Sulmi kibernetik/ Shumë shërbime ende nuk funksionojnë, biznesi probleme me bilancet - Business Magazine Albania

Sulmi kibernetik/ Shumë shërbime ende nuk funksionojnë, biznesi probleme me bilancet

Sulmi kibernetik

Shkroi: Aurora Sulçe

Elisabeta Katiaj ka një prej zyrave kryesore të kontabilitetit në Tiranë. Ajo mban bilancet dhe pasqyrat financiare të disa prej kompanive të mëdha vendase dhe të huaja. Që prej të shtunës së kaluar, thuajse asnjë shërbim për bizneset nuk bëhet online. Kjo për shkak të një sulmi kibernetik, që ka rrëzuar faqet zyrtare në internet të ministrive, institucioneve kryesore dhe platformës e-Albania. Janë rreth 1200 shërbime që qytetarët dhe sipërmarrja nuk i aksesojnë dot prej një jave, pasi që prej 1 Majit të këtij viti, ato janë vetëm online. Të njëjtin shqetësim kanë edhe bizneset e vogla dhe të mesme, që presin fatura për shitjet që bëjnë. Përllogaritja e xhiros bëhet e vështirë. Këto biznese nuk presin dot fatura dhe si rrjedhojë nuk mund të bëhen pagesa. Kjo përkthehet në probleme likuiditeti për ta.

“Sistemi ka pasur probleme edhe përpara sulmit. Ka raste që refuzohen, ka raste që vonohen. Ka shumë probleme që vijnë edhe si pasojë e funksionimit të vetë sistemit, që kanë hasur bizneset që nga nisja e periudhës së digjitalizimit e deri më sot. Kështu që pezullimi një ditor, disa ditor ose një javor është i mirëkuptueshëm, pasi mund të përballohen për një periudhë kohe të shkurtër. Por ajo që përbën problem është sistemi i faturimit, që lidhet me transmetimin në kohë reale të faturës dhe fiskalizimin. Këto raste janë parashikuara me dispozitë ligjore, por biznesi i ka të panjohura”, shprehet Katiaj.

Ndërkaq burime zyrtare në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve shpjegojnë se gjatë kësaj jave nuk ka pasur ankesa të raportuara nga tatimpaguesit në lidhje me dublikimin e faturave. Por burimet shpjegojnë se si procedurë normale, në rast të dublikimit të faturave, për arsye të ndryshme, tatimpaguesit duhet të anulojnë faturat e përsëritura duke mbajtur vetëm faturën e saktë, e cila duhet të përfshihet edhe në totalin e qarkullimit apo xhiros që raportohet.

Një shqetësim edhe më i madh është ai i dorëzimit të bilanceve, në kushtet kur afati ligjor është 31 korriku. Dorëzimi i bilanceve bëhet vetëm elektronikisht dhe nëse nuk respektohet data e përcaktuar në kuadrin ligjor, atëherë subjekti ndërshkohet me 60 mijë lekë gjobë. Janë jo pak, por gati 20 mijë subjekte që kanë detyrimin ligjor për dorëzimin e bilanceve vjetore. Burime zyrtare nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se afati për dorëzimin e bilanceve do të shtyhet dhe ndaj bizneseve nuk do të aplikohet gjobë.

Ndërkaq një javë pas sulmit kibernetik, situata ende nuk i është rikthyer normalitetit. e-Albania nuk është plotësisht funksionale, ndërkohë që sistemi Self Care ende nuk punon, nuk fiskalizohen as deklaratat doganore. Faqja e tatimeve është në punë. Bizneset mund të realizojnë edhe fiskalizimin e faturave, përveç të vetëpunësuarve që punojnë me sistemin Self Care (pa pagesë), i cili është i lidhur me e-Albania. Sistemi i Self Care vijon të mos jetë funksional edhe pas rikthimit në punë të e-Albania. Bizneset ankohen se ende nuk mund të bëjnë as fiskalizimin e deklaratave doganore. Për rinovimin e certifikatave elektronike mund të bëhet aplikimi, por nuk mund të merren.

Lexoni: Rënia e sistemit elektronik, shtyhet afati i deklarimit të pasqyrave financiare

Ekspertët: Duhen investime për të rritur sigurinë e sistemit

Ekspertët e Teknologjisë së Informacionit shpjegojnë se pas kalimit të 95% të shërbimeve publike në rrugë digitale, Shqipëria është bërë target i sulmeve kibvernetike, si ai që pësoi sistemi që prej të shtunës së kaluar. Kjo do të thotë se sulme të tjera pritet të ndodhin në të ardhmen. “Meqënëse Shqipëria ka kaluar çdo gjë online, bëhet target botëror për sulmet kibernetike sepse i rritet vlera e kapitalit që ka online dhe rrjedhimisht, hakerat në botë dhe vendet armike do ta bëjnë target.”, shprehet Gent Progni, eskpert për Teknologjinë e Informacionit. Sipas tij, nuk ka rrezik për momentin për zhdukje të të dhënave. “Nga të gjitha informacionet, rezulton se të dhënat kanë qenë të bëra back-up, plus edhe sulmi është kapur në kohë. Kështuqë, ka shpëtuar kjo pjesë”, shpjegon Progni.

Eksperti i IT-së rekomandon që të bëhen më shumë investime për të rritur sigurinë e sistemit. Ky sulm tregoi që duhet të investojmë më shumë për sigurinë kibernetike dhe të jemi më të përgatitur. Në teknologjinë e informacionit je gjithmonë i ekspozuar. Asnjëherë nuk mund të thuash që je 100% i sigurtë. E vetmja siguri totale është nëse ti heq linjën e internetit në lidhjet me jashtë dhe të mban rrjet të mbyllur lokal. Në studimet teknlogjike është vërtetuar që e vetmja teknologji që u bën ballë këtyre sulmeve është Blockchain. Kështu që, kalimi i shërbimeve nga qeveria në Blockchain do të ishte nga zgjidhjet më të mira dhe ideale”, shprehet Progni.

Ky është sulmi i parë kibernetik i sistemit që pas kalimit të 95% të shërbimeve publike online dhe që ka shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët dhe biznesi. Paralelisht ka ulur besimin ndaj qeverisë dhe digitalizimit të shërbimeve. Kjo është arsyeja që ekspertët e Teknologjisë së Informacionit rekomandojnë që paralelisht me sistemin elektronik, disa shërbime të ofrohen edhe në sportele fizike, si një alternativë shtesë. “Mendoj që duhet të ketë gjithmonë një plan emergjence dhe duhet të hapen sportelet fizike, por gjithmonë në plan emergjence.” shprehet Gent Progni, ekspert IT.

Sulmi kibernetik i një jave më parë, me shumë gjasë, sipas edhe asaj që paralajmërojnë ekspertët, nuk do të jetë i fundit. Një sulm që tregoi se ka nevojë jo vetëm për më shumë investime në rritjen e sigurisë, por edhe në një koordinim dhe informim më të mirë të qytetarëve dhe biznesit, si përfituesit kryesorë të shërbimeve elektronike. Ata që sot, ende nuk dinë ç’të bëjnë!

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0