Spektakël në qiell, sot në mbremje ndodh ''Superhëna e nëntorit''! - Business Magazine Albania

Spektakël në qiell, sot në mbremje ndodh ”Superhëna e nëntorit”!

Nëse do të ngrini sytë drejt qiellit sot në mbrëmje, do të vini re diçka të pazakontë: Hëna do të shkëlqejë më fort, do të duket më e madhe dhe do të ndjehet më pranë Tokës se zakonisht.

Kjo ndodh sepse po afrohet superhëna e nëntorit, e njohur ndryshe si “Hëna e Kastorit” (Beaver Moon), e cila do të jetë superhëna më e afërt e vitit 2025.

Sipas NASA-s, ky fenomen ndodh kur Hëna e plotë përkon me pikën më të afërt të orbitës së saj rreth Tokës. Për shkak se orbita e Hënës nuk është rrethore, por paksa eliptike, ndonjëherë ajo afrohet më shumë, e ndonjëherë largohet më shumë nga planeti ynë. Kur këto dy momente,  Hëna e plotë dhe perige përkojnë, krijohet superhëna.

Ky fenomen e bën Hënën të duket deri në 14% më e madhe dhe 30% më e ndritshme se një Hënë e plotë e zakonshme, sipas të dhënave nga NASA. Termi “superhënë” u përdor për herë të parë në vitin 1979 nga astrologu Richard Nolle.

Superhëna e nëntorit do të arrijë pikën e saj më të plotë të mërkurën, më 5 nëntor, në orën 14:20 sipas orës së Evropës Qendrore (CET). Ajo do të jetë e dukshme edhe një natë përpara dhe një natë pas, por momenti më i mirë për ta parë është menjëherë pas perëndimit të diellit të së mërkurës.

Lexo edhe: A mund të bëni asgjë për 90 minuta? Në Korenë e Jugut, kjo është një garë!

Për ta parë, nuk nevojitet asnjë pajisje e veçantë, mjaftojnë qiell i pastër dhe pamje e hapur drejt horizontit. Megjithatë, ndryshimi në madhësi është i vështirë të dallohet me sy të lirë. “Diferenca bëhet më e qartë kur krahasohet me foto ose vëzhgime të tjera,” shpjegon Shannon Schmoll, drejtoreshë e Planetariumit Abrams në Universitetin Shtetëror të Miçiganit.

Sa për efektet në natyrë, astronomët theksojnë se superhëna mund të ndikojë pak në rritjen e baticave, për shkak të tërheqjes më të fortë gravitacionale. Por sipas Lawrence Wasserman nga Observatori Lowell, ky efekt është shumë i lehtë për t’u vënë re në shumicën e zonave bregdetare.

Nëse e humbisni këtë spektakël qiellor, do të keni edhe një mundësi tjetër: superhëna e fundit e vitit 2025 do të ngrihet edhe më 6 dhjetor.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0