Shqipëria është duke përforcuar sigurinë ndaj krimit kibernetik. Strategjia dy vjecare (2015- 2017) që do të nisë të zbatojë qeveria shqiptare llogarit një kosto prej rreth 626 milionë lekë. Sipas të dhënave gjatë dhjetë viteve të fundit përdorimi i internetit në vendin tonë është rritur me ritme të shpejta, duke llogaritur një penetrin në shkallë mbi 60%. Kjo ka shkaktuar edhe rritje të numrit të shkeljeve të sigurisë së rrjeteve dhe sigurisë së informacionit.
Kjo shkakton humbje financiare dhe krijon rreziqe dhe kërcënime të reja për zhvillimin e shoqërisë së informacionit. Nga të dhënat zyrtare të Policisë së Shtetit mbi krimin kibernetik, të rregulluar sipas Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, rezultojnë se në periudhën janar – dhjetor 2014 janë evidentuar 180 vepra penale, janë zbuluar 76, me 86 autorë, nga të cilët 74 janë në gjendje të lirë, 10 të arrestuar dhe 2 në kërkim.
Për periudhën janar – dhjetor 2013, janë evidentuar 108 vepra penale nga të cilat janë zbuluar 63 prej tyre, me 69 autorë, nga të cilët 58 janë në gjendje të lirë, 9 arrestuar dhe 2 në kërkim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë evidentuar 66% më shumë vepra penale, me 17 autorë më shumë, 1 autor të arrestuar më shumë.
Sipas strategjisë dy vjecare, sulmet kibernetike kanë potencial për të dëmtuar rëndë
shkëmbimin e informacionit në institucionet publike, të telekomunikacionit dhe sistemin financiar e bankar, duke shkaktuar edhe ndërprerje të shërbimeve jetike.
Dokumenti parashikon: përmirësim të shërbimeve ndaj publikut; një shoqëri informacioni të sigurt.
Qëllimi i këtij dokumenti është të rishikojë dhe të koordinojë detyrimet që lindin nga angazhimet e marra për një hapësirë kibernetike të sigurt me qëllim që të sigurohet përmbushja e përgjegjësive nga të gjithë aktorët në mënyrë të koordinuar. Në këtë mënyrë mund të garantohet zhvillimi i mëtejshëm i shoqërisë së informacionit si një ambient i sigurt, i besueshëm dhe i hapur si dhe promovimin e vlerave dhe mundësive të ofruara nga përdorimi i hapësirës kibernetike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto