E kemi dëgjuar shpesh lakimin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare si perla e fshehur e Ballkanit dhe të jemi të sinqertë sa herë e shohim e dëgjojmë kjo gjë na mbush edhe më me krenari. Më shumë se sa për perlën që tashmë e dimë, gëzojmë edhe për faktin se viteve të fundit ‘e fshehura’, nuk është më edhe aq e fshehur. Shqipëria jonë tashmë edhe më turistike, më e dëshiruar nga udhëtarët dhe pjesë e rëndësishme e hartës botërore të destinacioneve më të mira për pushime. Për të kuptuar më mirë këtë zhvillim me shumë dinamika, Business Magazine ka biseduar me Andi Proda, drejtor i Komunikimit dhe Marketingut pranë Elite Travel Group, një nga operatorët më të njohur të turizmit në Shqipëri, dhe gazetaren Ada Bileri, një zë mediatik që ndjek prej vitesh nga afër këtë sektor kaq të rëndësishëm të ekonomisë sonë.
Tendencat e sezonit/ Çfarë kërkojnë turistët sot në Shqipëri?
Sipas Andi Prodës nga Elite Travel Group, kërkesa për jugun e Shqipërisë mbetet e lartë, me destinacione si Vlora, Saranda dhe Gjirokastra që vijojnë të tërheqin vëmendjen e pushuesve vendas dhe të huaj. Por një surprizë pozitive është edhe rritja e interesit për veriun, me theks të veçantë tek turizmi kulturor dhe aventurat në natyrë.
“Një nga destinacionet që po përjeton një rritje të jashtëzakonshme të interesit është Vuthaj – një zonë shqiptare në Mal të Zi. Kërkesat për këtë destinacion janë rritur me rreth 300%, falë natyrës së saj malore dhe rrugës piktoreske që të çon atje,” – thotë Elite Travel..
Jo rastësisht edhe Tirana mbetet një nga atraksionet më të kërkuara, falë aksesit të lehtë nga aeroporti dhe zhvillimit të vrullshëm urban dhe kulturor.
Nga luksi te autenticiteti, si po ndryshon turisti modern në Shqipëri?
“Kërkesat për luks janë ende të kufizuara në Shqipëri, për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe ofertës së duhur në këtë segment. Ajo që po kërkohet gjithnjë e më shumë janë ofrimi i përvojës autentike dhe të qëndrueshme, si ecjet në natyrë, rafting, vizitat në qytete historike, degustimet e verës dhe ushqimeve tradicionale,” – thekson Andi Proda.
Kjo prirje pasqyrohet dhe në paketat e këtij sezoni, ku theksi vihet te destinacionet autentike si Përmeti, Korça, Gjirokastra dhe veriu i Shqipërisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto