Taksa kundër turizmit masiv i sjell Venecias 5 mln euro, por jo më pak vizitorë - Business Magazine Albania

Taksa kundër turizmit masiv i sjell Venecias 5 mln euro, por jo më pak vizitorë

Taksa kundër turizmit masiv i sjell Venecias 5 mln euro, por jo më pak vizitorë

Në fund të korrikut përfundoi viti i dytë i provës së taksës për vizitorët ditorë në Venecia. Për 54 ditë gjatë prillit, majit, qershorit dhe korrikut, turistët që kalonin vetëm një ditë në qytet duhej të rezervonin vizitën dhe të paguanin një tarifë, përveç rasteve të përjashtuara.

Qëllimi i masës ishte të kufizonte turizmin “hit and run”, i cili mbipopullon qytetin në muajt më të ngarkuar, duke sjellë pak përfitime për banorët. Por shifrat e këtij viti tregojnë se ndikimi ka qenë i kufizuar. Më 2 maj, dita më e ngarkuar, 24,951 vizitorë paguan tarifën, ekuivalente me më shumë se gjysmën e popullsisë rezidente. Në total, 723,497 vizitorë paguan taksën në 2025, duke gjeneruar 5.42 milionë euro, gati dyfishi i vitit 2024 (2.4 milionë euro), kur tarifa ishte në fuqi për vetëm 29 ditë. Për të dekurajuar rezervimet në momentin e fundit, autoritetet zbatuan tarifë të dyfishtë prej 10 eurosh për ata që prenotonin më pak se katër ditë përpara vizitës. Megjithatë, pothuajse gjysma e vizitorëve paguan pikërisht këtë çmim. Në total, 51% paguan 5 euro dhe 49% 10 euro. Rreth 140 inspektorë kryen mbi 445 mijë kontrolle të kodeve QR, duke gjobitur 2,500 vizitorë që nuk kishin paguar. Sipas Këshillit Bashkiak, sistemi ka treguar “pjekuri” në menaxhimin e flukseve dhe në sigurimin e një kontributi të drejtë mes vizitorëve ditorë dhe atyre që qëndrojnë gjatë natës.

Lexo edhe:Italia miraton ligjin për inteligjencën artificiale që mbulon privatësinë, mbikëqyrjen dhe aksesin ndaj fëmijëve

Por të dhënat zyrtare tregojnë se mesatarja ditore e vizitorëve që paguan tarifën ishte 13,046, vetëm pak më pak se një vit më parë (16,676). Rënia përkon gjithashtu me një ulje të përgjithshme të turistëve në rajon. Të ardhurat, sipas autoriteteve, do të përdoren për të lehtësuar barrën fiskale të banorëve: të paktën 1.5 milionë euro do të përdoren për uljen e taksës së mbeturinave. Por kritikët theksojnë se masat nuk e kanë bërë qytetin më të jetueshëm. Rrugicat dhe varkat mbeten të mbushura, ndërsa numri i vizitorëve nuk ka pësuar ulje të dukshme. “Eksperimenti nuk funksionoi,” tha për mediat lokale këshilltarja demokrate Monica Sambo. “Tarifa e hyrjes, e paraqitur si mjet për të menaxhuar flukset turistike, nuk solli asnjë reduktim të ndjeshëm. Në disa ditë, hyrjet madje janë rritur.” Banorët kërkojnë politika që të nxisin ripopullimin e qendrës historike, ku popullsia ka zbritur në nivelin më të ulët historik prej 48,500 banorësh. Sot, në lagjet historike ka më shumë shtretër turistikë se banorë rezidentë, një fakt që për shumëkënd dëshmon se problemi i Venecias nuk mund të zgjidhet vetëm me një taksë për vizitorët ditorë.  Euronews

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0