Në një laborator të fshehur mbi mjegullën e pyjeve të Dakota-s së Jugut, një grup shkencëtarësh po përpiqen të zbulojnë përgjigjen ndaj një prej pyetjeve më të mëdha të shkencës: Pse ekziston Universi?
Ata ndodhen në një garë për këtë përgjigje me një ekip tjetër shkencëtarësh japonezë të cilët janë disa vite përpara. Teoritë aktuale të astronomisë nuk mund të shpjegojnë plotësisht se përse ekzistojnë planetët, yjet dhe galaktikat. Të dy ekipet po ndërtojnë detektorë për të studiuar një grimcë subatomike të quajtur neutrino, me shpresën për të gjetur përgjigje. Në SHBA, shpresat janë përqendruar te eksperimenti i quajtur DUNE – Deep Underground Neutrino Experiment (Eksperimenti i Thellë Nën Tokë për Neutrinot). Shkencëtarët zbresin 1,500 metra nën tokë në tre galeri gjigante nëntokësore. Përmasa e tyre është aq e madhe, saqë makineritë e ndërtimit dhe punëtorët duken si lodra plastike krahasuar me mjedisin përreth. Drejtori shkencor i DUNE, Dr. Jaret Heise, i përshkruan këto hapësira si “katedrale për shkencën”.
Ai ka qenë i përfshirë në ndërtimin e tyre për gati një dekadë. Tani që struktura është gati, ajo izolon eksperimentin nga zhurma dhe rrezatimi i sipërfaqes. DUNE është gati për hapin e radhës. “Jemi në prag të ndërtimit të detektorit që do të ndryshojë mënyrën se si kuptojmë Universin. Ai do të instalohet nga një bashkëpunim ndërkombëtar prej 1,500 shkencëtarësh të vendosur të zbulojnë pse ekzistojmë,” – thotë Dr. Heise. Kur u krijua Universi, u formuan dy lloje grimcash: materia – nga e cila përbëhen yjet, planetët dhe gjithçka përreth – dhe antimateria, e kundërta e saj. Në teori, ato duhet të ishin shuar reciprokisht, duke lënë pas vetëm një shpërthim të madh energjie. Por ne ekzistojmë, si materie çfarë ndodhi?
Lexo edhe: Shqipëria dhe frika nga recesioni, eksperti Gjokutaj rekomandon investimet e sigurta
Shkencëtarët besojnë se përgjigjja fshihet në mënyrën sesi sillet neutrinoja dhe e kundërta e saj, anti-neutrinoja. Ata do të dërgojnë rreze me këto grimca nga thellësia e tokës në Illinois, drejt detektorëve në Dakota të Jugut, rreth 1,300 kilometra larg. Kjo sepse gjatë udhëtimit të tyre, neutrinot dhe anti-neutrinot ndryshojnë pak nga pak. Shkencëtarët duan të zbulojnë nëse këto ndryshime janë të ndryshme mes tyre – nëse po, mund të kenë zbuluar arsyen përse materia ka dominuar mbi antimaterien.
DUNE është një projekt ndërkombëtar që përfshin 1,400 shkencëtarë nga 30 vende. Ndër ta është edhe Dr. Kate Shaw nga Universiteti i Sussex, e cila thotë se zbulimet që do të vijnë do të jenë “transformuese” për mënyrën se si njerëzimi e kupton Universin dhe veten. “Është emocionuese që kemi arritur deri këtu – me teknologjinë, inxhinierinë dhe aftësitë kompjuterike që na mundësojnë të përballemi me pyetje kaq të mëdha,” – thotë ajo. Ndërkohë, në anën tjetër të botës, shkencëtarët japonezë po përdorin globat e tyre të artë, që duken si tempuj shkencorë, për të ndjekur të njëjtën përgjigje. Ata po ndërtojnë Hyper-K, një version më i madh dhe më i përparuar i detektorit aktual Super-K. Ky ekip pritet ta ndezë rrezen e tyre të neutrinove brenda dy vitesh – disa vite më herët se sa amerikanët. Edhe Hyper-K është bashkëpunim ndërkombëtar. Dr. Mark Scott nga Imperial College London, mendon se ekipi i tij është në pozicionin më të favorshëm për të arritur një nga zbulimet më të mëdha në lidhje me origjinën e Universit. “Ne do të fillojmë më herët dhe kemi një detektor më të madh, kështu që do të kemi më shumë ndjeshmëri në kohë më të shkurtër se DUNE,” – thotë ai. Të dyja eksperimentet duke punuar paralelisht do të sjellin më shumë të dhëna se sa vetëm një, por, sipas Dr. Linda Cremonesi nga Queen Mary University of London, e cila punon për projektin amerikan, shpejtësia nuk mjafton. “Ka një element gare, por Hyper-K ende nuk i ka të gjitha përbërësit e nevojshëm për të kuptuar nëse neutrinot dhe anti-neutrinot sillen ndryshe.” Gara është hapur, por rezultatet e para priten pas disa vitesh. Pyetja se çfarë ndodhi në fillimin e kohës që solli ekzistencën tonë mbetet ende një mister – për tani.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.