren si kolateral në transaksione financiare në të gjithë globin. Kjo “lehtësi” nxit të huajt të mbajnë bono amerikane edhe kur këto ofrojnë interes më të ulët se bonot e vendeve të tjera me rrezik dhe maturim të ngjashëm. Diferenca quhet “yield i lehtësisë”.

Në fund të vitit 2024, të huajt mbanin afërsisht 8.6 trilion dollarë në borxh federal amerikan. Nëse roli i dollarit si kolateral ul interesin me vetëm 0.5%, SHBA kursen 43 miliardë dollarë në vit. Dhe nëse kjo normë është më e ulët se rritja ekonomike, borxhi nuk ka nevojë të shlyhet ndonjëherë – është një “drekë falas”.

Lexo edhe: Tarifat e reja të Trump nxisin përplasje tregtare: SHBA përballë Kinës dhe botës

A është e drejtë kjo për pjesën tjetër të botës?
Miran e pranoi se “kërkesa për dollarë ka mbajtur normat tona të huamarrjes të ulëta” – por më pas e harroi këtë fakt në pjesën tjetër të fjalimit. Gjithashtu, nuk përmendi as një tjetër avantazh: kur SHBA kalon vështirësi (si pas Luftës së Vietnamit apo deklaratës së fundit të Trump për një luftë tarifash më 2 prill), vlera e dollarit bie dhe kështu bie edhe barra e borxheve të jashtme.

Vendet që huazojnë në valutën e tyre duhet të paguajnë interesa më të larta për të kompensuar këtë rrezik. SHBA jo.

Po pjesa tjetër e botës?
Nuk është se pjesa tjetër e botës humb domosdoshmërisht. Monedha e qëndrueshme amerikane u ofron individëve dhe institucioneve një mënyrë të sigurt për të kursyer dhe investuar. Asnjë ekonomi tjetër nuk e ofron këtë siguri për momentin.

Evropa është një alternativë logjike, por tregjet e saj të kapitalit janë ende të fragmentuara. Kina ka një ekonomi të madhe, por kontrolli i fortë shtetëror dhe kufizimet mbi kapitalin e bëjnë pak tërheqëse për investitorët e huaj.

A po shkatërron Trump vetë privilegjin amerikan?
Dollari është një monedhë globale sepse institucionet dhe politikat amerikane kanë qenë më të besueshme se ato të vendeve të tjera. Por nëse ekonomistët MAGA e shohin këtë si problem, shefi i tyre ka një “zgjidhje”.

Duke shkelur marrëveshjet ndërkombëtare me tarifa të njëanshme, duke sugjeruar pushtime ndaj aleatëve si Kanadaja dhe Danimarka (për të marrë Groenlandën), duke shpërfillur vendimet e gjykatave dhe duke paralajmëruar një mandat të tretë (antikushtetues), Trump po e bën SHBA-në të ngjashme me vendet me monedhë të dobët dhe inflacion të lartë.

Reagimi global ndaj “Ditës së Çlirimit” të Trump ishte i menjëhershëm: dollari humbi gati 7% ndaj euros, ndërsa normat e interesit për bonot 10-vjeçare u rritën me gjysmë pikë përqindjeje. Monedhat e vendeve në zhvillim gjithashtu pësuan rënie për shkak të frikës nga ngadalësimi i ekonomisë botërore.

Të dizajnosh një politikë që i dëmton të gjithë është e vështirë. Por ekonomistët MAGA e kanë arritur.

Dhe nëse dollari global bie si pasojë, do të ketë shumë njerëz që do ta vajtojnë.

*Andrés Velasco është ish-Ministër i Financave i Kilit dhe aktualisht Dekan i Shkollës së Politikave Publike në London School of Economics.

© Project Syndicate, 2025
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0