Sot Tirana u shndërrua në një qendër të vërtetë të teknologjisë dhe inovacionit, teksa u zhvillua samiti ACT NOW 2025, një ngjarje madhore e organizuar nga Këshilli Shqiptar i Teknologjisë dhe Inovacionit (ACTI), një iniciativë që bashkon emrat më të mëdhenj të teknologjisë dhe inovacionit në vend. Ndonëse e themeluar vetëm pak muaj më parë, ACTI po afirmohet si një nga platformat më premtuese për të ardhmen digjitale të vendit.
Nën moton “Albania Future Now”, samiti mblodhi figura të njohura të gjigandëve global të teknologjisë, përfaqësues të institucioneve publike, investitorë, startup-e dhe përfaqësues të komunitetit të inovacionit, për të diskutuar vizionin e përbashkët drejt një Shqipërie më të zhvilluar në terma të teknologjisë, më të lidhur dhe më të sigurt digjitalisht.
ACTI, që sot numëron 55 anëtarë , synon të shërbejë si një platformë gjithëpërfshirëse bashkëpunimi mes sektorit publik dhe atij privat, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të inovacionit në vend.
Fjala e hapjes u mbajt nga kreu i bordit të ACTI , Ermal Beqiri, i cili u shpreh se bota ka pasur deri tani tre nivele zhvillimi të inovacionit dhe Shqipëria nuk ka qenë në hartë, por tani është momenti që të jetë. ” Kishte dhe ka një nevojë të kompanive shqiptare në fushën e teknologjisë për të bashkuar forcat dhe bashkëpunuar. Ka ardhur koha që Shqipëria mos të shesë më vetëm orë pune, por produkte sepse potenciali është.” – u shpreh ai.
Drejtoresha e AKSHI-së Mirlinda Karçanaj u shpreh se kjo konferencë është më shumë sesa për të diskutuar ide. ”Shqipëria sot prodhon zgjidhje, eksporton zgjidhje. Ne jemi lider në rajon për digjitalizimin e shërbimeve publike”.
Blendi Gonxhja, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e vlerësoi punën dhe iniciativën e ACTI , ndërsa tha se në ndryshim nga 1 dekadë e gjysëm më parë kur kishte shumë patos dhe pak sipërmarrje që merrnin jetë, sot Shqipëria ka edhe ide të mira, por edhe një shpirt sipërmarrës në rritje.” Ne jemi krenarë që Shqipëria është një hap rajonal i inovacionit. Inovacioni në ekonomitë e BE-së është 50% e rritjes ekonomike dhe si e tillë ne duhet t’i mëshojmë kësaj.”
Lexo edhe: E ardhmja e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri, është tani!
Theksi tek siguria dhe inteligjenca artificiale
Në një nga fjalimet më të pritura, Kozeta Garrett, drejtuese globale e shërbimeve për sigurinë kibernetike në gjigandin Microsoft, u ndal te sfidat e sigurisë në epokën e inteligjencës artificiale. “Siguria kibernetike nuk është më një çështje teknike,por një domosdoshmëri shoqërore. Në një botë të drejtuar nga AI, siguria është themeli i besimit,” tha ajo.
Më tej, në panelin “Next-Gen Cybersecurity & Digital Trust”, përfaqësues të kompanive si IBM, Check Point, Entrust dhe Supermicro trajtuan aspektet më të ndjeshme të mbrojtjes digjitale, ndërsa moderatori Saimir Kapllani i NCSA theksoi se transparenca dhe bashkëpunimi rajonal janë kyçe për ndërtimin e një infrastrukture digjitale të qëndrueshme. Paneli theksoi njëzëri se siguria kibernetike nuk është vetëm një çështje teknologjike, por një detyrë dhe përgjegjësi kolektive.
Inovacioni kërkon investim
Pjesë e rëndësishme e axhendës ishte diskutimi i mbështetjes financiare për startup-et e rajonit. Ekaterina Solovova, drejtore e BERZH në Shqipëri, u shpreh:
“Kur kapitali takohet me inovacionin, ndodhin gjërat që transformojnë një ekonomi. BERZH mbështet çdo hap që çon drejt digjitalizimit gjithëpërfshirës.”
Prania e saj pasqyroi harmoninë e fortë midis institucioneve financiare ndërkombëtare dhe misionit të ACTI-t për të nxitur inovacionin, sipërmarrjen dhe rritjen e qëndrueshme në Shqipëri. BERZH riafirmoi angazhimin për fuqizimin e ekosistemeve ku idetë e guximshme dhe zgjidhjet me ndikim mund të lulëzojnë.
Shqipëria Digjitale 2030
Në panelin kushtuar rrugës drejt “Shqipërisë Digjitale 2030”, u zhvillua një diskutim me theks të veçantë mbi rolin e shtetit në krijimin e një ekosistemi digjital gjithëpërfshirës dhe të sigurt. Ministrja e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit, znj. Delina Ibrahimaj, theksoi se digjitalizimi nuk duhet të jetë vetëm një ambicie teknologjike, por një instrument për përmirësimin real të jetës së qytetarëve dhe klimës së investimeve. Znj. Mirlinda Karçanaj, drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), ndau prioritetet institucionale për infrastrukturën digjitale dhe aksesin universal në shërbime online.
