Studimi: Stili i jetës pas të 50-ave faktor kyç për jetëgjatësinë - Business Magazine Albania

Studimi: Stili i jetës pas të 50-ave faktor kyç për jetëgjatësinë

Është logjike, por kur propagandohet nga më shumë se 120 studiues, tingëllon edhe më urgjente: Pas të 50-ve burrat dhe gratë duhet të shmangin duhanin, si dhe kolesterolin e tepërt dhe mbipeshën. Kjo ka efekt.

50-vjeçarët, që nuk pinë duhan, kanë presion normal të gjakut, nuk kanë kolesterol të lartë ose diabet dhe mbajnë një peshë trupore të shëndetshme, jo vetëm që jetojnë më gjatë, por janë të mbrojtur më gjatë edhe nga sëmundjet kardiovaskulare. Këtë e zbuluan shkencëtarët e klinikës universitare Hamburg-Eppendorf (UKE) – së bashku me rreth 120 studiues në mbarë botën. Për studimin e tyre shkencëtarët vlerësuan të dhënat e më shumë se dy milionë njerëzve nga 39 vende. Rezultatet u publikuan në numrin e fundit të revistës “New England Journal of Medicine”.

“Pesë faktorë klasikë të rrezikshmërisë”

“Pesë faktorët klasikë të rrezikut presioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit, diabeti, nënpesha ose mbipesha apo obeziteti dhe nivelet e larta të kolesterolit janë përgjegjës për rreth gjysmën e të gjitha sëmundjeve kardiovaskulare në mbarë botën”, thotë Christina Magnussen, autorja kryesore dhe zëvendësdrejtoresha e klinikës së kardiologjike në UKE. “Ne donim të dinim, se si mungesa ose kontrolli i këtyre faktorëve ndikon te jetëgjatësia.

Studimi tregon, se gratë që në moshën 50 vjeçare nuk kishin asnjë nga këta faktorë rreziku zhvilluan sëmundje kardiovaskulare 13,3 vjet më vonë dhe vdiqën 14,5 vjet më vonë se gratë me të pesë faktorët e rrezikut. Burrat pa këta faktorë rreziku jetuan 10.6 vjet më gjatë pa sëmundje kardiovaskulare dhe vdiqën mesatarisht 11.8 vjet më vonë se burrat me faktorë rreziku. Gratë, që në moshën 50 vjeçare nuk pinë duhan, jetojnë 5,5 vjet më gjatë pa sëmundje kardiovaskulare; për meshkujt është 4,8 vjet.

Mbajtja nën kontoll e tensionit të gjakut

”Prandaj ia vlen që me moshë të ndryshoni sjelljen tuaj. Nga të pesë faktorët e rrezikut, kontrolli i presionit të gjakut është ai që ka lidhje me sasinë e viteve të tjera të shëndetshme”, shpjegon Stefan Blankenberg, drejtor mjekësor i qendrës universitare për zemrën dhe enët e gjakut në UKE. Njerëzit, që e kontrollojnë presionin e lartë të gjakut ose e lënë duhanin në moshën 55-60 vjeç, jetojnë më gjatë dhe pa sëmundje kardiovaskulare sesa njerëzit, që nuk ndryshojnë stilin e tyre të jetesës.

1,4 milionë njerëz në Gjermani me demencë

Instituti Robert Koch (RKI) ka bërë publike të dhënat aktuale mbi sëmundjen e demencës në Gjermani. Sipas tij rreth 1,4 milionë njerëz këtu janë të prekur nga demenca. Në vitin 2022, 2,8 përqind e njerëzve mbi moshën 40 vjeç jetonin me diagnozën e demencës, njofton RKI në Berlin. Femrat janë më të prekura se meshkujt. Në përgjithësi me moshën rritet edhe shpeshtësia e sëmundjes – një diagnozë të tillë kishin 6,9 përqind e mbi 65 vjeçarëve.

Numri i rasteve të demencës në Gjermaninë lindore dhe në lindje të Bavarisë ishte më i lartë se në rajonet e tjera. Sipas studimit një rol të rëndësishëm mund të luajnë faktorët e rrezikshmërisë, si diabeti, tensioni i lartë i gjakut dhe obeziteti, që në dekadat e fundit kanë patur një shpërndarje të pabarabartë rajonale, por në Gjermaninë Lindore ishin më të zakonshme.

300.000 njerëz vuajnë nga parkinsoni

Studiuesit nga RKI dhe Instituti Shkencor i AOK (Wido) analizuan edhe të dhënat mbi shpeshtësinë e sëmundjes së parkinsonit. Në vitin 2022 në Gjermani, sipas të dhënave, jetonin gati 300.000 njerëz të diagnostikuar me parkinson. 0.61 për qind e 40-vjeçarëve, burrat ishin më shpesh të prekur se gratë. Prezenca e sëmundjes së parkinsonit rritet me moshën. Tek personat mbi 65 vjeç ishin të prekur 1.42 për qind.

Demenca dhe parkinsoni janë dy sëmundjet neurodegjenerative më të zakonshme. Demenca karakterizohet nga një përkeqësim progresiv, i pakthyeshëm i strukturave të trurit, që shoqërohet me një rënie të aftësive njohëse si kujtesa, gjuha, vëmendja dhe përqendrimi, por edhe nga ndryshime të personalitetit, emocioneve dhe aftësive sociale. Sëmundja zhvillohet ngadalë dhe është deri tani e pashërueshme.

Në sëmundjen e parkinsonit ndodh dëmtimi i qelizave nervore të trurit, që prodhojnë neurotransmetuesin dopamin. Si rezultat shfaqen pengesa, sidomos në aftësitë motorike. Ngurtësimi i muskujve ose dridhjet janë tipike. Mund të ketë edhe çrregullime të fshikëzës urinare dhe tretjes, probleme me kujtesën dhe përqendrimin, depresion dhe rrëzime. Shifrat janë bazuar në të dhënat e të siguruarve në sigurimin shëndetësor AOK dhe janë publikuar në “Journal of Health Monitoring”.

Burimi: Deutsche Welle

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0