Si ky 26-vjeçar shpëtoi një startup të pasurive të paluajtshme dhe siguroi 58 milionë dollarë nga Google Ventures - Business Magazine Albania

Si ky 26-vjeçar shpëtoi një startup të pasurive të paluajtshme dhe siguroi 58 milionë dollarë nga Google Ventures

Si ky 26-vjeçar shpëtoi një startup të pasurive të paluajtshme dhe siguroi 58 milionë dollarë nga Google Ventures

Vetëm dy vite pasi Din Bisevac iu bashkua startup-it gjerman të pasurive të paluajtshme Buena si dizajner produkti, kompania, e fokusuar fillimisht në marrjen me qira të pronave, kishte shpenzuar 14 milionë dollarë. E ardhmja e saj ishte në pikëpyetje. Por të enjten, Buena shpalli një raund investimi Series A prej 58 milionë dollarësh të udhëhequr nga Google Ventures, me mbështetje nga 20VC dhe Stride. Ky është financimi i parë që nga momenti kur Bisevac mori drejtimin si CEO në vitin 2021.

“Modeli fillestar i biznesit ishte një lloj arbitrazhi me qiratë. Merrnim apartamente me çmime më të ulëta se tregu dhe përpiqeshim t’i jepnim me qira me çmime më të larta,” tregon për Forbes Bisevac, i cili është përfshirë në listën “Under 30 Europe”. “Vitin e parë e kalova duke ristrukturuar gjithçka, duke arritur një marrëveshje të mirë me investitorët ekzistues dhe duke e orientuar krejtësisht kompaninë në një drejtim të ri.”

Sot, Buena është riformatuar si një kompani softuerike me seli në Berlin, që ofron mjete menaxhimi për pronarët e pasurive të paluajtshme. Platforma bashkëpunon me pronarët për të automatizuar çdo aspekt të procesit—nga listimi i pronave dhe menaxhimi i vizitave, te verifikimi i qiramarrësve dhe koordinimi i mirëmbajtjes, përfshirë edhe planifikimin e shërbimeve të punëtorëve teknikë apo mirëmbajtësve. Deri në qershor, platforma menaxhonte mbi 60,000 apartamente në gjithë Gjermaninë dhe kishte arritur 25 milionë dollarë të ardhura vjetore të përsëritshme (ARR). Shumica e klientëve të Buena janë individë privatë, pronarë të zakonshëm të pallateve, por së fundmi kompania ka nisur bashkëpunimin edhe me investitorë institucionalë që menaxhojnë qindra njësi banimi.

Lexo edhe:Tipari Nr. 1 i njerëzve shumë inteligjentë sipas një neuroshkencëtareje, dhe nuk ka të bëjë me IQ-në

“Menaxhimi i pronave ka një imazh jashtëzakonisht negativ në Gjermani. Cilido pronar apo qiramarrës të pyesësh, të gjithë do të thonë se urrejnë menaxherët e pronave të tyre,” shpjegon Bisevac, duke treguar frymëzimin për këtë drejtim të ri. Megjithatë, me shumë klientë që janë mësuar me mënyrat tradicionale të funksionimit, ai shton: “Nuk paraqitemi si një kompani e teknologjisë në komunikimin me klientët tanë, sepse për ta kjo është diçka shumë abstrakte dhe, për të qenë të sinqertë, nuk ka edhe shumë rëndësi.” Edhe pse u gjend në rolin e CEO-së në mënyrë të papritur, Bisevac nuk është i panjohur me botën e sipërmarrjes. Para se të ekzistonte termi “krijues përmbajtjeje”, ai ishte një ndër yjet më të hershëm të YouTube në Gjermani, ku drejtonte një emision në stilin e Jimmy Fallon. Në moshën nëntëvjeçare, ai kishte krijuar markën e tij të veshjeve, e cila mori popullaritet në mesin e ndjekësve të tij. Pas vendimit të prindërve për ta larguar nga bota e famës online, ai ndërtoi një faqe të Shopify-t për të vazhduar biznesin. Shumë shpejt, një kompani lokale IT e punësoi si dizajner produkti, kur ai ishte vetëm 13 vjeç, dhe më pas filloi shkollimin në shtëpi.

Edhe pse mund të ketë pak keqardhje për tërheqjen nga fama në internet, sidomos duke parë rritjen e fundit të ekonomisë së krijuesve, Bisevac sot po i përdor ato aftësi rrëfimi për të zhvilluar Buena. Qëllimi i tij: ta bëjë pronësinë e pasurive të paluajtshme më të qasshme për brezin e ri, diçka si Robinhood për tregun e pasurive të paluajtshme. “Gjenerata jonë investon në ETF, aksione, kriptovaluta, por na mungon pjesa e investimit në banesa, sepse nuk e dimë si funksionon,” thotë ai. “Vizioni më i gjerë me Buena është të krijojmë një platformë të plotë ku ti vjen për të gjetur apartamentin që të pëlqen, e blen përmes nesh, e financojmë ne, dhe pastaj e menaxhojmë po ne.” Për momentin, fondet e reja do të përdoren për zgjerim në gjithë Gjermaninë, ndërsa hapi i radhës është SHBA-ja, ku tregu i pasurive të paluajtshme vlerësohet në rreth 50 trilionë dollarë.

forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0