Shkencëtarët kanë arritur një arritje historike duke rritur për herë të parë në laborator dhëmbë njerëzorë, sipas një studimi të ri të publikuar. Studiuesit në King’s College London thonë se ky zbulim mund të çojë në një të ardhme ku pacientët mund të rigjenerojnë vetë dhëmbët e humbur, duke ofruar një alternativë natyrale ndaj mbushjeve apo implanteve dentare.
Ekipi ka zhvilluar një material që imiton mjedisin natyror të zhvillimit të dhëmbit, duke lejuar qelizat të komunikojnë mes tyre dhe të nisin procesin e formimit të dhëmbit. Dr Ana Angelova-Volponi, drejtoreshë e departamentit të stomatologjisë rigjenerative në King’s College London, u shpreh se kjo arritje ka potencialin të “revolucionarizojë kujdesin dentar”. Studimi thekson se disa kafshë si p.sh. peshkaqenët dhe elefantët kanë aftësinë të prodhojnë dhëmbë të rinj gjatë gjithë jetës, ndërsa njerëzit kanë vetëm një palë dhëmbë të përhershëm në moshën adulte. Aftësia për të rigjeneruar dhëmbët do të përbënte një hap gjigand përpara në fushën e stomatologjisë, sugjerojnë studiuesit. Ndryshe nga implantet apo mbushjet, të cilat janë zgjidhje të ngurta dhe nuk përshtaten me kalimin e kohës, dhëmbët e rritur në laborator nga qelizat e vetë pacientit mund të integrohen natyrshëm në nofull dhe të vetë-riparohen si një dhëmb i zakonshëm. Kërkimi, i zhvilluar në bashkëpunim me Imperial College London, është rezultat i më shumë se një dekade pune.
Xuechen Zhang, studiues në Fakultetin e Stomatologjisë, Shkencave Orale dhe Kraniofaciale, tha:
“Mbushjet nuk janë zgjidhja më e mirë për riparimin e dhëmbëve. Ato dobësojnë strukturën e dhëmbit me kalimin e kohës, kanë jetëgjatësi të kufizuar dhe mund të çojnë në prishje apo ndjeshmëri më të lartë. Implantet kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale dhe një kombinim të mirë mes implantit dhe kockës. Të dyja janë zgjidhje artificiale dhe nuk rikthejnë funksionin e plotë natyror të dhëmbit, duke sjellë rreziqe afatgjata.” “Dhëmbët e rritur në laborator do të rigjeneroheshin natyrshëm, do të integroheshin me nofullën si dhëmbë të vërtetë, do të ishin më të fortë, më jetëgjatë dhe pa rrezik refuzimi, duke ofruar një zgjidhje më të qëndrueshme dhe biologjikisht të përshtatshme.” Përpjekjet e mëparshme për të rikrijuar këtë proces në laborator kishin dështuar, pasi qelizat nuk arrinin të komunikonin në mënyrë efektive.
Aktualisht, studiuesit po eksplorojnë dy qasje të mundshme: të rritin një dhëmb të plotë në laborator për ta transplantuar më pas, ose të vendosin qeliza të fazës së hershme të zhvillimit të dhëmbit direkt në nofullën e pacientit, ku ato mund të vazhdojnë të zhvillohen. Zhang shtoi: “Kemi disa ide për mënyrën se si mund t’i vendosim dhëmbët në gojën e pacientit. Mund të transplantojmë qelizat e reja në vendin ku mungon dhëmbi dhe t’i lëmë të rriten brenda gojës. Ose mund të krijojmë një dhëmb të plotë në laborator dhe më pas ta vendosim te pacienti. Për të dyja opsionet, duhet të nisim procesin e zhvillimit të dhëmbit që në fazat më të hershme në laborator.” Dr Angelova-Volponi shtoi: “Me përparimin e këtij fushe, integrimi i teknikave kaq inovative mund të sjellë një revolucion në kujdesin dentar, duke ofruar zgjidhje të qëndrueshme dhe efektive për riparimin dhe rigjenerimin e dhëmbëve.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.