Shqipëria dhe frika nga recesioni, eksperti Gjokutaj rekomandon investimet e sigurta - Business Magazine Albania

Shqipëria dhe frika nga recesioni, eksperti Gjokutaj rekomandon investimet e sigurta

Nga Fatima Gorezi– Tarifat e administratës Trump ndaj partnerëve kryesorë tregtarë, mungesa e ritmit të rritjes në ekonomitë kryesore europiane, lëvizjet e shpeshta në nivel europian të raportit mes valutave kryesore dhe jo vetëm krijojnë një perceptim të përgjithshëm se ekonomia po tkurret dhe shtojnë frikën për recension.
Një valë e tillë pasigurie ekonomike, me ekonomitë kryesore që po ngadalësohen, tregjet valutore që lëkunden dhe tensionet gjeopolitike që shtohen të risjellin në kujtesë krizën e borxheve të vitit 2009, një periudhë që nisi me probleme në sistemin financiar global dhe u shndërrua në një krizë besimi që tronditi themelet e ekonomisë europiane. Pasojat e saj u ndjenë gjatë edhe në vendet e Europës Juglindore, përfshirë edhe Shqipërinë, që u përball me tkurrje investimesh, rënie të konsumit dhe rritje të pasigurisë sociale.

Sipas ekspertit të ekonomisë, Eduart Gjokutaj vendi ynë nuk ndodhet në recension, në kuptimin teknik të termit, por ndodhemi në një fazë ngadalësimi dhe pasigurie, e cila po u dikton individëve dhe kompanive mënyrën sesi menaxhojnë kapitalet dhe shkojnë drejt vendimarrjes ekonomike. Në perceptim i tillë publik i cili sipas z.Gjokutaj është më shumë psikologjik sesa mbështetet në të dhëna reale, megjithatë ai ka sjellë një riorientim të investimve.

Në mungesë të një orientimi të qartë në tregjet ndërkombëtare dhe me partnerë europianë që vetë po përballen me pasiguri, Shqipëria mbetet e ekspozuar ndaj ndikimeve të jashtme, të cilat jo gjithmonë pasqyrohen në të dhëna statistikore, por ndihen fuqishëm në pulsimin e ekonomisë reale.
Kësisoj, ruajtja e stabilitetit të brendshëm, politika e kujdesshme fiskale dhe nxitja e besimit mbeten sfidat kryesore për politikbërësit dhe sektorin financiar shqiptar.

Z. Gjokutaj, si e shihni ju situatën aktuale ekonomike në Shqipëri? A jemi realisht në rrezik recensioni, apo frika është e ekzagjeruar?

Në kuptimin teknik të recesionit, pra dy tremujorë rresht me rënie të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) na tregojnë se Shqipëria aktualisht nuk ndodhet në recesion.
Rritja reale e PBB për vitin 2023 ishte 3.94%, ndërsa vlerësimi për 2024 është te 3.96%, çka tregon se ekonomia vazhdon të zgjerohet edhe pse me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin 2022 (+4.84%).Inflacioni mesatar vjetor është ulur në 2.2% në 2024 dhe vijon të jetë afër nivelit të 2.1% në muajt e parë të 2025, duke reflektuar një stabilizim të çmimeve pas kulmeve të viteve të mëparshme. Ndërsa kursi i këmbimit është më pak volatil, me lekun që ka ruajtur vlerën e fortë në raport me euron.

Megjithatë, “ftohja” e ekonomisë është reale, sidomos në tre dimensione:
· Konsumi privat po ngadalësohet, i ndikuar nga pasiguria, çmimet e larta në kategori të caktuara, dhe zgjedhjet politike.
· Investimet private janë më të kujdesshme për shkak të normave të larta të interesit dhe klimës jo të favorshme rregullatore.
· Ekonomia europiane (veçanërisht Gjermania) është në stanjacion, duke goditur eksportet dhe pritshmëritë për turizëm.

Edhe pse ekonomia e Shqipërisë nuk është në rrezik recesioni, ajo ndodhet në një fazë të qartë pasigurie dhe ngadalësimi. Frika për recesion nuk është e pabazë, por është më shumë psikologjike dhe e lidhur me pritshmëritë, sesa e bazuar në të dhënat reale. Kjo pasiguri po ndikon ndjeshëm në mënyrën se si individët dhe bizneset menaxhojnë kapitalin dhe vendimet ekonomike.

Lexo edhe: Nga Shqipëria në zemër të Venecias – Si Shkëlqim Baku krijoi Regina Corner, një oaz shqiptar në mes të qytetit të artit!

A ekzistojnë të dhëna konkrete që tregojnë një orientim të ri të investimeve nga individët apo bizneset, për shkak të pasigurisë ekonomike?

Treguesit empirike dhe financiarë sugjerojnë një zhvendosje drejt konservatorizmit financiar.
Depozitat në sistemin bankar kanë shënuar rritje, si në lekë ashtu edhe në valutë, një sinjal i qartë se konsumatorët dhe bizneset po parapëlqejnë kursimin mbi konsumimin ose investimin produktiv.
Kreditimi për biznese të vogla dhe individë është ende e ulët në raport me kërkesat në tremujorin e fundit 2025, ashtu si dhe në 2024, kryesisht për shkak të normave të interesit që mbeten relativisht të larta, por edhe për arsye të sigurisë financiare për mosrritjen e borxheve të këqija.
Tregu i pasurive të paluajtshme po tregon shenja të ngopjes në qytetet e mëdha (Tiranë, Durrës), ndërkohë që ka një orientim të ri drejt zonave bregdetare dhe rurale, sidomos në formën e agroturizmit dhe pronës bujqësore. Vërehet rritje e investimeve mikro në panele fotovoltaike për konsum vetjak. blerje toke dhe ngritje serash nga individë (shpesh diaspora), microfranchising në gastronomi dhe turizëm lokal si dhe freelancing dhe shërbime digjitale, si zgjedhje për të rinjtë në mungesë të alternativave të qëndrueshme në tregun formal të punës.

Pra, të dhënat sinjalizojnë një orientim të kujdesshëm të kapitalit, me theks tek investimet me rrezik të ulët dhe kthim të qëndrueshëm, shpesh në pasuri reale ose sektorë të ndërlidhur me qëndrueshmëri lokale, energji dhe teknologji.

Eduart Gjokutaj – Ekspert ekonomie

Cilat fusha apo sektorë po perceptohen si më të sigurt për investim në Shqipëri në një klimë të tillë?

Bazuar në sjelljen reale të tregut dhe perceptimin publik, orientimi i investimeve në Shqipëri në periudhën aktuale po ndjek një logjikë të qartë mbijetese dhe sigurie, më shumë sesa rritjeje të shpejtë apo inovacioni të guximshëm. Në një klimë pasigurie ekonomike dhe politike, kapitali është më i kujdesshëm dhe i prirur të kërkojë terrene të qëndrueshme dhe më pak të ekspozuara ndaj tronditjeve të jashtme. Ja si po shpërndahet ky orientim:

Pasuritë e paluajtshme mbeten një kanal tradicional investimi, me perceptim sigurie mesatar në të lartë. Vlera e pronave ka qenë relativisht e qëndrueshme, sidomos në zonat urbane dhe turistike. Megjithatë, rritja e fortë e çmimeve në vitet e fundit ka sjellë rrezikun e një ngopjeje të tregut, duke e ulur likuiditetin dhe shtuar paqartësinë për kthimin afatgjatë.

Agroturizmi dhe toka bujqësore po perceptohen gjithnjë e më shumë si një zonë sigurie, sidomos për investitorët nga diaspora. Ky sektor përfiton nga një kombinim faktorësh të favorshëm: programet e subvencionimit shtetëror, kërkesa e qëndrueshme për turizëm autentik dhe kthimi drejt tokës si formë mbijetese dhe qëndrueshmërie. Ky është ndër sektorët me perceptimin më të lartë të sigurisë.

Energjia e rinovueshme, veçanërisht panelet fotovoltaikë për konsum vetjak ose për shitje në rrjet, është një tjetër kanal që po tërheq investime të vogla e të mesme. Siguria e kthimit, në formën e uljes së shpenzimeve të energjisë ose të të ardhurave të qëndrueshme, po e bën këtë një zgjedhje strategjike në një kontekst ku rritja e çmimeve dhe ndërprerjet e mundshme të furnizimit janë faktorë të rëndësishëm.

Turizmi lokal dhe mikrobizneset, edhe pse përballen me pasiguri sezonale dhe varësi nga klima politike, mbeten një fushë me potencial të lartë, sidomos për nisma të vogla me kapital të ulët fillestar. Rritja e interesit për përvojat lokale dhe gastronominë autentike po krijon mundësi të reja, edhe pse me cikël të kufizuar dhe shpesh të paqëndrueshëm gjatë gjithë vitit.

Freelancing dhe shërbimet digjitale janë në rritje, veçanërisht ndër të rinjtë që kërkojnë fleksibilitet dhe akses në tregun global. Ky sektor ka avantazhin e mungesës së kostove fikse të larta dhe barrierave fizike, duke ofruar një model të ri të ardhurash në një ekonomi ku vendet tradicionale të punës janë gjithnjë e më të pasigurta.

Ari dhe valuta e fortë vazhdojnë të mbeten investime tradicionale për ruajtje vlere, sidomos në periudha turbulencash. Megjithëse nuk gjenerojnë të ardhura aktive, perceptohen si të sigurta për ruajtjen e kapitalit nga devalvimi ose rreziqe të tjera financiare.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0