Ndërkohë, z. Igli Tafa nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike nënvizoi domosdoshmërinë për ndërtimin e një arkitekture të qëndrueshme të mbrojtjes kibernetike që shkon përtej kufijve teknikë. Zëvendësministri i Ekonomisë, Inovacionit dhe Kulturës, z. Sokol Duma, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes aktorëve institucionalë dhe privatë për të ndërtuar një model zhvillimi që i përgjigjet realisht sfidave të epokës digjitale.
Mesazhi i ditës: Koha është tani
Onur Koç, Drejtor Rajonal i Teknologjisë për Evropën Juglindore në Microsoft gjatë fjalës së tij mbajti një ton vizionar: “Inteligjenca artificiale nuk është më një ëndërr , por një përgjegjësi. Të gjithë ne, nga bizneset te institucionet, kemi detyrën ta përdorim atë për të krijuar impakt pozitiv dhe të qëndrueshëm.”
Në një moment reflektimi dhe vizioni brenda axhendës së samitit, paneli me titull “ACTI në thelb të vet” solli në skenë bordin drejtues të Këshillit Shqiptar të Teknologjisë dhe Inovacionit, një bisedë e hapur rreth krijimi të ACTI, mundësive dhe ambicieve.
Andis Papa, Gentian Likaj, Kushtrim Shala, Gjergji Mulla, Brano Djurovic dhe Bernard Toci ndanë me audiencën përvojat personale, bindjet profesionale dhe vizionin e përbashkët që po e bën ACTI një strukturë qendrore në arkitekturën digjitale të Shqipërisë.
Diskutimi u përqendrua tek ndërtimi i një kulture bashkëpunimi mes kompanive që veprojnë brenda industrisë, bashkëpunimi tejet i nevojshëm mes sektorit publik dhe privat, përqasja ndaj inovacionit si mjet zhvillimi dhe sfidat që dalin përpara në krijimin e një ekosistemi të besueshëm dhe të qëndrueshëm teknologjik.
Ky moment i diskutimit jo vetëm që ofroi transparencë mbi drejtimin strategjik të ACTI-t, por shërbeu edhe si ftesë e hapur për profesionistë, sipërmarrës dhe organizata që duan të jenë pjesë aktive e transformimit digjital të vendit.
Cyber Drill Challenge
Paralelisht me diskutimet në nivel institucional për të ardhmen dixhitale të Shqipërisë, në sallën ngjitur u zhvillua Cyber Drill Challenge, një demonstrim i drejtpërdrejtë ku të rinjtë më të talentuar në fushën e sigurisë kibernetike u vunë në vijën e parë të mbrojtjes digjitale. Nën moton “Young Experts on the Frontlines of Digital Defense”, ky ushtrim simulues solli një atmosferë intensive, ku pjesëmarrësit iu përgjigjën në kohë reale kërcënimeve të dizajnuara për të testuar aftësitë e tyre teknike, shpejtësinë në reagim dhe punën në ekip.
Nga identifikimi i dobësive në sisteme, te vendosja e kundërmasave të menjëhershme, të rinjtë demonstruan një nivel të lartë profesionalizmi dhe përkushtimi, duke treguar se brezi i ardhshëm i liderëve të sigurisë digjitale është jo vetëm gati, por i motivuar të ndërtojë ekosisteme të qëndrueshme dhe të sigurta në një botë gjithnjë e më të varur nga teknologjia dhe inteligjenca artificiale. Siç u komentua nga pjesëmarrësit, kjo përvojë shërben si një kujtesë e fortë se mbrojtja e teknologjisë, e bizneseve dhe e komuniteteve nis me investimin tek talenti i ri. Tre performuesit më të mirë u shpërblyen me çmime.
Endri Dhaskali me InsectIntel fitues të 50,000 euro
Endri Dhaskali ka rrëmbyer çmimin e madh prej 50,000 eurosh me startup-in e tij inovativ InsectIntel, një zgjidhje inteligjente që ndihmon fermerët të parandalojnë dëmtimet nga insektet përpara se ato të shndërrohen në katastrofa bujqësore. Në një intervistë për Albanian Tech disa muaj më parë, ai shpjegonte: “Ideja për InsectIntel lindi nga nevoja për të ndihmuar fermerët të luftojnë infektimet nga insektet përpara se të bëhen problem serioz.
Duke kombinuar teknologjinë e avancuar të inteligjencës artificiale me monitorimin në kohë reale, synuam të krijonim një sistem që mbron të korrat.” Me një prototip fillestar të testuar në ferma lokale dhe një ekip të vogël, por të përkushtuar, InsectIntel tashmë po shihet si një nga premtimet më të mëdha në agroteknologjinë shqiptare.
Me një vizion gjithëpërfshirës dhe një rrjet anëtarësh gjithnjë në rritje, duket se ACTI po krijon themelet e një ekosistemi të qëndrueshëm digjital. Samiti ACT NOW 2025 ishte vetëm hapi i parë drejt një kapitulli të ri për Shqipërinë teknologjike. E ardhmja digjitale po shkruhet çdo ditë dhe ACTI është një pjesë e rëndësishme integrale e saj.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.