Stetoskopi me Inteligjencë Artificiale që zbulon sëmundjet e zemrës në sekonda - Business Magazine Albania

Stetoskopi me Inteligjencë Artificiale që zbulon sëmundjet e zemrës në sekonda

Stetoskopi me Inteligjencë Artificiale që zbulon sëmundjet e zemrës në sekonda

Stetoskopi i parë me inteligjencë artificiale (AI) ka kaluar përtej funksionit klasik të dëgjimit të rrahjeve të zemrës. Studiuesit në Imperial College London dhe Imperial College Healthcare NHS Trust kanë zbuluar se një stetoskop i pajisur me AI mund të identifikojë insuficiencën kardiake që në fazat e hershme. Rezultatet e studimit TRICORDER, të botuara në BMJ Journals, treguan se ky stetoskop i zgjuar ndihmon mjekët të diagnostikojnë tre sëmundje të rrezikshme të zemrës brenda vetëm 15 sekondave.

Çfarë zbuloi studimi

Sipas British Heart Foundation (BHF), e cila mbështeti pjesërisht studimin, u analizuan të dhënat e mbi 1.5 milionë pacientëve, duke u fokusuar te personat me simptoma të insuficiencës kardiake si gulçim, ënjtje dhe lodhje.

  • 12,725 pacientë u ekzaminuan me stetoskopin AI.

  • Ata kishin dyfish më shumë gjasa të diagnostikoheshin me insuficiencë kardiake krahasuar me pacientë të ngjashëm që nuk përdorën pajisjen.

  • Po ashtu, ata kishin 3.5 herë më shumë gjasa të diagnostikoheshin me fibrilacion atrial (aritmi e zemrës që rrit rrezikun e goditjes në tru).

  • Gjithashtu, dyfishoheshin rastet e zbulimit të sëmundjeve të valvulave të zemrës.

Dr. Patrik Bächtiger nga Imperial College London theksoi: “Është e pabesueshme që një stetoskop i zgjuar mund të kryejë një ekzaminim 15-sekondësh dhe më pas AI të japë menjëherë rezultatet për insuficiencë kardiake, fibrilacion atrial ose sëmundje të valvulave të zemrës.”

Lexo edhe: A është e mundur pavdekshmëria?

Si funksionon pajisja

Stetoskopi AI ka madhësinë e një letre bixhozi. Ai regjistron:

  • Sinjalet elektrike të zemrës (ECG)

  • Zhurmat e qarkullimit të gjakut nëpër zemër

Më pas, të dhënat analizohen nga algoritme AI të trajnuara me dhjetëra mijëra raste dhe brenda pak sekondave jepet rezultati mbi rrezikun e sëmundjes. Një algoritëm i veçantë mund të zbulojë fibrilacionin atrial, i cili shpesh nuk shfaq simptoma.

Kufizimet dhe rreziqet

Studiuesit theksojnë se:

  • 70% e mjekëve që provuan stetoskopin e zgjuar nuk e përdorën më pas 12 muajsh.

  • Dy të tretat e pacientëve të dyshuar për insuficiencë kardiake nuk e kishin realisht sëmundjen pas analizave të mëtejshme.

Kjo mund të sjellë ankth të panevojshëm dhe analiza shtesë, ndaj mjekët paralajmërojnë se stetoskopi duhet të përdoret vetëm te pacientët me simptoma të dyshimta kardiake, jo te njerëzit e shëndetshëm. Dr. Sonya Babu-Narayan, kardiologe dhe drejtoreshë klinike në BHF, tha: “Shumë shpesh këto sëmundje zbulohen vonë, kur pacientët paraqiten në spital në gjendje urgjente. Një diagnozë e hershme u jep njerëzve mundësinë të marrin trajtimin e duhur dhe të jetojnë më gjatë.” Ndërsa Dr. Jeremy London, kirurg kardiotorakal nga SHBA, theksoi se AI duhet parë si mbështetje për mjekët, jo si zëvendësim: “AI është më shumë një kornizë, jo një absolut, sepse mund të gabojë. Kujdesi shëndetësor kërkon gjithmonë vendimmarrje njerëzore.”

Shifrat që shqetësojnë

  • 6.7 milionë njerëz në SHBA jetojnë me insuficiencë kardiake sipas CDC.

  • Shkaqet më të zakonshme: diabeti, obeziteti, tensioni i lartë dhe sëmundjet e tjera të zemrës.

Stetoskopi inteligjent përfaqëson një hap revolucionar në mjekësinë diagnostikuese. Megjithatë, ekspertët theksojnë se ai duhet përdorur me kujdes, vetëm si mjet ndihmës dhe gjithmonë në kombinim me përvojën klinike të mjekut.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0