Ai ishte njeriu më i pasur i kohës së tij, financonte mbretër dhe papë dhe në një farë mënyre kishte më shumë pasuri se Elon Musk sot. Si u bë Jakob Fugger para 500 vjetësh arkitekti i tregtisë moderne?
Emri i tij është ende sot legjendar: Jakobi quhej si ‘i pasuri’ që në të gjallë të tij. Por rëndësia e tij shkon përtej pasurisë. Tregtari dhe bankieri nga Augsburgu në Gjermaninë jugore vendosi shinat për ekonominë e kohës moderne. “Për Fugge-n mund të thuash se ishte njeriu i parë, që bëri tregti në shkallë globale”, thotë Greg Steinmetz në një intervistë për DW.
Në 2015 ish-korrespondenti gjerman i Wall Street Journal e përkujtoi Fugger-in me biografinë “The Richest Man Who Ever Lived” (Njeriu më i pasur që ka jetuar ndonjëherë). Përpara se Karli V, që ishte edhe perandor i Perandorisë së shenjtë romake të kombit gjerman dhe mbret i Spanjës, të vendoste nën kontrollin e tij Amerikën e Jugut, nuk bëhej shumë tregti me pjesët e tjera të botës. “Nga Evropa tregtia behej me Indinë, me Indonezinë e sotme dhe Kinën. Por udhëtimet për në perëndim u bënë të mundura vetëm pas Kolombit. Pra kur flasim për tregtinë ndërkombëtare, ajo ishte me shumicë. A kishte tregti globale? Jo, sepse vetëm gjysma e botës ishte zbuluar nga evropianët. Dhe Fugger u gjend në fillim të këtij fenomeni”, thotë biografi i tij.
Arsimimi në Itali
Jakob Fugger lindi në një familje të pasur në Augsburg, themelet e së cilës i kishte hedhur gjyshi i tij Hans Fugger si endës mjeshtër. Në Venecia ai mësoi tregtinë dhe zhvilloi preferencën e tij për Rilindjen. Venecia e njohu me një inovacion, i cili përshpejtoi ngritjen e tij: mbajtjen e kontabilitetit me dy hyrje.
“Në atë kohë nuk kishte shkolla biznesi. Familjet i dërgonin djemtë e tyre në praktikë dhe gjermanët bënin shumë tregti në Venecia. Fugger u dërgua nga familja e tij në Venecia për të punuar dhe për të mësuar gjithçka që mundej. Ai mori me vete në Gjermani të gjitha sekretet veneciane, përfshirë kontabilitetin me dy hyrje dhe ishte i pari në Gjermani, që zbatoi këto metoda moderne”, shpjegon Greg Steinmetz.
Kështu Fugger e dinte gjithmonë, se sa para kishte, ndryshe nga shumë konkurrentë që vepronin pa regjistrime të sakta. Fugger kuptoi gjithashtu vlerën e informacioneve. “Ai kishte agjentë në çdo qytet të madh evropian dhe madje edhe në çdo qytet të Gjermanisë. Dhe njerëzit e furnizonin me informacione, me korrier dhe kalë dhe çdo mënyrë tjetër që mund t’i çoheshin këto mesazhe Fugger-it. Informacioni është gjithçka sot dhe kështu ishte edhe atëherë”, thotë Steinmetz. ” Ai që ishte në dijeni më herët për zhvillimet dhe i përdorte ato për biznes, ishte në avantazh. Dhe Fugger e kishte kuptuar këtë”.
Financuesi i Perandorëve
Pas vdekjes së vëllezërve të tij Jakob Fugger mori kontrollin e plotë të biznesit familjar në vitin 1510 dhe vazhdoi politikën e sigurimit të kredive për familjen e Habsburgëve nën perandorët Maksimilian I dhe Karli V. Ai fitoi akses në minierat e argjendit dhe të bakrit, kryesisht në Tirol dhe në Hungarinë e atëhershme. Ai nuk i zotëronte vetë minierat, por mbante të drejta për kërkimin, aksione dhe të drejta parablerjeje për xehet, një garanci që do të rezultonte shumë fitimprurëse. Evropa ofronte pak nga ajo që kërkohej në atë kohë në Azi. “Evropa nuk eksportonte teknologji si sot. Nuk eksportonte mallra luksi. Nuk eksportonte makina. Por ajo kishte metale si argjendi, ari dhe bakri. Dhe këtu hyri në lojë Jakob Fugger”, shpjegon biografi i Fugger-it.
