Një libër i shkruar për historinë e Hotelit Plaza i kushtonte dy faqe figurës së shqiptarit Paul Nicaj, një artikull në “The New York Times”, kur sapo kishte lënë Plaza-n i kushton një pjesë më vete me nëntitullin “Imprezario” që është “menaxher” në italisht por që në “gjuhën ndërkombëtare” është një “menaxher i nderuar”.
Paul Nicaj, ishte ndër dhjetë njerëzit që u nderuan nga Bashkia e New York-ut për kontributin që kanë dhënë gjatë jetës së tyre që ky qytet më i madhi në botë të jetë mikpritës për miliona turistë e mijëra njerëz të shquar nga e gjithë bota. Çmimi njihet si “Big Apple C.O.R.E. Award”.
Njeriu që hynte pa trokitur në zyrën e Donald Trump-it kur ai zotëronte Plaza-n ka pritur e përcjellë të gjithë udhëheqësit shqiptarë në New York, nga Ramiz Alia te Sali Berisha, e sot është pronar biznesesh e bashkëmenaxhues i kompleksit të madh pranë Riverside Church.
E kush do ta kishte besuar se djaloshi që kishte lindur në Bardhaj një fshat nëMalin e Zi, fare pranë kufirit me Shqipërinë, që ishte rritur në skamje, duke u ushqyer me shëllirën e mbetur nga djathi, do të bëhej organizatori i disa prej banketeve më të pasura të botës, e do të mbikqyrte e kontraktonte për festat e tij disa nga kuzhinat më të famshme e më të shtrenjta të botës.
Gjithçka nisi kur familja, babai Pren Toma dhe nëna Lule Ivezaj, e dërguan në Kroaci me shpresën që të studionte për prift. Paul Nicaj kishte dëgjuar një tjetër “thirrje”.
Në moshën 17 vjeçare, ai provon së pari në Itali e pastaj në Austri për t’u larguar nga Jugosllavia për një jetë më të mirë në Perëndim. Pas një viti peripecish mbërrin në New York, ku menjëherë zë një punë “të përkohshme” në Hotelin Plaza si pjatalarës. Në fakt, ai do të qendronte aty për gati 30 vjet, 21 prej të cilëve do të punonte si menaxheri i plotfuqishëm i ceremonive, festave, banketeve dhe restorantit të hotelit. Ishte posti më i lakmuar i profesionistëve të industrisë së organizimit të festave.
Paul ka punuar në atë post për të gjithë pronarët e Hotelit Plaza: nga Hilton te Western Hotel, te Donald Trump, te Prince Alwaleed Bin Talal Bin Abdulaziz Al Saud and Millennium & Copthorne Hotels. Të gjithë e kanë mbajtur atë të palëvizur ndonëse shpesh kanë ndryshuar tërësisht stafin e hotelit.
“Paul Nicaj i ka parë të gjitha”, shkruan Ward Morehouse, në librin e tij “Inside the Plaza: an intimate portrait of the ultimate hotel” (Brenda Plaza-s: një portret intim i hotelit final) të botuar në vitin 2001. “Ai ka biseduar me Mbretin e Marokut si dhe me pasanikë me bluxhinsa dhe flokë të pakrehur… Ai ka bërë festa për 20 vjeçarë dhe për 80 vjeçarë. ‘Njëherë, kam parë një gjyshe që vdiq në mes të dasmës’, tregon ai. ‘Nuk ka vdekje më të bukur se të vdesësh në dasëm. Po është edhe diçka që duhet fshehur. U thashë punëtorëve të mi që ta çojnë në një dhomë dhe dasmorëve u thashë që po pushon. Ishte gjyshja e dhëndrit. Kur më pyeti babai i nuses, i thashë se u lodh pak dhe tani po pushon’”.
Ai tregon në libër edhe histori të tjera nga karriera e tij unike në Hotelin e famshëm.
Paul Nicaj kishte lënë Piaza-n për të filluar biznesin e tij, ndonëse ndërmjet punoi për pak kohë në Pierre Hotel ku e gjeti edhe “The New York Times”, që i dha titullin “Imprezario”.
Duke iu referuar si “Uncle Paul” (Daja Paul) për përvojën e tij të madhe në industri, artikulli tregon se nën drejtimin e tij Hotel Pierre bënte 20 milionë dollarë në vit nga festat që organizonte.
Në vitin 2004, ai filloi duke marrë nën menaxhimin e tij Battery Garden Restaurant. Më pas ai është zgjeruar duke marrë disa nga sallat e restoranteve më të famshme në Florida, Venetian Yacht Club në Long Island etj. Ai ka sot të paktën shtatë hapësira në dispozicion.
“Mua më pëlqen që t’u shërbej njerëzve”, thotë ai gjatë një interviste për gazetën “Illyria”, “për mua nuk është biznes është kënaqësi që ndihmoj në organizimin e festave dhe gëzimeve familjare, shoqërore e të komunitetit.”
Një flamur shqiptar në majë të Plaza-s
Në vitin 1990, kur Shqipëria filloi të hapte dyert për herë të parë, presidenti i atëhershëm komunist Ramiz Alia erdhi dhe qendroi në Hotelin Plaza në New York. Paul Nicaj e pa këtë si një shenjë të madhe se gjërat po ndryshonin edhe për shqiptarët.
Ai i vajti në zyrë Donald Trump-it dhe i tha: “Presidenti nga vendi im vjen në New York për herë të parë. Është presidenti i një vendi të vogël, të varfër e të izoluar, por që tani ndoshta historia e të cilit po ndryshon.”
Trump, gjigandi i pronave të patundshme të New York-ut, u habit se kjo ishte hera e parë që Paul i kishte shkuar në zyrë për një vizitor.
“Shqipëria nuk ka pse paguan në Plaza”, u përgjigj Trump. “Thuaji presidentit se fatura e tij është paguar.”
Pas kësaj, Paul, u interesua për një flamur shqiptar. I sollën një flamur të zakonshëm, po kjo nuk mjaftonte. Në ditën që delegacioni më i lartë zyrtar shqiptar, për herë të parë thyente akullin e historisë dhe vinte në SHBA, mbi Hotelin Plaza valëvitej një flamur gjigand shqiptar, i qëndisur me porosi të Paul Nicajt, nga vetë dekoratori i Hotel Plaza-s. Shqipëria dalëngadalë do të zinte vendin mes kombeve të lira.
Është domethënëse që gati njëzet vjet më vonë, në një nga sallat-restorante nën administrimin e tij, në Battery Garden, ai priti ish kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, njeriun që qeveriste Shqipërinë kur ajo u bë dhe anëtare e NATO-s. Historia vërtet që ka ndryshuar për shqiptarët.
/Shkruar nga Ruben Avxhiu për Illyria
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.