Si ta shohim Inteligjencën Artificiale?! - Business Magazine Albania

Si ta shohim Inteligjencën Artificiale?!

Si ta shohim Inteligjencën Artificiale?!

Shfaqja në ekranin e lajmeve të Euronews.al, e spikeres së prodhuar nga inteligjenca artificiale ngjalli diskutime, mbi të gjitha për rrezikun e vendeve të punës. Më tej, mungesa ose jo e emocioneve ishte një temë tjetër debati. Vendi ndodhet në kushtet kur shumë kompani kërkojnë punonjës, por nga ana tjetër, aftësia e sipërmarrjeve dhe institucioneve për të investuar në teknologji mbetet e ulët. A duhet të kemi frikë nga inteligjenca artificiale? A rrezikohen vendet tona të punës dhe siguria e informacionit? Për këtë kemi zhvilluar një intervistë me Hatixhe Bilibashi, themeluese e STEM Hub Albania dhe e Albanian ICT Academy.

Së fundi, një spikere AI ka prezantuar lajmet në Euronews.al. A mund të na thoni cilat janë kushtet tona për të investuar në projekte të tilla?

Shqipëria është ende shumë herët për t’i zëvëndësuar profesionistët nga AI. Duhen shumë faktorë bashkë për të arritur në përdorimin masiv të Inteligjencës Artificiale. Duhet shumë investime, që nga krijimi dhe mirëmbajtja e software-ëve të tillë.

Në Shqipëri kemi dy realitete, në njërën anë tentativë për teknologji shumë të zhvilluara dhe në anën tjetër, një pjesë e mirë e kompanive përdorin teknologji shumë të vjetra, si hardware dhe software.  Euronews.al duhet përgëzuar për këtë inovacion, që e bëri të prekshëm dhe për Shqipërinë. Uroj të kemi sa më shumë kompani që të sjellin teknologji në të tilla nivele, jo vetëm në media, por në çdo fushë; mjekësi, edukim, industri të ndryshme dhe pse nuk kemi shumë industri në vendin tonë. Inovacioni është një fushë që kërkon kulturën e duhur për t’u aplikuar dhe sjell zhvillimin e një vendi në shumë drejtime.

Nëse ia dalim të investojmë, a do të përbënte vërtetë rrezik për profesionistët?

Inteligjenca Artificiale nuk përbën aspak rrezik për profesionistët e vërtetë, por e bën punën më të lehtë dhe më komode. U jep mundësi të optimizojnë kohën për një punë më cilësore. Në vendet e zhvilluara, mjekët, nëpërmjet  inteligjencës artificiale, kanë realizuar kirurgji shumë sensitive. Robotët shoqërojnë pacientët me aftësi të kufizuara për shërbime personale, ose përdorimi i inteligjencës artificiale në edukim, janë disa nga treguesit se sa zhvillim po sjell inteligjenca artificiale.

Profesionisti nuk rrezikohet në asnjë moment. Inteligjenca artificiale sot ndërton dhe programe e aplikacione të plota, por kjo nuk e rrezikon punën e një programuesi profesionist, ashtu si nuk rrezikohet profesioni i mjekut, gazetarit apo mësuesit.

Le të shikojmë përfitimet e inteligjencës artificiale dhe të përshtatemi dhe aftësojmë të rinjtë për përdorimin e saj.

Rrezikun më të madh e sjellin njerëzit, në mënyren se si do të përdorin inteligjencën artificiale. Paralelisht me çdo zhvillim, ka ecur e mira dhe e keqja. Shoqëria duhet të edukohet me përdorimin pozitiv të këtyre teknologjive, si gjithçka tjetër që na rrethon në realitetin tonë të përditshëm. Nuk duhet të fajësojmë inteligjencën artificiale për atë që mbart njerëzimi.

Kohët e fundit shumë kompani po vuajnë për punonjës. Nëse mund të na vlejë AI në këtë drejtim, nga duhet t’ia nisim?

Ka disa profesione sot që nuk arrijnë të mbulohen me profesionistë në të gjithë botën. Kjo për disa arsye, siç është lëvizja e lirë dhe e drejta e secilit prej nesh të zgjedhë ku do të jetojë si dhe zgjedhja e profesioneve sa më komode. Brezat e rinj kanë lindur në momentet kur teknologjia ka qenë shumë e zhvilluar.

Si treg i vogël dhe si vend i vogël, por me shumë resurse që Zoti na ka bekuar për t’i shfrytëzuar, ne duhet të punojmë shumë me të rinjtë në zhvillimin e karrierës. Orientimi dhe përgatitja e të rinjve për atë që tregu ka nevojë më shumë, do t’ju sjellë një punësim më të sigurt dhe të mirëpaguar. Aty ku nuk mundemi me profesionistë, patjetër inteligjenca artificiale është një opsion shumë i mirë për t’u përdorur.

Ku duhet të fokusohemi në punët që mund të sigurojnë vlerë të shtuar dhe të vlejnë për njerëzit?

Profesionet në fushën e teknologjisë: Inxhinierët Software, CyberSecurity, GameDevelopment, Inteligjenca Artificiale etj. Kemi dhe shumë fusha të tjera që nuk i zëvendëson asnjëherë inteligjenca artificiale apo teknologjia si mjekësia, arti, studimet shkencore, industritë e ndryshme, energjia e rinovueshme dhe mjedisi, menaxher projektesh, menaxher shitjesh, gjithçka që lidhet me kreativitetin, etj.

Në krijimin e përmbajtjes online, ka një diskutim të madh. Disa media ndërkombëtare nuk i japin akses ChatGPT në infot e tyre. Çfarë komenti keni për këtë?

