Qeveria shqiptare ka hapur për konsultim publik miratimin e ‘Planit Kombëtar për Përshtatjen ndaj Ndryshimeve Klimatike (NAP) 2026-2036′, një instrument strategjik që synon të forcojë qëndrueshmërinë e vendit ndaj rreziqeve klimatike dhe të harmonizojë politikat vendore dhe sektoriale me standardet evropiane. Plani është hartuar në përputhje me ligjin nr. 155/2020 “Për Ndryshimet Klimatike”, Marrëveshjen e Parisit dhe kërkesat e Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).
Qëllimi kryesor i NAP-it është të ofrojë një kuadër gjithëpërfshirës për identifikimin, prioritarizimin dhe zbatimin e masave të përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike në të gjithë vendin, duke përfshirë pesë sektorë kryesorë: bujqësi dhe pyje, zhvillim urban, turizëm, energji dhe transport. Plani synon gjithashtu integrimin e përshtatjes në politikat sektoriale dhe vendore, përmirësimin e koordinimit ndërinstitucional dhe rritjen e kapaciteteve të administratës publike për monitorimin dhe raportimin e progresit.
Lexo edhe: Kripto-asetet/ Shqipëria përgatit kuadrin ligjor për BE-në, ja si do funksionojë
Masat e planifikuara përfshijnë vlerësimin e sistematik të rreziqeve klimatike, orientimin e investimeve publike drejt reduktimit të rrezikut, përmirësimin e koherencës ndërmjet politikave zhvillimore dhe planifikimit hapësinor, si dhe integrimin e instrumenteve të përshtatjes në nivel vendor.
Projektvendimi kontribuon gjithashtu në përmbushjen e objektivave të Shqipërisë për integrimin evropian, duke harmonizuar legjislacionin kombëtar me acquis-in e BE-së dhe Rregulloren BE 2018/1999 mbi Qeverisjen e Energjisë dhe Veprimin për Klimën. Plani ndihmon në përgatitjen e raporteve kombëtare dhe ndërkombëtare dhe përmirëson mundësinë e aksesit në fonde ndërkombëtare për investime klimatike.
Ky projektvendim shënon një hap strategjik për Shqipërinë, duke vendosur bazën për një qasje të strukturuar, të koordinuar dhe të bazuar në prova shkencore ndaj ndryshimeve klimatike, duke mbrojtur komunitetet, infrastrukturën dhe burimet natyrore të vendit.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.