Si mund të udhëheqë Amerika epokën e re të inovacionit digjital? - Business Magazine Albania

Si mund të udhëheqë Amerika epokën e re të inovacionit digjital?

Si mund të udhëheqë Amerika epokën e re të inovacionit digjital?

Dy sistemet operative, Apple iOS dhe Google Android, dominojnë ekosistemin e aplikacioneve mobile. Gjatë dekadës së fundit, është krijuar një konsensus i gjerë në mbarë botën mbi dy çështje:

  1. Këto platforma kanë grumbulluar një fuqi të madhe tregu, të qëndrueshme dhe të përdorur shpesh për të nxjerrë fitime monopoliste, duke vepruar shpesh në mënyrë anti-konkurruese.

  2. Zbatimi tradicional i ligjeve ekzistuese kundër abuzimit me pozitën dominuese ka qenë tepër i ngadaltë dhe i pasigurt për të penguar këto gjigantë, të cilët tashmë kanë burime dhe fuqi më të mëdha se shumë shtete e qeveri.

Megjithëse ligjet e konkurrencës kanë sjellë disa raste të rëndësishme në SHBA, Europë, Brazil dhe vende të tjera, në shumë shtete janë hedhur hapa të rinj ligjorë për të kufizuar abuzimet e kompanive të mëdha teknologjike.

Edhe në SHBA pati mbështetje dypartiake për Ligjin për Tregjet e Hapura të Aplikacioneve (Open App Markets Act) në vitin 2022. Ligji u miratua nga Komiteti i Senatit për Drejtësi me një rezultat mbresëlënës 20-2, por nuk iu dha asnjëherë votë në seancë plenare, për shkak të prioriteteve të udhëheqjes së Senatit. Sot nevoja për një ligj të tillë është edhe më e dukshme. Konsumatorët dhe bizneset amerikane vazhdojnë të vuajnë nga praktikat e padrejta të “portierëve dixhitalë”, të cilët vendosin tarifa të tepruara, shkatërrojnë konkurentët dhe modelet e tyre të biznesit, apo i bllokojnë aplikacionet e reja në mënyrë arbitrare.

Pa konkurrencë reale, zhvilluesit e pavarur dhe sipërmarrësit e rinj nuk mund të rriten, të krijojnë vende pune apo të sjellin përfitime për konsumatorët. Vendet që do ta kuptojnë dhe do të veprojnë shpejt në këtë drejtim, do të bëhen destinacionet kryesore për investime në inovacion dixhital. Historia e ka treguar këtë më parë: dekada më parë, ishte Silicon Valley që përkrahu ndjekjen ligjore ndaj Microsoft-it, i cili kontrollonte aksesin në internet përmes Windows. Falë ndërhyrjes së Departamentit Amerikan të Drejtësisë, shumë kompani të reja patën mundësi të lulëzojnë,  përfshirë Apple dhe Google. A do të kishin ekzistuar këto kompani sot, nëse Microsoft do të kishte marrë 30% të të ardhurave të tyre apo do t’i kishte penguar drejtpërdrejt në PC? Shumë gjasa jo.

Lexo edhe: Për herë të parë, gjysmëfinalja e ‘Startup World Cup’ në Tiranë, ja ku të aplikoni

Sot rolet janë përmbysur. Janë pikërisht Apple dhe Google që kontrollojnë pajisjet mobile – mënyra kryesore se si konsumatorët hyjnë në internet. Nëse duam një valë të re inovacioni, investimesh dhe rritjeje biznesi si ajo e dy dekadave të fundit, duhet të përballemi me këtë fuqi të përqendruar tregu. Përfitimet do të ishin gjigante: siç ndodhi me valën e kompanive që u rritën pas gjyqit ndaj Microsoft-it, edhe tani vendet që do të marrin udhëheqjen do të tërheqin bizneset më inovative. Alternativa? Të mbetemi të varur pafundësisht nga dy prej kompanive më të mëdha në historinë e njerëzimit, të cilat nuk e përdorin pushtetin e tyre për inovacion, por vetëm për të mbrojtur interesat financiare.

Ndërkohë që vendet e tjera po veprojnë, SHBA duhet të marrë rolin udhëheqës, jo të presë gjyqe të gjata e të pasigurta që mund të zgjasin një dekadë. Nevojitet ligj i ri që t’u japë të gjitha bizneseve mundësinë të konkurrojnë mbi bazën e meritës, jo mbi bazën e lidhjes me gjigantët ekzistues.

Ligji për Tregjet e Hapura të Aplikacioneve do të sillte:

  • çmime më të ulëta për konsumatorët,

  • më shumë zgjedhje dhe inovacione,

  • një platformë të hapur ku çdo zhvillues apo sipërmarrës ka shans të barabartë.

Ky ligj nuk do të lejonte që Apple dhe Google të zgjedhin fituesit dhe humbësit në internetin mobil, apo të vendosin tarifa shfrytëzuese për çdo biznes. Përkundrazi, do ta hapte tregun për të gjithë. Shumë njerëz ndoshta as nuk e kuptojnë çfarë po humbasin, ngaqë janë mësuar me dominimin e këtyre dy kompanive. Por sot, Amerika (dhe bota) ka një zgjedhje të qartë:

  • të çlirojë valën e re të rritjes dhe inovacionit, ose

  • të mbetet nën kontrollin e pak kompanive gjigante që kujdesen vetëm për të ardhurat e tyre.

Gene Burrus është avokat i specializuar në ligjin e konkurrencës.

Project Syndicate, 2025
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0