S’ka shaka me teknologjinë: Studimi tregon se inteligjenca artificiale nuk i kupton lojërat e fjalëve - Business Magazine Albania

S’ka shaka me teknologjinë: Studimi tregon se inteligjenca artificiale nuk i kupton lojërat e fjalëve

Një studim i ri ka zbuluar se inteligjenca artificiale, edhe në format e saj më të avancuara, ende nuk është në gjendje të kuptojë shakatë me lojë fjalësh. Pra, humoristët dhe krijuesit e titujve gazetaresk mund të marrin frymë lirisht, tani për tani.

Studiues nga Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, konkretisht nga Universiteti Cardiff dhe Universiteti Ca’ Foscari i Venecias, kanë analizuar se sa mirë modelet e mëdha të gjuhës (LLMs) arrijnë të kuptojnë lojërat e fjalëve. Përfundimi? Ato mund të dallojnë strukturën e një shakaje, por nuk e “kapin” humorin e vërtetë.

Një shembull i testuar ishte: “I used to be a comedian, but my life became a joke.”
Kur studiuesit e ndryshuan fundin me “chaotic”, modelet vazhduan ta perceptonin si lojë fjalësh. E njëjta gjë ndodhi me shprehjen “Long fairy tales have a tendency to dragon.” Edhe kur fjala “dragon” u zëvendësua me “prolong” apo një fjalë krejtësisht të rastësishme, LLM-të përsëri mendonin se fjalia përmbante një lojë fjalësh.

Prof. José Camacho Collados shpjegon se kjo ndodh sepse modelet e AI-së nuk “kuptojnë” në mënyrë të vërtetë. Ato thjesht rikthejnë modele të mësuara gjatë trajnimit. “Ne arritëm t’i mashtrojmë vazhdimisht duke modifikuar lojëra fjalësh ekzistuese. Edhe kur hiqnim plotësisht kuptimin e dyfishtë, modelet përsëri përpiqeshin të shpiknin arsye pse fjalia ishte një lojë fjalësh,” tha ai. “Në fund, kuptimi i tyre është një iluzion.”

Në raste kur modelet përballeshin me lojëra fjalësh të panjohura, aftësia për t’i identifikuar saktë binte deri në 20%.

Një tjetër shembull ishte shprehja: “Old LLMs never die, they just lose their attention.”
Kur fjala “attention” u zëvendësua me “ukulele”, modelet prapë këmbëngulnin se fjalia ishte lojë fjalësh—madje një model pretendoi se “ukulele” tingëllonte si “you-kill-LLM”.

Lexo edhe:Parkimi nuk ka qenë kurrë kaq i lehtë, falë LookUp Parking!

Studiuesit u impresionuan nga kreativiteti i modeleve në justifikimin e përgjigjeve, por përfundimi mbetet i njëjtë: inteligjenca artificiale nuk e kupton humorin njerëzor.

Gjetjet e tyre theksojnë se përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm kur përdorin AI për detyra që kërkojnë kuptim të humorit, empatisë apo nuancave kulturore.

Studimi u paraqit këtë muaj në Konferencën Empirical Methods in Natural Language Processing 2025 në Suzhou, Kinë. Ai shoqërohet nga punimi i titulluar “Pun unintended: LLMs and the illusion of humor understanding.”

theguardian

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0