Shkenca hap një derë të re, pajisja që zbulon diabetin përpara se të fillojë - Business Magazine Albania

Shkenca hap një derë të re, pajisja që zbulon diabetin përpara se të fillojë

Një pajisje e re, që nuk kërkon gjilpëra apo analiza të kushtueshme, ka potencialin të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si diagnostikohet diabeti, duke e identifikuar atë para se të japë shenjat e para klinike. Një studim i fundit nga Universiteti i Tokios ka treguar se teknologjia e monitorimit të vazhdueshëm të glukozës në gjak (CGM), kur kombinohet me një algoritëm të avancuar, mund të zbulojë me saktësi rrezikun për zhvillimin e diabetit, madje edhe atëherë kur testet tradicionale nuk japin asnjë sinjal alarmi.

Ndryshimet e vogla në nivelet e sheqerit, që shpesh neglizhohen si lodhje apo mungesë energjie, mund të jenë në fakt paralajmërues të hershëm të një çrregullimi në përpunimin e glukozës nga organizmi. Duke analizuar këto luhatje përmes një algoritmi të ri, studiuesit japonezë arritën të parashikojnë me më shumë saktësi rrezikun për diabet, përpara se sëmundja të diagnostikohet zyrtarisht.

“Testet aktuale si glukoza esëll apo HbA1c janë të dobishme, por nuk reflektojnë kompleksitetin dhe dinamikën e niveleve të sheqerit në situatat e përditshme të jetës,” shpjegon profesori Shinya Kuroda, një nga autorët e studimit.

Për të arritur në këto përfundime, ekipi përdori pajisje CGM për të mbledhur të dhëna nga 64 persona që nuk kishin diagnozë për diabet, të cilët iu nënshtruan edhe testeve më të avancuara për ndjeshmërinë ndaj insulinës. Me ndihmën e një treguesi të quajtur AC_Var, që mat intensitetin e luhatjeve të glukozës, studiuesit arritën të krijojnë një model parashikues që tejkalon në saktësi metodat tradicionale.

Lexo edhe: Kujtim Thaçi, mjeku nga Kosova bëhet shqiptari i parë që publikon punim shkencor në Harvard

Ky model tregoi se edhe persona që cilësoheshin si “normalë” në bazë të analizave klasike, në të vërtetë kishin çrregullime të fshehura në përpunimin e glukozës — një zbulim që mund të bëjë diferencën mes parandalimit dhe trajtimit të vonuar.

Për ta bërë këtë metodë më të aksesueshme për publikun e gjerë dhe profesionistët e shëndetit, studiuesit kanë zhvilluar edhe një aplikacion në internet që mundëson analizën e të dhënave nga CGM, duke llogaritur automatikisht treguesit e glukozës.

“Qëllimi ynë është të ofrojmë një mjet praktik dhe të thjeshtë për përdorim masiv, që ndihmon në zbulimin e hershëm të çrregullimeve metabolike dhe parandalimin e diabetit,” përfundon Kuroda.

Ky përparim i ri në fushën e mjekësisë parandalon jo vetëm përhapjen e një sëmundjeje të heshtur si diabeti, por edhe barrën e saj afatgjatë për shëndetin publik dhe sistemin ekonomik.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0