Në një kohë kur lëvizja ndërkombëtare është bërë rutinë dhe puna nuk njeh më kufij gjeografikë, një problem i vjetër vazhdon të mbetet i pazgjidhur për miliona udhëtarë: lidhja me internetin sapo zbresin në një vend të ri. Pikërisht në këtë boshllëk hyn SIMUNO, një startup i ri që synon të thjeshtojë një proces që deri më sot ka qenë i fragmentuar, i kushtueshëm dhe shpesh konfuz. Pas këtij projekti qëndron Dijedon Tahiri, një shqiptar i cili jeton në Maqedoninë e Veriut, i cili ka zgjedhur ta regjistrojë startup-in në Mbretërinë e Bashkuar, duke e ndërtuar që në fillim si një produkt me ambicie globale.
“Simuno u krijua nga një nevojë shumë konkrete që e hasin pothuajse të gjithë udhëtarët,” shpjegon Tahiri. “Si të qëndrojnë online menjëherë sapo mbërrijnë në një vend tjetër, pa roaming të kushtueshëm dhe pa humbur kohë duke kërkuar SIM lokale.” Në thelb, SIMUNO nuk është thjesht një platformë për blerjen e një eSIM. Ai synon të riformatojë të gjithë përvojën e lidhjes gjatë udhëtimit, nga zgjedhja e planit të duhur, te kuptimi i kushteve dhe aktivizimi i menjëhershëm. “Qëllimi është që përdoruesi ta zgjidhë këtë çështje përpara nisjes, në pak minuta dhe pa stres,” shton ai.
Një produkt i ndërtuar për thjeshtësi dhe shpejtësi
Aktualisht, SIMUNO operon si një platformë travel eSIM që mbulon mbi 190 destinacione. Fokusin kryesor, sipas Tahirit, e ka pasur tek përvoja e përdoruesit: kërkim i qartë, krahasim i thjeshtë i planeve dhe një proces blerjeje i shpejtë që përfundon me dorëzim digjital të menjëhershëm.
“Që nga nisja këtë muaj, jemi përqendruar në finalizimin e produktit dhe testimin e flow-ve kryesore,” shpjegon ai. “Në të njëjtën kohë, kemi filluar të ndërtojmë bazat për rritje, përfshirë partneritetet, sepse e shohim Simuno jo vetëm si një produkt për konsumatorët, por edhe si infrastrukturë për biznese në sektorin e udhëtimeve.”
Lexo edhe: Spencer Luna, amerikani që la SHBA-n për të hapur biznes në Kosovë
Kjo qasje duale, B2C dhe B2B sugjeron që startup-i nuk synon vetëm përdoruesin individual, por edhe aktorët e industrisë si agjencitë e udhëtimit, OTA-të dhe hotelet.
Një strukturë ndërkombëtare që në fillim
Zgjedhja për ta regjistruar kompaninë në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka qenë rastësore. Përkundrazi, ajo reflekton mënyrën se si është konceptuar SIMUNO që në fillim. “Simuno është menduar si një projekt ndërkombëtar, jo lokal,” thekson Tahiri. “Një strukturë në UK na jep më shumë qartësi dhe fleksibilitet për ta zhvilluar në një kontekst global.” Ky vendim sjell avantazhe të dukshme, sidomos për një produkt digjital që i drejtohet një audience pa kufij. Megjithatë, ai nuk vjen pa sfida. “Kur je solo dhe operon ndërmjet dy konteksteve, duhet të menaxhosh me shumë kujdes anën operacionale dhe ligjore,” pranon ai. “Por kjo të bën edhe më të fokusuar dhe më të disiplinuar.”
Realiteti i një themeluesi solo
Në mungesë të një ekipi të zgjeruar, çdo ditë për Tahirin është një balancim rolesh. Nga zhvillimi i produktit te optimizimi, nga mbështetja e përdoruesve te mendimi strategjik për rritjen; të gjitha kalojnë nëpër të njëjtat duar. “Pjesa më e vështirë është të mbash shumë role njëkohësisht,” thotë ai. “Por pjesa më e kënaqshme është që çdo përmirësim shihet menjëherë. Ka diçka shumë të veçantë kur e ndërton një produkt nga zero dhe e sheh të marrë formë reale.” Kjo përvojë, ndonëse intensive, i jep startup-it një avantazh: një lidhje të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshme mes produktit dhe vizionit të themeluesit.
Dy drejtime për të ardhmen: përdoruesit dhe partnerët
Në horizontin e 6 deri në 12 muajve të ardhshëm, zhvillimi i SIMUNO pritet të ndahet në dy drejtime kryesore. I pari lidhet me përmirësimin e mëtejshëm të produktit për përdoruesit finalë, një përvojë edhe më e thjeshtë, më e shpejtë dhe më e personalizuar. I dyti është zgjerimi në segmentin B2B. Platforma po zhvillon një portal të dedikuar për partnerë që përfshin white-label, menaxhim porosish dhe shitje në volum. “Kjo mund ta bëjë Simuno shumë të vlefshëm për agjenci udhëtimi, hotele dhe kompani që duan t’u ofrojnë klientëve lidhjen me internet dhe telefon si pjesë të shërbimit,” shpjegon Tahiri. Në këtë kuadër, një rol gjithnjë e më i rëndësishëm pritet t’i jepet edhe Inteligjencës Artificiale. Nga rekomandimi i planeve më të përshtatshme deri te automatizimi i mbështetjes për klientët, AI shihet si një shtyllë e rëndësishme për fazën e ardhshme të zhvillimit.
…edhe një këshillë
Për ata që po mendojnë të hedhin hapin e parë në sipërmarrje, sidomos në një kontekst ndërkombëtar, mesazhi i Tahirit është i drejtpërdrejtë. “Mos prisni momentin perfekt për të filluar,” thotë ai. “Në shumicën e rasteve, qartësia vjen duke ndërtuar, jo duke menduar pafundësisht.” Në një ekosistem ku ide ka shumë, por produktet konkrete janë më të rralla, kjo qasje pragmatike mbetet një nga diferencuesit kryesorë.
SIMUNO është ende në fazat e para, por drejtimi është i qartë: një produkt i ndërtuar për një treg global, që synon të eliminojë një nga shqetësimet më të zakonshme të udhëtimit modern. Nëse do të arrijë ta bëjë këtë në shkallë të gjerë, do të varet jo vetëm nga teknologjia, por edhe nga aftësia për të mbajtur të njëjtin fokus që e ka sjellë deri këtu.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto