Nga Pinelopi Koujianou Goldberg- Përparimi i shpejtë i modeleve të mëdha gjuhësore (LLM) gjatë dy viteve të fundit ka shtyrë disa të mendojnë se inteligjenca artificiale së shpejti do ta bëjë arsimin universitar, veçanërisht në shkencat humane, të panevojshëm. Sipas këtij këndvështrimi, të rinjtë do të ishin më mirë po të anashkalonin universitetin dhe të mësonin drejtpërdrejt në tregun e punës.
Unë nuk jam aspak dakord me këtë ide.
Mësimi përmes përvojës praktike ka qenë gjithmonë i vlefshëm. Por ai funksionon më së miri vetëm kur individët kanë një ide të qartë se cilat profesione dhe aftësi do të jenë të kërkuara. Dhe nëse ka diçka për të cilën mund të jemi të sigurt sot, është fakti se e ardhmja e punës është thellësisht e pasigurt. Këshillimi i të rinjve për të hequr dorë nga arsimi i lartë në favor të hyrjes së hershme në tregun e punës është, në rastin më të mirë, i gabuar.
Geoffrey Hinton, një nga pionierët e inteligjencës artificiale moderne, e ka krahasuar zhvillimin e kësaj fushe me lëvizjen në “mjegull”: mund të shohësh çfarë ke përpara, por jo çfarë vjen më pas. Pikërisht këtu qëndron sfida kryesore e edukatorëve sot: të përgatisin studentët të funksionojnë në kushte pasigurie. Zgjidhja nuk është t’i trajnojmë për detyra specifike që mund të bëhen shpejt të vjetruara, por t’i bëjmë sa më të përshtatshëm dhe fleksibël. Përgatitja për një grup të fiksuar sfidash, në një botë që ndryshon vazhdimisht, është një strategji humbëse. Ne kemi nevojë për “drejtues” të aftë të lundrojnë në rrugë të panjohura dhe të përballen me pengesa të paparashikuara.
Nga ky këndvështrim, arsimi, dhe veçanërisht arsimi i lartë – është më i rëndësishëm se kurrë. Meqë nuk e dimë cilat aftësi specifike do të kërkohen nesër, kthimi te themelet është thelbësor. Arsimi liberal nuk fokusohet te “çfarë të bësh”, por te si të mendosh. Ai u mëson studentëve të arsyetojnë, të lexojnë me vëmendje, të shkruajnë qartë dhe të vlerësojnë provat. Këto aftësi i rezistojnë kohës shumë më mirë sesa kompetencat teknike të ngushta.
Kjo nuk do të thotë të injorojmë teknologjinë. Përkundrazi, studentët duhet të mësojnë të punojnë me AI. Por qëllimi nuk duhet të jetë t’i kthejmë në konsumatorë pasivë të mjeteve digjitale, por përdorues kritikë dhe gjykues të informuar. Mësimi i matematikës bazë, logjikës dhe arsyetimit mbetet thelbësor; po ashtu angazhimi me tekste themelore dhe kuptimi i mënyrës se si ndërtohen dhe testohen argumentet. Janë pikërisht këto aftësi që u mundësojnë individëve të ecin përpara teknologjisë që ndryshon me shpejtësi.
Ky realitet ngre dy pyetje praktike: çfarë duhet të mësojmë dhe si duhet ta mësojmë?
Pyetja e parë është e vështirë dhe do të vazhdojë të debatohet. Edhe pse ekziston një konsensus i gjerë mbi rëndësinë e koncepteve bazë, detajet do të ndryshojnë me kalimin e kohës. Përvoja jonë me teknologjitë e mëparshme na ofron udhëzime të vlefshme. Futja e kalkulatorëve dhe kompjuterëve nuk e eliminoi nevojën për të mësuar aritmetikë. Nxënësit ende mësojnë si funksionojnë llogaritjet, por procesi i lodhshëm manual i është deleguar makinave. E njëjta gjë vlen për drejtshkrimin dhe gramatikën: ato mbeten të rëndësishme, por softuerët kanë zëvendësuar ushtrimet e pafundme.
Inteligjenca artificiale kërkon një përshtatje të ngjashme në shumë fusha. Modelet gjuhësore tashmë janë shumë të afta në përmbledhjen e teksteve apo identifikimin e ideve kryesore – ushtrime që për dekada kanë qenë shtylla të arsimit. E njëjta gjë po ndodh me programimin, zgjidhjen e problemeve sasiore dhe madje edhe me hartimin e teksteve. Këto aktivitete nuk duhet të zhduken nga kurrikula, por fokusi duhet të zhvendoset nga ekzekutimi te kuptimi. Studentët duhet të kuptojnë logjikën dhe konceptet themelore, jo domosdoshmërisht çdo hap teknik.
Studentët që do të kenë sukses në të ardhmen janë ata që dinë të përdorin mjetet e AI-së për të arritur qëllime të qarta. Njësoj si në menaxhim: suksesi varet nga vendosja e prioriteteve, struktura e problemeve dhe përdorimi i mençur i burimeve në dispozicion. Këto janë aftësi konceptuale, jo teknike të ngushta.
Lexo edhe: SHBA prezanton planet për “Gazën e Re” me rrokaqiej, porte dhe zona turistike
Pyetja e dytë lidhet me mënyrën se si përforcohet dhe vlerësohet të nxënit. Kuptimi kërkon praktikë, por AI e bën më të lehtë se kurrë shmangien e punës reale. Edhe studentët më të motivuar mund të tundohen të “shkurtojnë rrugën”, sidomos nën presion kohe. Për këtë arsye, vlerësimi duhet të ndryshojë rrënjësisht. Ese të marra në shtëpi, detyra pa mbikëqyrje dhe provime online po humbasin efektivitetin. Ato duhet të zëvendësohen me kuice dhe provime në klasë, vlerësime gojore dhe zgjidhje problemesh në kohë reale, qoftë në letër apo në tabelë.
Këto ndryshime kanë pasoja të thella. Ato kërkojnë prani fizike, klasa më të vogla dhe më shumë ndërveprim mes studentëve dhe pedagogëve. Në shumë aspekte, kjo do të përfaqësonte një kthim te modelet më të vjetra të mësimdhënies, duke përmbysur standardizimin dhe shkallëzimin që sollën teknologjitë e mëparshme. Madje, mund të hapë rrugën për një epokë të re të artë të arsimit liberal.
Por ky model sjell edhe shqetësime serioze. Ai rrit përgjegjësinë e pedagogëve, të cilët duhet të zbatojnë standarde të forta dhe të marrin vendime të vështira. Institucionet duhet t’i mbështesin në këtë proces. Njëkohësisht, vlerësimi përmes ndërveprimit personal ngre shqetësime legjitime për paragjykim. Provimet e standardizuara kanë mangësitë e tyre, por paragjykimet janë të dukshme. Vlerësimi subjektiv përmes provimeve gojore mund të jetë më pak transparent.
Sfida më e madhe, megjithatë, lidhet me pabarazinë. Arsimi me klasa të vogla dhe qasje të personalizuar është i kushtueshëm. Institucionet elitare mund ta përballojnë, por universitetet e mëdha publike do ta kenë shumë më të vështirë. Ashtu si mësimi online gjatë pandemisë që thelloi hendekun arsimor, një zhvendosje drejt mësimdhënies intensive në prani fizike, e nxitur nga AI, rrezikon të dëmtojë ata që varen më shumë nga arsimi publik.
Disa pretendojnë se vetë AI do ta zëvendësojë arsimin formal, duke ofruar informacion dhe udhëzime të personalizuara sipas kërkesës. Por kjo supozon se përdoruesit dinë çfarë të pyesin dhe si t’i interpretojnë përgjigjet. Individët më të talentuar ose më të motivuar mund të lulëzojnë në këtë mjedis, por ata do të kishin sukses gjithsesi. Arsimi formal ka rëndësi më së shumti për shumicën e gjerë të shoqërisë.
Nëse duam që AI të sjellë përfitime reale për shoqërinë, na duhet më shumë, jo më pak, investim në arsim. AI do të zhdukë disa vende pune, por do të krijojë edhe të reja. Arsimi duhet të jetë një nga sektorët që zgjerohet. Meqë AI po bëhet gjithnjë e më i aksesueshëm, cilësia e arsimit do të varet gjithnjë e më pak nga qasja dhe gjithnjë e më shumë nga pritshmëritë dhe zbatimi i standardeve. Klasat më të vogla, më shumë pedagogë dhe ndërveprim më i madh personal janë të kushtueshme – por përfitimet e produktivitetit që premton AI i bëjnë këto investime jo vetëm të mundshme, por edhe të domosdoshme.
Pinelopi Koujianou Goldberg, ish-kryeekonomiste e Grupit të Bankës Botërore dhe ish-redaktore kryesore (Editor-in-Chief) e American Economic Review, është Profesore e Ekonomisë në Yale University.
© Project Syndicate, 2026
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto