Shqipëria dhe plakja e Europës. A mund të jetë zgjerimi shpresa e re e BE-së? - Business Magazine Albania

Shqipëria dhe plakja e Europës. A mund të jetë zgjerimi shpresa e re e BE-së?

Popullsia e Bashkimit Evropian pritet të arrijë kulmin në vitin 2026 me rreth 453 milionë banorë, përpara se të nisë një rënie të qëndrueshme. Sipas të dhënave të Eurostat, nëse migracioni do të ndalet plotësisht, popullsia e BE-së deri në vitin 2100 do të bjerë me 34%, duke ndikuar ndjeshëm fuqinë punëtore dhe zhvillimin ekonomik.

Parashikimet zyrtare tregojnë se deri në vitin 2050 popullsia e Unionit do të jetë 9% më e ulët se në vitin 2025, ndërsa deri në vitin 2075 rënia do të arrijë 23% dhe 34% në fund të shekullit. Kjo do të thotë humbje prej afërsisht 1 milion punëtorësh çdo vit në 25 vitet e ardhshme, sipas Peter Bosch nga Egmont Institute.

Një raport i Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian (JRC) paralajmëron se nëse normat e pjesëmarrjes në tregun e punës mbeten të pandryshuara, fuqia punëtore e BE-së mund të tkurret me mbi 20% deri në vitin 2070 – ekuivalente me 42.8 milionë punëtorë më pak. Në skenarë më pesimistë, rënia mund të shkojë deri në 55.9 milionë persona.Sipas studiuesve të JRC, migracioni mund të luajë një rol vendimtar në formësimin e tregut të punës evropian, sidomos nëse emigrantët integrohen me sukses në ekonominë formale. Komisioni Evropian e ka cilësuar zgjerimin e vitit 2004, të njohur si “Big Bang”, si një shembull suksesi që solli rritje ekonomike për të gjitha vendet anëtare.

Rënia e popullsisë në Itali dhe Spanjë

Pa migracion, Italia dhe Spanja pritet të humbasin gati gjysmën e popullsisë deri në vitin 2100 – respektivisht 52% dhe 49% krahasuar me vitin 2025. Rënie të ngjashme priten edhe në Maltë (48%), Portugali (44%), Greqi (44%) dhe Kroaci (40%).

Në anën tjetër, Franca dhe Irlanda do të jenë më pak të prekura. Deri në fund të shekullit, popullsia e Francës pritet të bjerë me vetëm 13%, ndërsa ajo e Irlandës me 15%. Irlanda është gjithashtu i vetmi vend i BE-së që pritet të ketë rritje demografike deri në vitin 2050, me një shtesë prej rreth 4%.

Nëse në vitin 2025 BE ka 100 banorë, kjo shifër do të bjerë në 91 në 2050, në 77 në 2075 dhe në 66 në 2100. Me fjalë të tjera, një në tre qytetarë evropianë do të mungojë në fund të shekullit.

Lexo edhe: Mali i Zi kalon Shqipërinë në garën për në BE!

Ballkani dhe Shqipëria, potencial për rigjenerim demografik

Ndërsa shumica e vendeve të Bashkimit Evropian po përballen me plakje të theksuar, vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, kanë popullsi dukshëm më të re. Sipas Eurostat, në vitin 2024, 30.8% e popullsisë së BE-së ishte nën 30 vjeç, ndërsa në Shqipëri kjo përqindje i kalonte 40%. Kjo e vendos vendin në mesin e shteteve me strukturë më të re demografike në rajon, krahas Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Për ekspertët e ekonomisë, kjo është një mundësi e rëndësishme për integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në tregun evropian të punës. Një Europë që po plaket kërkon fuqi të re punëtore, ndërsa Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit përballen me emigracion të lartë, por kanë potencial njerëzor të pashfrytëzuar. Nëse vendet kandidate integrohen gradualisht, BE-ja mund të përfitojë nga një brez më i ri dhe më dinamik punëtorësh.

Në rastin e Shqipërisë, situata është e dyfishtë: nga njëra anë, vendi po humbet të rinjtë më të arsimuar për shkak të emigracionit; nga ana tjetër, popullsia e saj mbetet ende më e re se mesatarja evropiane. Nëse integrimi në BE shoqërohet me investime në tregun e punës, arsim profesional dhe teknologji, Shqipëria mund të shndërrohet nga “eksportuese” e punëtorëve në një partnere strategjike për fuqinë punëtore të Europës.

Roli i punëtorëve të huaj

Një analizë e fundit e ekspertëve të Bankës Qendrore Evropiane (ECB) nënvizon se punëtorët e huaj po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm për tregjet e punës në Eurozonë. Ata theksojnë se plakja e popullsisë përbën një sfidë serioze për rritjen ekonomike dhe se hyrja e punëtorëve të huaj ka ndihmuar në kompensimin e trendeve negative demografike.

Në përfundim, zgjerimi i BE-së nuk mund të ndalojë plotësisht plakjen e kontinentit, por mund të japë një shtysë të re për rigjallërimin ekonomik dhe social të Evropës.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0