Shqipëria promovon turizmin në panairin ndërkombëtar në Berlin - Business Magazine Albania

Shqipëria promovon turizmin në panairin ndërkombëtar në Berlin


Shqipëria po prezanton potencialet e saj turistike në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit “ITB BERLIN”, i cili hapi dyert më 8 Mars dhe do të mbyllet më 12 Mars 2017. Në këtë panair marrin pjesë rreth 187 shtete dhe afro 6000 përfaqësues të mediave të ndryshme prestigjioze.

Shqipëria prezantohet këtë vit me një stendë 120 metra katrorë, ku një numër mjaft i konsiderueshëm vizitorësh kanë frekuentuar hapësirën shqiptare në panair, që në ditën e parë.

Stafi i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që prezanton Shqipërinë, ka shpërndarë informacion të plotë si dhe materiale të ndryshme promocionale për të gjithë pjesëmarrësit për ta njohur sa më mirë Shqipërinë dhe ofertën turistike të saj.

Në ditën e parë u realizuan një sërë takimesh të rëndësishme me subjekte dhe personalitete të ndryshme, ku mund të përmendim takimin me Ministrin e Turizmit të Italisë, Dario Franchescini si dhe Presidentin e Organizatës Botërore të Turizmit, Taleb Raif të cilët vlerësuan rolin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për impulset shumë pozitive që po i jep së fundi zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Grupet kryesore të interesit u interesuan mbi mundësitë e organizimit nga ana e vendit tonë të tureve familjarizuese me media dhe operatorë turistike nga vende të tilla si Gjermania, Sllovenia, Zvicra , Polonia, etj.

Një vend të rëndësishëm zunë gjatë takimeve të ditës së parë përfaqësuesit e kompanive PR dhe të marketingut nga vende e tregje të ndryshme, të interesuar për të nxitur turizmin me vendin tonë, si nga Anglia, Gjermania, Finlanda, Kina, Polonia etj.

Media të njohura si: BBC, TV 20minutes etj, ishin pjesë e intervistave të dhëna nga AKT gjatë ditës së parë të panairit. Me mjaft interes ishin takimet e zhvilluara me dy operatorë të rëndësishëm nga Polonia, të cilët tashmë operojnë me fluturime charter drejt vendit tonë, duke sjellë kështu vizitorë nga Polonia dhe Republika Çeke.

“ITB Berlin” është panairi i radhës ku Shqipëria po prezantohet këtë vit, duke nisur me “Utreht Holandë”, “CMT Shtutgard”, “IMTM Izrael”, “IFT Beograd”, “Nature Alps Slovenia” ndërsa promovimi i Shqipërisë do vijojë së afërmi me Moskën dhe vende të tjera.

Burimi: telegrafi.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0