Shkencëtarët po e rishikojnë plakjen jo më thjesht si një proces të pashmangshëm, por si një gjendje të trajtueshme. Terapitë e reja tregojnë potencial për të zgjatur vitet e shëndetshme të jetës dhe për të luftuar njëkohësisht disa sëmundje.
Një përmbledhje e rëndësishme e botuar në Journal of the American Medical Association shqyrton strategjitë e reja për ngadalësimin e proceseve biologjike të plakjes. Ky drejtim i ri kërkimor ofron mundësi për të parandaluar ose shtyrë disa sëmundje kronike njëherësh, një nga sfidat më të mëdha të mjekësisë moderne. Artikulli është bashkëautorizuar nga një grup kërkuesish të njohur, mes të cilëve Steven R. Cummings, M.D., mjek dhe studiues i lartë pranë Sutter Health’s Sequoia Center for the Science of Aging, si dhe ekspert ndërkombëtar i fushës, dhe i udhëhequr nga Stephen B. Kritchevsky, Ph.D., nga Wake Forest University School of Medicine. Autorët argumentojnë se mjekësia duhet të lëvizë përtej trajtimit të sëmundjeve si kanceri, sëmundjet e veshkave apo ato kardiovaskulare veçmas, duke u fokusuar më shumë te biologjia themelore e plakjes. Kjo qasje, e njohur si geroshkencë (geroscience), synon rritjen e “healthspan”, numrit të viteve që një person mbetet pa sëmundje dhe paaftësi.
Lexo edhe: 9 ide biznesi për introvertët
Geroshkenca si parashikues i kujdesit shëndetësor
“Deri në vitin 2050, numri i të rriturve mbi 65 vjeç në SHBA do të rritet me mbi 30 milionë,” shprehet Dr. Cummings. “Nëse vazhdojmë të trajtojmë çdo sëmundje më vete, sistemi shëndetësor do të përmbyset. Një qasje e bazuar në geroshkencë mund të ndihmojë njerëzit të jetojnë më gjatë dhe më shëndetshëm, duke vonuar ose parandaluar disa gjendje njëherësh.” Geroshkenca fokusohet te mosha biologjike, e matur nga tregues biologjikë si epigjenetika, dhe jo thjesht te mosha kalendarike. Dr. Cummings dhe ekipi i tij në San Francisco Coordinating Center (SFCC), i drejtuar nga Brian Chen, Ph.D., po testojnë këto parime tek pacientët e Sutter, për të parë nëse mosha biologjike mund të parashikojë më mirë rezultatet mjekësore, përfshirë shtrimet në spital, krahasuar me moshën në vite.
Terapitë ekzistuese që mund të ngadalësojnë plakjen
Në artikull përmenden disa terapi premtuese që po studiohen:
-
Metformina, një ilaç i vjetër për diabetin, i cili mund të ngadalësojë disa procese të lidhura me plakjen.
-
Agonistët e receptorit GLP-1 si semaglutide, të përdorur për diabetin dhe obezitetin, që mund të imitojnë efektet e kufizimit kalorik, i lidhur me jetëgjatësinë.
-
Senolitikët, një klasë barnash që eliminojnë qelizat e plakura “zombie” që shkaktojnë inflamacion kronik dhe dëmtim të indeve.
Megjithëse asnjë prej këtyre terapive nuk është ende e miratuar nga FDA për të trajtuar drejtpërdrejt plakjen, autorët theksojnë se po zhvillohen prova klinike që mund të hapin rrugën për standarde të reja kujdesi, të cilat do të synojnë ruajtjen e funksionit dhe pavarësisë së individit. “Studimet tona në SFCC po eksplorojnë rrugët biologjike që mund të modifikohen për të ngadalësuar plakjen dhe për të promovuar një jetë të shëndetshme jo vetëm për pacientët tanë, por edhe më gjerë,” përfundon Dr. Cummings.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.