Ndoshta shumë shtete nuk janë gati akoma për monitorimin e ChatGPT, ashtu si dhe Shqipëria.

Për ruajtjen e pronësisë intelektuale duhen ngritur politikat e duhura të sigurisë dhe mbrojtjes së informacionit. Jetojmë në epokën digjitale dhe teknologjia po merr zhvillim me përmasa gjigande. Me të njëjtin hap duhet të zhvillohen dhe rregullatorët dhe politikat e duhura për mirëfunksionimin e inteligjencës artificiale. 

Nisur nga fakti se qendra juaj është fokusuar në fushën e teknologjisë, cfarë mund të na thoni në drejtimin e edukimit IT tek të rinjtë? Si t’i orientojmë ato më mirë? Çfarë duhet të bëjnë shkollat publike?

Albanian ICT Academy është e fokusuar në edukimin e fëmijëve, të rinjve dhe profesionistëve në ICT.  Është shumë e rëndësishme të kthehet vëmendja në edukimin cilësor dhe të studiohet nevoja që tregu ka. Nevojitet studim i tregut për mundësitë e punësimit, orientimi i të rinjve në profesionet më të kërkuara për tregun shqiptar dhe ndërkombëtar dhe përmirësimi i kurrikulave dhe metodologjive të mësimdhënies.

Me sistemin tonë arsimor duhet të profilizojmë të rinjtë sipas prirjeve që kanë në studimet e tyre. Kjo mund të fillojë të aplikohet që sistemin arsimor 9-vjeçar, siç e kanë shumë vende të zhvilluara. Dikush që është talent në art nuk mund të zgjedhë programimin, thjesht sepse është më i paguar si profesion, sepse i heq mundësinë vetes për një sukses të sigurt në atë që ka talent dhe njekohësisht nuk siguron sukses në fushën e programimit që zgjedh, sepse nuk është pikë e fortë për të. Të identifikojmë talentin e të rinjve dhe të investojmë në të, është suksesi më i madh i një sistemi arsimor për të ardhmen.

Le të flasim për AI, por ndërkohë shumë vende nuk kanë as akses në internet? Cili do të ishte sygjerimi/kërkesa juaj për qeverinë?

Aktualisht qeveria e ka në fokus teknologjinë, duke mbështetur të rinjtë me bursa 50% ose 100% punëkërkuesit e papunë për kurset profesionale të programimit që ne ofrojmë. Gjtihashtu, ka filluar kodimin në disa shkolla që në moshë të hershme.

Përtej këtyre dhe sa po bëhen për teknologjinë një kërkesë emergjente është infrastruktura e duhur në të gjitha shkollat dhe në zonat më të thella në Shqipëri, përgatitja e literaturave të duhura në gjuhën shqipe, trajnimet e mësuesve me aftësitë e duhura për këto aftësi. Kjo do të sjellë përgatitje të të rinjve me kompetencat e duhura digjitale, sepse kemi shumë fëmije e të rinj në Shqipëri, të cilët mund të mbajnë në dorë teknologjitë më të fundit, por këto teknologji i përdorin vetëm për foto apo mediat sociale.

Gjithashtu, të fillojë sa më shpejt puna nga ekpertë për përgatitjen e politikave të duhura për inteligjencën artificiale, robotikën dhe sigurinë digjitale.

Cilat janë projektet/planet tuaj në Albanian ICT Academy?

Albanian ICT Academy është dalluar si pionere e projekteve inovative në edukim për teknologjinë e informacionit. Lista e projekteve është shumë e gjatë. Me zhvillimin e teknologjisë dhe ne rritemi e zhvillohemi përditë dhe më shumë.

Ne kemi zhvilluar për herë të parë përpara rreth 10 vitesh kurrikulat e avancuara për fëmijë në fushën e ICT (Kodim, Robotikë, Teknologjitë 3D, cybersecurity. etj) dhe kurset profesionale “Ready to Work” për të gjithë të rinjtë e profesionistët, ku 80% e pjesëmarrësve që ndjekin këto kurse arrijnë të punësohen në tregun kombëtar dhe ndërkombëtar.  

Listojmë shumë projekte, por po përmend disa më shumë vlerë: NASA Space Apps Challenge, ku çdo vit rreth 50 të rinjtë nga Shqipëria janë pjesë e kësaj maratone globale me rreth 50000. Për herë të parë sjellë nga Komisioni Europian, zhvillohet Albania CodeWeek Hakcathon, në kuadër të maratonës EU CodeWeek, ku nga 50 shtete janë përzgjedhur vetëm 6 shtete, si pjesë e Hackathon, në mesin e tyre dhe Shqipëria. Javën e parë të Nëntorit do të jemi në Slloveni me përfaqësimin e të rinjve në BOI- Olimpiadën Ballkanike të Informatikës dhe njëkohesisht në Maqedoni me JBOI- Olimpiada Ballkanike e Informatikës për Fëmijë dhe vitin e ardhshëm përqafojmë Olimpiadën Ndërkombëtare të Informatikës, e cila mbahet në Egjipt. Gjithashtu, jemi pjesë e ROES – Shoqatës Europiane të Robotikës, ku do të përfaqësohemi në vitin e ardhshëm në maratonën e Robotikës Junior.

Fokus të veçantë kemi për “Vajzat në ICT dhe STEM”, të cilat trajtohen çdo vit me një mbështetje të veçantë, duke u zhvilluar sa më shumë si profesionistë në këtë fushë.

Nuk heqim dorë nga teknologjitë e reja dhe jemi duke punuar me një projekt për inteligjencën artificiale.

Artikulli u publikua më parë në faqen 60 të numrit 33 të revistës Business Magazine Albania. Ju mund të abonoheni dhe të Shfletoni Këtu nr. 33 të saj.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0