Në një mëngjes pranveror në Hanover të Gjermanisë, vëmendja e vizitorëve të panairit industrial Hannover Messe , një ndër më të mëdhenjtë në botë i është përqendruar robotit humanoid G1, i ndërtuar nga kompania kineze Unitree.
Ky robot, me një gjatësi prej rreth 130 cm, është më i vogël dhe më i përballueshëm ekonomikisht krahasuar me robotët e tjerë humanoidë në treg. Ai ka fituar popullaritet në rrjetet sociale për shkak të lëvizshmërisë së tij të lartë dhe aftësisë për të imituar lëvizje njerëzore si vallëzimi apo arti marcial. Aktulisht, G1 kontrollohet në distancë nga Pedro Zheng, menaxheri i shitjeve në Unitree, i cili shpjegon se për të funksionuar në mënyrë autonome, secili robot duhet të programohet individualisht nga klientët.
Përveç teknologjisë, ajo që e bën G1 tërheqës për vizitorët është pikërisht forma e tij njerëzore. Njerëzit ndalojnë për të ndërvepruar me të, përpiqen t’i shtrëngojnë dorën, i flasin dhe madje kërkojnë ndjesë kur e përplasin pa dashje – një ndjeshmëri që shumica e makinerive të tjera në sallë nuk e shkaktonin. Unitree është një ndër dhjetëra kompani që po zhvillojnë robotë me formë njerëzore, duke premtuar potencial të madh për industrinë dhe përdorim në shtëpi. Robotët humanoidë nuk kanë nevojë për pushime apo rritje rroge dhe teorikisht mund të kryejnë punë shtëpie si larja e rrobave apo sistemimi i enëve. Megjithatë, përfshirja e tyre në mjedise të paparashikueshme, si restorante apo shtëpi, është sfidë e madhe, për shkak të rrezikut potencial që mbartin në rast të gabimeve apo rënieve aksidentale.
Lexo edhe:Koha e punës remote po mbaron? Google i kthen punonjësit në zyrë me forcë!
Një përfaqësues i Unitree deklaron për BBC se “inteligjenca artificiale ende nuk ka arritur një pikë kthese.” Robotët aktualë kanë vështirësi me logjikën bazë dhe arsyetimin për të përfunduar detyra komplekse në mënyrë të organizuar. Për momentin, G1 përdoret kryesisht nga institucione kërkimore dhe kompani teknologjike për qëllime zhvillimi.
Ndërkohë, përqendrimi kryesor i industrisë është te përdorimi i robotëve humanoidë në ambiente të kontrolluara si magazina apo fabrika. Tesla e Elon Musk ka njoftuar se gjatë këtij viti do të prodhojë mijëra robotë të quajtur Optimus për përdorim në fabrikat e veta. Edhe BMW dhe Hyundai po ndjekin këtë rrugë, duke integruar robotë të tillë në linjat e tyre të prodhimit. Eksperti Thomas Andersson, themelues i firmës kërkimore STIQ, ndjek aktivitetin e 49 kompanive që zhvillojnë robotë me dy krahë dhe këmbë, dhe mbi 100 të tjera që prodhojnë robotë me dy krahë por të vendosur mbi rrota. Ai parashikon që kompanitë kineze do të dominojnë tregun, falë zinxhirit të fuqishëm të furnizimit dhe mbështetjes shtetërore. Çmimi i ulët i robotit G1 – rreth 16 mijë dollarë – tregon pikërisht këtë përparësi.
Ndërkohë, në Evropë, sfida është e dyfishtë. Bren Pierce nga Britania ka themeluar disa kompani robotike, ku më e fundit – Kinisi – ka lançuar robotin KR1, i projektuar për ambiente industriale dhe jo në formë plotësisht njerëzore. KR1 lëviz mbi rrota dhe përdor përbërës të zakonshëm nga industria e skuterëve elektrikë, për të ulur koston. Qasja e tij është që roboti të jetë i lehtë për t’u përdorur nga punëtorët e zakonshëm dhe jo të kërkojë ekspertizë të specializuar. Sipas Pierce, robotët humanoidë për përdorim në shtëpi janë ende larg. “Ëndrra ime afatgjatë ka qenë gjithmonë ndërtimi i ‘robotit për gjithçka’, por është një sfidë shumë e ndërlikuar dhe mendoj se do të duhen të paktën edhe 10 deri në 15 vite për të arritur aty,” thotë ai. Në përfundim, edhe pse teknologjia e robotëve humanoidë po përparon me shpejtësi, përfshirja e tyre në jetën e përditshme mbetet ende një projekt i së ardhmes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.