Alban Zusi kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve në këtë vizitë shoqërohej nga biznesmenë që operojnë në fushën e eksporteve të fruta perimeve, turizmit dhe energjitikës.
Në Kiev përfaqësuesit e biznesit shqiptarë zhvilluan një takim me antarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë të Ukrainës nga ku shpalosën se çfarë ofrojnë eksportet shqiptare.
“Prodhimet shqiptare tashmë janë prezente në rajon dhe ne synojmë tregje të reja, pse jo edhe në Ukrainë, vend tek i cili ne shikojmë shumë mundësi bashkëpunimi. Ndërkohë që produktet e prodhura në Ukrainë janë prezente në tregun shqiptar, por përmes ndërmjetësve nga vende të tjera. Ne synojmë një bashkëpunim direkt mes biznesit shqiptar dhe atij ukrainas,” u shpreh Alban Zusi.
Energjitika, shtoi Alban Zusi, është një tjetër fushë ku ne mund të bashkëpunojmë pasi ekspertiza e Ukrainës sidomos në ndërtimin e rrjeteve të gazifikimit është shumë e vlefshme.
Alban Zusi, Kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, e vuri theksin edhe tek potencialet turistike që ofron Shqipëria për qytetarët e Ukrainës.
Ndërsa Mykhailo Nerpan zëvendës president i Dhomës Tregtisë dhe Industrisë të Ukrainës tha se ne jemi prezent në Ballkan me produktet tona dhe se Shqipërinë e shikojmë si një treg të ri që falë këtij bashkëpunimi që nis nga kjo vizitë, të pasojë me lidhjen e kontratave të ndërsjellta.
Pas këtij takimi u vijua me takime të përbashkëta mes përfaqësuesve të biznesit shqiptar dhe atyre ukrainas.
Interesi i shfaqur nga biznesi shqiptar ishte eksporti drejt Ukrainës i fruta perimeve dhe gështenjës, një produkt i panjohur për tregun ukrainas.
Kompani ukrainase shfaqën interes në sjelljen e turistëve në Shqipëri.
Në një prononcim për mediat Alban Zusi, Kreu i Qendrës Shqiptare të Eksporteve, tha:
“Potencialet tona janë të mëdha në drejtim të eksporteve dhe të ndërtimit të një partneriteti bashkëpunimi me përfitim reciprok për bizneset dhe ekonomitë e dy vendeve tona. Fillimisht ne erdhëm me pretendimin modest për të eksportuar produktet bujqësore, të cilat sipas informacioneve tona e arrijnë tregun ukrainas, por përmes ndërmjetësve ballkanik dhe për të tërhequr turistë nga Ukraina në bregdetin tonë. Gjatë këtij aktiviteti ne kuptuam se ka edhe shumë potenciale të tjera bashkëpunimi qoftë në industrinë përpunuese, në teknologjinë e informatikës, energjitikë, minerale dhe në shumë sfera të tjera të cilat ne po i eksplorojmë me shumë interes”.
Mykhailo Nerpan zëvendës president i Dhomës Tregtisë dhe Industrisë të Ukrainës në prononcimin e tij deklaroi:
“Më pëlqen të takohem më shumë me njerëz të botës së biznesit se sa me politikanë apo zyrtarë të lartë qeveritarë. E thashë këtë pasi me biznesmenë objektivat e bisedës dhe qëllimeve janë të qarta. Me përfaqësuesit e biznesit shqiptar diskutuam për mundësinë e bashkëpunimit në fushat e energjetikës, infrastrukturës së gazit dhe fushën e IT. Gjithashtu shprehëm gatishmërinë tonë në eksportin e sheqerit dhe grurit drejt Shqipërisë”.
Drejtues dhe anëtarë nga Qendra Shqiptare e Eksporteve udhëtuan drejt rajonit të Donetskut, i përfshirë nga një konflikt me Rusinë. Kjo situatë lufte nuk i frenoi përfaqësuesit e biznesit shqiptar për t’u takuar në qytetin Kramatorsk me përfaqësuesit dhe anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut.
Elvira Sevostianenko, presidente Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut, e quajti vizitën e bizneseve shqiptare në këtë rajon të trazuar si hapin e parë të vendosjes së urave të bashkëpunimit.
“Është e nevojshme të zhvillojmë marrëdhënie direkte me prodhuesit ukrainas pasi produktet si sheqeri apo gruri mbërrijnë në Shqipëri përmes tregtarëve nga Serbia apo Greqia. Ndërsa produktet e bujqësisë shqiptare, pasi blihen nga tregtarët serb dhe maqedonas, mbërrijnë në Ukrainë. Ky është synimi jonë. Eksporte dhe Importe direkte duke shmangur palët e treta, ” tha Alban Zusi.
Yugen Vilinsky zëvendës guvernator i Donekstut u shpreh se “pavarësisht situatës së luftës në këtë rajon, kjo nuk duhet të na dekurajojë në të bërit biznes. Prandaj bashkëpunimi ekonomik për ne në situatën ku ndodhemi merr një rëndësi të dorës së parë. E mirëpresim bashkëpunimin mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut dhe Qendrës Shqiptare të Eksporteve”.
Në zyrat qendrore të rajonit të Donekstut u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Donetskut dhe Qendrës Shqiptare e Eksporteve.
burimi: gazetadita
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.