Lexo edhe: Viktor Orbán po shkakton një “tërmet politik evropian”
Bakër për botën
“Një rastësi shumë fatlume për koncernin minierar Fugger ishte fakti që në Indinë e asaj kohe, shumë më superiore se Evropa në teknologji dhe ekonomi, mungonte bakri dhe kërkesa për të ishte shumë e lartë”, thotë Martin Kluger për DW. Ai drejton shtëpinë botuese Context në Augsburg dhe Nuremberg dhe është autor i disa librave mbi historinë e familjes Fugger. “Një rastësi tjetër ishte se Vasco da Gama në vitin 1498 zbuloi rrugën detare për në Indi, pak pasi familja Fugger hyri në biznesin e minierave të bakrit në Neusohl – sot Banská Bystrica – në vitin 1495. Pra në një kohë kur kërkesa për bakër ishte më e lartë se kurrë, familja Fugger kishte rezerva, që morën papritmas vlerë shumë të madhe”, thotë Kluger.
Edhe në Evropë u rrit kërkesa për bakër në ndërtimin e anijeve, topave, për enët e kuzhinës, çatitë e pallateve të qyteteve dhe ndërtesave fetare. Sipas Kluger familja Fugger u “detyrua” si të thuash të hynte në biznesin e minierave: Habsburgët dhe mbreti i Hungarisë mezi i shlyenin borxhet, kështu që ata i dhanë asaj të drejta mbi minierat. “Fakti që aristokracia e lartë nuk ishte aq e aftë në biznes, shkonte në avantazh të familjes Fugger”, thotë Kluger.
Sipas Greg Steinmetz arsyeja pse Fugger nuk u shfuqizua nga huamarrësit e tij të fuqishëm, ose përse ata nuk refuzuan t`ia shlyenin atij kreditë, ishte “talenti i madh i Fugger: Ai e dinte se duhej të bëhej i domosdoshëm për të mbijetuar. Ai duhej të ishte personi i vetëm, tek i cili mund të drejtoheshin perandorët dhe princat, kur kishin nevojë urgjente për para. Perandori Maksimilian bënte vazhdimisht luftëra. Atij i duhej të paguante mercenarët, të cilët përndryshe do të ktheheshin në fshatrat e tyre dhe nuk do të luftonin për të”, thotë Steinmetz. “Dhe i vetmi, që mund t’i siguronte Maksimilianit shpejt paratë kur i nevojiteshin, ishte Fugger”.
Trashëgimia e Fugger-it
Si bankier Fugger revolucionarizoi kredinë, duke e bindur Papën të lehtësonte ndalimin nga kisha të fajdesë. Marrja e interesit nga të krishterët nuk u sanksionua më automatikisht. Arsyeja ishte e thjeshtë: “Nëse lexoni burimet përfshirë ato nga Vatikani, nuk është sekret që edhe Papa preferonte të nxirrte fitimet më të larta të mundshme”, u shpreh historiani i ekonomisë Lars Bërner në radion Deutschlandfunk.
Në këmbim Fugger mori një pjesë të të ardhurave të klerit, përfshirë shitjen kontroverse të indulgjencave, të cilat financuan kishën e shën Pjetrit në Romë dhe e shtynë Martin Luterin të ndërmerrte veprime. “Mund të debatojmë rreth asaj se si i modernizoi financat, si u mundësoi njerëzve të merrnin para hua me kamatë, si i ndihmoi Habsburgët të pushtonin gjysmën e botës, si e shkaktoi pa qëllim Reformacionin, duke zemëruar Martin Luterin. Por ajo që mbahet mend natyrisht, është projekti i tij i strehimit në Augsburg: Pa Fuggerei ( një lagje me ndërtesa sociale në Augsburg) askush përveç historianëve nuk do të fliste për Fugger, sepse ky ishte projekti i parë i strehimit social në botë”, thekson Steinmetz.
Fuggerei ekziston edhe sot. Banorët paguajnë nominalisht të njëjtën qira si para 500 vjetësh dhe apartamentet konsiderohen si model i strehimit social. Njerëz nga e gjithë bota vizitojnë kompleksin, ndoshta simboli më i dukshëm i trashëgimisë së Fugger.
Pasurinë e Fugger historianët e vlerësojnë të ketë qenë ndërmjet 300 deri në 400 miliardë dollarë amerikanë. Në varësi të llogaritjes ajo përbënte ndërmjet dy dhe dhjetë përqind të prodhimit ekonomik të Evropës të asaj kohe duke qenë kështu më shumë se pasuria e super të pasurve të sotëm si Elon Musk apo Jeff Bezos në raport me prodhimin ekonomik të SHBA. Për më tepër pasuria e tyre luhatet ndjeshëm në varësi të çmimit të aksioneve të kompanive të tyre në bursa. Ngjashëm me Jakob Fugger, Bill Gates, që dikur ishte vetë personi më i pasur në botë, po punon për trashëgiminë e tij me një fondacion. Megjithatë, thotë historiani i biznesit Boris Gehlen në intervistë me DW, miliarderët e sotëm kanë më pak rëndësi historike afatgjatë: “Trashëgimia e tyre nuk do të jetë aq e madhe sa ajo e Fugger”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.