Nga Adelina Onuzi/ Kur hapim frigoriferin, nuk mendojmë gjithmonë për rrugën që ka përshkuar ushqimi deri tek tryeza jonë. Por në fakt në Shqipëri, kjo rrugë shpesh është e mbushur me “trafik” e devijime, të dukshme a padukshme qofshin.
Herë pas here, përballja me lajme që kryefjalë kanë kontaminimin e pesticidet, zgjon te konsumatorët reflektorin mbi dobësitë e sistemit të sigurisë ushqimore. Kjo periudhë konsiston edhe me synimin e Shqipërisë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030 dhe pikërisht këtu ngrihet çështja thelbësore, siguria ushqimore.
Ky sektor është kthyer në një ndër temat më të diskutuara, pasi skandalet me produkte të prishura apo jashtë standardeve shfaqen shpesh në media dhe rrjetet sociale. Një nga ngjarjet më shqetësuese ka qenë shpërndarja e 10 ton mandarinave të kontaminuara me pesticide në tregun shqiptar, një skandal që nxori në pah dobësitë e zbatimit të rregullave të sigurisë ushqimore.
Për më tepër, ekspertë të shëndetit publik kanë ngritur alarmin për mungesën e kontrollit të produkteve ushqimore para se ato të dalin në treg. Profesori i mikrobiologjisë, Andi Koraqi, ka theksuar se institucionet kanë detyrë të kontrollojnë cilësinë e ushqimeve para se ato të hidhen në treg.
Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, qeveria shqiptare ka paraqitur një projektligj për të forcuar sigurinë ushqimore dhe për të mbrojtur shëndetin e konsumatorëve, i cili parashikon një sistem elektronik kombëtar për gjurmueshmërinë e produkteve dhe vendosjen e gjobave nga 100,000 deri në 2,000,000 lekë për shkelje të rënda.
Por a është gjoba “frika e madhe” që garanton siguri? Në një shoqëri ku besimi te institucionet mbetet i brishtë, vetëm ndëshkimi nuk mjafton, sepse siguria ushqimore kërkon më shumë se masa administrative, kërkon përgjegjësi kolektive.
Është e nevojshme që aktorët, nga shteti te prodhuesit, tregtarët dhe vetë konsumatorët, të jenë pjesë aktive e këtij zinxhiri. Vetëm përmes bashkëpunimit, transparencës dhe edukimit të vazhdueshëm mund të sigurohet që çdo produkt të jetë i shëndetshëm dhe i kontrolluar. Për të arritur këtë, duhet investuar në infrastrukturën e kontrolleve, trajnimin e profesionistëve dhe ndërtimin e një kulture të re të sigurisë ushqimore.
Vetëm atëherë mund të flasim për një sistem ushqimor të besueshëm e të qëndrueshëm, që mbron shëndetin e qytetarëve dhe përforcon rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, ndoshta një arsye më shumë për ta marrë seriozisht.
*Ky artikull është financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të projektit ‘Mbështetje për edukimin mbi sigurinë ushqimore në Shqipëri’, i cili po zbatohet nga Qendra për Ekselencë Destiny dhe Qendra TEAM. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto