Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas ka paralajmëruar se do të ndërpresë shërbimin e transportit urban për kryeqytetasit duke nisur nga 1 Marsi, nëse qeveria nuk miraton kërkesat e saj fiskale.
Ajo i ka drejtuar një letër Kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Bashkisë të Tiranës, Erjon Veliaj; Zëvendëskryeministër Arben Ahmetaj; Ministres të Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministres të Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku.
Shoqata e Kombëtare e Transportit Qytetas kërkon që qeveria të miratojë kërkesën e tyre për politikat fiskale, për të kompensuar humbjet që po shkaktohen nga rritja e çmimeve të naftës. Shtrenjtimi ka rritur kostot për 48% të aktivitetit të tyre.
Në kërkesat e tyre përfshihet rimbursimi i TVSH-së në shitje, heqja e akcizës të naftës 37 lekë/litër, heqja e taksës së qarkullimit në karburant për subjektet e licencuara që ushtrojnë aktivitetin në transportin urban (qytetës) 27 lekë/litër, si dhe rimbursimin e çmimit të biletës për kategoritë (Invalidë pune, të verbër, paraplegjik, tetraplegjik, studentët) të cilët udhëtojnë falas.
Ata kanë theksuar se prej 2020 punojnë për më pak se 55% të numrit të udhëtarëve, krahasuar me periudhën para pandemisë.
Në fund të muajit dhjetor për të kompensuar humbjet nga rënia e frekuentimit, bashkia e Tiranës miratoi 1 milion euro subvencione për transportin urban, me qëllim mbulimin e kostove nga rënia e frekuentimit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto