Shumë njerëz me IQ të lartë bëjnë këtë gabim në investime - Business Magazine Albania

Shumë njerëz me IQ të lartë bëjnë këtë gabim në investime

Është e natyrshme të mendosh se për të qenë një investitor i mirë duhet të ndërtosh një strategji të ndërlikuar që maksimizon fitimet. Por, sipas Morgan Housel, autor i librit “The Psychology of Money”, një qasje e tillë shpesh të pengon nga fitimet afatgjata.

Në një episod të fundit të podcast-it The Burnouts, Housel tha: “Shumë njerëz që merren me investime, veçanërisht ata shumë të zgjuar … me IQ të lartë, me arsim të lartë, janë të prirur të mendojnë: ‘Le ta bëjmë këtë sa më të komplikuar të jetë e mundur’. Dhe kështu veprojnë. Por kur vjen puna tek investimet, sa më shumë e komplikon, aq më keq do të performosh.” Në vend që të ndjekësh aksione të nxehta apo të përpiqesh të parashikosh tregun, Housel thekson se strategjia më e zgjuar është ta mbash procesin sa më “të thjeshtë, të lehtë dhe ndoshta edhe pak të mërzitshëm” .“Nëse arrin të jesh një investitor mesatar për një periudhë më të gjatë kohe, pra të fitosh mesatarisht aq sa tregon tregu çdo vit për 20 vite, do të dalësh shkëlqyeshëm. Ata që janë të thjeshtë dhe konsistentë për 50 vite, janë ata që fitojnë më shumë,” tha ai.

Lexo edhe: Shqipëria, e fundit në Rajon për produktivitetin e punës

Investimet pasive: zgjedhja më e mençur

Një nga mjetet më të mira për këtë qasje është fondi i indeksit me kosto të ulët, i cili ndjek një tregues si S&P 500 dhe synon të riprodhojë performancën e tij. Kjo strategji, e njohur si investim pasiv, rekomandohet gjerësisht nga ekspertët financiarë. Ben Smith, planifikues financiar i certifikuar dhe themelues i Cove Financial Planning në Wisconsin, thekson se edhe menaxherët më të suksesshëm të fondeve rrallë arrijnë ta mposhtin tregun. Për këtë arsye, investimi për të qenë thjesht “në hap me tregun” është një qasje e mençur dhe pa shumë lodhje. “Unë shpesh u them klientëve të mi me shaka: nëse investimi ju duket argëtues dhe ‘seksi’, ndoshta po e bëni gabim. Investimi duhet të jetë i qetë, i lehtë… nuk ke pse zgjedh aksione individuale dhe të jesh shumë strategjik, sepse kjo zakonisht nuk funksionon për shumicën e njerëzve,” thotë Smith. Statistikat e konfirmojnë: nga janari 2015 deri në dhjetor 2024, vetëm 7% e menaxherëve aktivë të fondeve arritën të tejkalojnë performancën e fondeve pasive, sipas Morningstar.

Çfarë thotë Warren Buffett

Warren Buffett, një nga investitorët më të suksesshëm në botë, ka qenë gjithmonë mbështetës i investimeve pasive. Në një letër për aksionarët në vitin 1993, ai shkruante: “Duke investuar periodikisht në një fond indeksi … investitori i thjeshtë mund të arrijë rezultate më të mira se shumica e profesionistëve të investimeve.” Edhe në një intervistë për CNBC në vitin 2017, Buffett theksoi se shumica e investitorëve nuk duhet të fokusohen në zgjedhjen e “kompanisë së duhur”, por në blerjen konsistente të të gjitha kompanive të mëdha përmes një fondi si S&P 500, në mënyrën më të thjeshtë dhe me kosto sa më të ulët. “Një portofol i diversifikuar me fonde indeksi me kosto të ulët, i mbajtur për sa më gjatë të jetë e mundur, ka kuptimin më të madh pothuajse gjithmonë,” tha Buffett.

Thjeshtësia fiton gjithmonë

Smith pajtohet. Përveçse janë më të lehta për t’u menaxhuar se një koleksion aksionesh individuale, fondet e indeksit dhe ETF-të u lejojnë investitorëve të përfitojnë nga tendenca historike e rritjes së tregut, duke ulur njëkohësisht rrezikun që rënia e një kompanie të vetme të ndikojë negativisht në portofol. Duke zgjedhur një strategji të thjeshtë dhe me pak stres, investitori ka më shumë gjasa të qëndrojë konsistent për një kohë të gjatë. Dhe sipas Housel, kjo është pika më e rëndësishme:  “Pyetja e vërtetë që duhet bërë kur investon nuk është: ‘Cilat janë kthimet më të larta që mund të arrij?’ Por: ‘Cilat janë kthimet që mund të mbaj për periudhën më të gjatë të mundshme?’”

 

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0