Statistikat 2025-ës/ Ku investojnë qytetarët e BE-së më shumë para? - Business Magazine Albania

Statistikat 2025-ës/ Ku investojnë qytetarët e BE-së më shumë para?

Në një kohë kur menaxhimi i zgjuar i parave bëhet vendimtar për sigurinë financiare, të dhënat e fundit tregojnë se Europa mbetet dukshëm pas SHBA-ve për sa i përket investimeve në tregjet e kapitalit. Ndërsa amerikanët tradicionalisht i drejtohen aksioneve dhe fondeve, shumë europianë vazhdojnë t’i mbajnë kursimet në depozita bankare, shpesh duke humbur vlerë përballë inflacionit.

Megjithatë, tabloja brenda kontinentit është shumë më e larmishme. Sipas Association for Financial Markets in Europe (AFME), dallimet mes vendeve anëtare janë të mëdha, si në nivel të investimeve krahasuar me PBB, ashtu edhe për person.

Danmarka, Suedia dhe Holanda…shumë përpara të tjerëve

Indikatori i Investimeve të Familjeve, i përdorur nga AFME, mat se sa nga kursimet e qytetarëve drejtohen drejt instrumenteve të tregjeve të kapitalit, si aksione, fonde investimi, obligacione, sigurime jete dhe fonde pensioni.

Në gjysmën e parë të vitit 2025, vlera totale e aseteve financiare të familjeve në BE arriti në 94% të PBB-së së bllokut. Por brenda vendeve anëtare, diferencat janë ekstreme:

Danimarka dhe Suedia kryesojnë listën me 194% të PBB-së, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së. Holanda ndjek me 164%, ndersa Italia, e katërta në renditje, ka vetëm 119%.

Në skajin tjetër të spektrit, Rumania mbetet shumë poshtë me vetëm 16%, e ndjekur nga Lituania (18%) dhe Bullgaria (20%).

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar , tashmë jashtë BE-së raporton një nivel prej 122%, duke e vendosur sërish në zonën e performuesve të fortë.

Lexo edhe:Ligji i ri i taksës mbi pronën nis zbatimin në 2028-ën, ja ç’përmban

Çfarë kanë të përbashkëta vendet që investojnë më shumë?

Sipas AFME, vendet që regjistrojnë nivelet më të larta të investimeve ndajnë tre karakteristika kyçe:

Skema të zhvilluara pensioni, që i drejtojnë automatikisht qytetarët drejt investimeve në tregje.

Incentiva fiskale për investime, që i bëjnë produktet investuese më të leverdishme.

Llogari të thjeshta, të përdorshme dhe të orientuara drejt qytetarit, që ulen barrierat për të investuar.

Shembulli më i spikatur është llogaria ISK e Suedisë, e cila lehtëson investimin në aksione, ETF dhe fonde duke thjeshtuar tatimin dhe procedurat.

Vendet që nuk ofrojnë këto elemente zakonisht shënojnë pjesëmarrje të ulët në tregjet e kapitalit, duke orientuar qytetarët drejt depozitave bankare me kthime të ulëta.

Sa investojnë europianët për person?

Përveç raportit ndaj PBB-së, shifrat për person tregojnë edhe më qartë hendekun mes vendeve:

Mesatarja e BE-së: €42,069.

Danimarka: €150,034 për person.

Suedia dhe Hollanda: mbi €100,000 për person.

Luksemburgu: €76,937, duke u renditur i katërti.

Ndërkohë, nëntë vende të BE-së kanë më pak se €10,000 investime në tregje kapitali për person. Këtu përfshihen Rumania, Bullgaria, Polonia, Lituania, Greqia, Letonia, Estonia, Sllovakia dhe Sllovenia.

Në Mbretërinë e Bashkuar, asetet për person arrijnë në €75,463, pothuajse dyfishin e mesatares së BE-së.

Përse ka rëndësi kjo?

Ndërsa BE diskuton reformën e Unionit të Tregjeve të Kapitalit për të nxitur investimet drejt sektorëve strategjikë, këto dallime tregojnë nevojën për politika që rrisin pjesëmarrjen e qytetarëve. Në një ekonomi që po digjitalizohet dhe kërkon financim të vazhdueshëm për inovacion, orientimi i kursimeve drejt tregjeve mund të jetë vendimtar për rritjen afatgjatë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0