Nga Fatima Gorezi – Në mozaikun e marrëdhënieve ndërkombëtare, Suedia shfaqet prej vitesh si një prej mbështetësve më të rëndësishëm të Shqipërisë. Nga konsolidimi i demokracisë dhe forcimi i shtetit të së drejtës, e deri tek nxitja e zhvillimit ekonomik dhe mbështetja për proceset integruese të BE-së, vendi nordik ka qenë një partner i palëkundur në rrugën e Tiranës drejt familjes europiane.
Ky angazhim reflektohet jo vetëm në qëndrimet politike të Stokholmit, por edhe në praninë diplomatike në Tiranë. Ambasadori suedez, Niklas Ström, në një bisedë për Business Magazine Albania, e përshkruan këtë marrëdhënie si një “simbiozë të shkëlqyer mes dy popujve”, duke iu referuar edhe raportit të fundit të Eurobarometrit ku shqiptarët renditen ndër më entuziastët për t’u bashkuar me BE-në, ndërsa suedezët janë ndër mbështetësit e fortë të zgjerimit të Unionit.
“Shqipëria ka ndryshuar në mënyrë të habitshme. Kam folur me njerëz që kanë qenë këtu në vitet ’90 dhe sot kthehen të surprizuar nga transformimi. Është një vend dinamik, që përparon dhe ofron mundësi reale ekonomike,” thekson Ström. Por, sipas tij, sfida kryesore mbetet implementimi i legjislacionit dhe përshtatja e plotë me standardet e BE-së.
Nga një perspektivë ekonomike, ambasadori theksoi se Shqipëria ende shihet si një treg i largët dhe relativisht i panjohur për bizneset suedeze. Megjithatë, investimet suedeze si “Camp Nivica”, një resort model ekologjik në turizmin e qëndrueshëm, tregojnë se kjo perceptim po fillon të ndryshojë. Ekziston gjithashtu prezenca e kompanive suedeze si H&M, Lindex dhe Ericsson. Për më tepër, vitin e kaluar u realizua një investim i drejtpërdrejtë nga Suedia, në formën e një kompanie për marrjen me qira të pajisjeve ndërtimore, të quajtur Svea Rental.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.