Shkruar nga Anisa Tahiri, Psikologe
A e keni menduar ndonjëherë pse shkojmë në panik kur nuk kemi pranë telefonin? Pse ia ndjejmë kaq shumë mungesën? Pse instiktet tona të para janë ta kërkojmë nëpër xhepa, në çantë, e të mendojmë se ku e kemi lënë? Pse ndihemi në ankth kur nuk e kemi telefonin me vete? Po sikur dikush të na telefonojë dhe ne të mos kemi mundësinë të përgjigjemi në moment?
Një hulumtim tejet interesant i publikuar së fundi nga shkencëtarët në Universitetin e Floridas, Oklahomës dhe Indianës në SHBA, ka arritur në përfundimin se individët e “vuajnë” fizikisht dhe emocionalisht, largimin nga Iphone i tyre. Pyetja kryesore që studiuesit ngritën në këtë studim ishte: ndërkohë që ne po merremi me diçka të rëndësishme dhe nuk gjendemi afër Iphone-it, çfarë ndodh kur dëgjojmë zilen dhe kuptojmë se dikush po na telefonon? Sa e përjetojmë këtë pamundësi për t’u përgjigjur në telefon, pikërisht në atë çast?
Shkencëtarët zhvilluan një eksperiment për të parë sesi ndikonte “ndarja” e përkohshme e individit nga telefoni. Fillimisht pjesëmarrësit u paraqitën në laborator dhe në krahun e tyre të majtë iu vendos matësi i pulsit të zemrës, të cilin ata nuk duhej ta hiqnin deri në përfundimin e eksperimentit. Kështu për çdo pjesëmarrës u mat tensioni i gjakut dhe numri i rrahjeve për minutë (BPM). Arsyeja që u matën këto dy parametra është se në një situatë rreziku/alarmi, hormoni i adrenalinës dhe kortizolit shkakton rritjen e numrit të rrahjeve të zemrës dhe ngushton enët e gjakut; si pasojë rritet tensioni i gjakut. Më pas, pjesëmarrësve iu kërkua që të plotësonin një puzzle ku të gjenin emrat e shteteve të SHBA. Pas 5 minutave që pjesëmarresit u munduan t’i gjenin, ata u lajmëruan nga studiuesit që smartphone i tyre po interferonte me sinjalin e matësit të pulsit dhe tensionit të gjakut, ndaj për arsye të eksperimentit ata duhej ta dorëzonin Iphone-in e tyre, për ta larguar atë. Sigurisht që kjo nuk ishte e vërtete, telefoni i tyre nuk po interferonte me matësin, por studiuesve për qëllime eksperimentale iu desh t’u thonin pjesëmarrësve kështu. Pas largimit të telefonit disa metra më tutje, pjesëmarrësit vazhduan të plotësojnë një tjetër puzzle, por ndërkohë që e plotësonin, studiuesit i telefonuan pjesëmarrësit dhe zilja e telefonit të tyre kumbonte dhe pjesëmarrësit dëgjonin që dikush po i telefononte por për shkak se ishin në eksperiment, nuk mund të ngriheshin dhe të merrnin Iphone-in në dorë e të përgjigjeshin.
Por le të rikthehemi te pyetja kryesore. Çfarë ndjenë këta pjesëmarrës?
Duhet thënë se rezultatet e eksperimentit ishin mbresëlënëse dhe patën një jehonë të gjerë në botën akademike. Analiza e të dhënave tregoi që pamundësia për t’iu përgjigjur telefonit, kishte rritur rrahjet e zemrës dhe tensionin e gjakut, në masë të konsiderueshme tek pjesëmarrësit. Për më tepër, sa më shumë të ishin tensionuar këta individë nga largimi nga telefoni, aq më pak fjalë kishin gjetur në puzzle, pra performanca e tyre kishte pësuar ulje sepse ishin fokusuar tek zilja e telefonit. Gjatë “ndarjes” nga Iphone, dhe pamundësisë për t’u përgjigjur, pjesëmarrësit raportuan pakënaqësi dhe mbi të gjitha ndjenja ankthi! Kur pjesëmarresit “u ribashkuan” me Iphone-t e tyre, pulsi dhe tensioni i gjakut u normalizua dhe performanca e tyre në gjetjen e puzzle, u rrit ndjeshëm.
Dukshëm ndarja nga Iphone kishte ndikuar fizikisht me rritjen e rrahjeve të zemrës, kishte ndikuar duke ulur performancën në gjetjen e puzzle dhe kishte ndikuar emocionalisht duke rritur ndjenjat e ankthit.
Natyrshëm lind pyetja: pse ne ndikohemi kaq shumë, kur jemi larg Iphone-ve? Shkencetarët kanë hedhur hipotezën se, tashme ne e konsiderojmë telefonin personal si pjesë të trupit, si zgjatim të vetvetes, si zgjatim të trupit tonë!
Padyshim efektet që teknologjia ka pasur tek ne janë të shumta dhe shkencëtarët po punojnë dita ditës për t’i kuptuar ato. Duhet pranuar gjithashtu se sa më shumë që individët i përvetësojnë objektet, aq më me rëndësi bëhet ky fakt për bizneset, për arsye se parashikimi i sjelljes së konsumatorit sjell fitime të majme. Kështu bizneset duhet të mendojnë se për çfarë shpenzon më shumë ky konsumator që e sheh telefonin si pjesë të trupit dhe kujdeset për të ndoshta pothuajse njësoj siç kujdeset për gjymtyrët e veta?
Studimi i referuar: Clayton, R.B., Leshner, G., Almond, A., 2015. The extended iSelf: the impact of iPhone separation on cognition, emotion, and physiology. J. Comput.-Mediat. Commun. 20,119–135.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.