SHBA, universitetet përballë një rënie drastike të numrit të studentëve të huaj - Business Magazine Albania

SHBA, universitetet përballë një rënie drastike të numrit të studentëve të huaj

Universitetet amerikane po përgatiten për një rënie të madhe të numrit të regjistrimeve nga studentë të huaj si dhe të ardhurave për shkak të një vendimi të qeverisë federale për t’u hequr vizat studentëve, nëse ata këtë vjeshtë nuk i zhvillojnë studimet në kampus.

“Studentët që ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara duhet të largohen nga vendi ose të marrin masa të tjera, të tilla si transferimi në një shkollë ku mësimet nuk merren në internet, në mënyrë që të garantojnë statusin e ligjshëm të tyre”, bëri të ditur të hënën Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE).

“Nëse nuk e bëjnë, mund të përballen me pasoja përfshirë nisjen e procedurave për largimin e tyre”, thuhej më tej në deklaratë.

“Udhëzimi i sotëm dëmton studentët ndërkombëtarë dhe vë në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e tyre si dhe të gjithë komunitetit të arsimit të lartë”, tha Esther Brimmer, drejtore ekzekutive e NAFSA-s, Shoqatës Ndërkombëtare të Mësuesve.

“Pandemia e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara mbetet e paparashikueshme dhe institucioneve duhet t’u besohet e t’u jepet autoriteti të marrin vendime të drejta për kampuset e tyre, bazuar në rrethanat e tyre lokale” citohej në një deklaratë të zonjës Brimmer.

“Kjo është e tmerrshme”, shkruante në një postim në twitter Aaron Kirkpatrick një student nga Irlanda e Veriut, i cili po kryen doktoraturën në universitetin Baylor në Teksas. “Nuk mund të shkoj në shtëpi për të rinovuar vizën F1 sepse ambasadat janë mbyllur për shkak të pandemisë. Nëse largohem, me siguri nuk do të lejohem që të vij sërish në SHBA”, shkruante ai.

Në muajin maj, në një raport të Institutit Ndërkombëtar mbi Arsimin (IIE) thuhej se 88 për qind e afro 600 institucioneve të anketuara parashikojnë që regjistrimi ndërkombëtar i studentëve të ulet në vitin akademik 2020-2021 për shkak të pandemisë COVID-19. Shtatëdhjetë për qind e atyre institucioneve thanë se parashikojnë që disa studentë ndërkombëtarë nuk do të kthehen në kampuset e tyre në vjeshtën e 2020-s. Tre të katërtat kolegjeve u kanë dhënë studentëve mundësinë për të shtyrë për më vonë regjistrimin fizikisht, për në vjeshtë ose pranverën e vitit 2021. Dhe ndërsa shumë kolegje dhe universitete po përpiqen të hartojnë një strategji që do t’i sillte studentët sërish në shkollë duke garantuar njëkohësisht siguri për shëndetin e tyre, gjysma bëri të ditur se kanë në plan t’u ofrojnë studentëve regjistrimin nëpërmjet internetit gjatë vjeshtës. Nëse Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE) zbaton vendimin, studentë do të duhet ta anulojnë regjistrimin.

“Departamenti amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) do të sigurojë megjithatë fleksibilitet për shkollat dhe studentët jo-emigrantë”, thuhej në një njoftim të Programit të Shkëmbimit të Studentëve. “Ndërsa shumë institucione në të gjithë vendin po rihapen, DHS duhet të rifillojë mbrojtjet e balancuar e të kujdesshme të kërkuar nga rregulloret federale”.

Këshilli Amerikan mbi Edukimin (ACE) vlerëson se regjistrimi do të bjerë me 15 për qind për vitin e ardhshëm akademik, duke përfshirë një rënie të parashikuar prej 25 për qind të studentëve ndërkombëtarë. Soo Hyun Kim, një student nga Koreja e Jugut në Universitetin George Mason, thotë se ai planifikon që t’i zhvillojë leksionet e seminaret në internet nga Koreja e Jugut, për shkak të rrezikut që paraqet koronavirusi dhe sepse mendon se nuk do të jetë në gjendje të shijojë jetën në Amerikë në tërësinë e saj.

“Disa arsye se pse studentët ndërkombëtarë vijnë në universitetet e amerikane është sepse duan të provojnë edukimin, kulturën dhe jetën sociale amerikane”, tha ai “Zërin e Amerikës”.

“Prindërit e mi kanë frikë sepse rastet me koronavirus vazhdojnë të rriten, por po kuptojnë gjithashtu se kolegji po bën përpjekje për të pasur një mjedis më të mirë dhe më të sigurt”, thotë Vitor Lacerda Siqueira, një student nga Brazili në universitetin Stetson të Floridës. Ai thotë se planifikon të kthehet në kampus këtë vjeshtë. “Do të preferoja të merrja më mirë një pushim sesa t’i zhvilloja leksionet përsëri në internet”, thotë ai.

Rënia e parashikuar e numrit të studentëve të huaj pritet gjithashtu të krijojë humbje të madhe financiare për arsimin e lartë amerikan. Studentët ndërkombëtarë përbëjnë 5 për qind të regjistrimeve në arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara, sipas një studimi të bërë nga instituti “Brookings” dhe të ardhurat nga shkollimi dhe tarifat arrijnë në 2.5 miliardë dollarë. Shifra është e lartë për disa arsye. Kjo sepse në universitetet publike amerikane, studentët ndërkombëtarë paguajnë ato që njihen si tarifa të shkollimit për një student jorezident. Për më tepër, ata që vijnë nga jashtë SHBA-së marrin më pak ndihmë financiare sesa studentët vendas. Një studim i NAFSA-s tregon se koronavirusi mund t’i kushtojë Shteteve të Bashkuara 3 miliardë dollarë në vjeshtë e vitit 2020 për shkak të rënies së numrit të regjistrimeve nga studentë ndërkombëtar si pasojë e COVID-19.

Rënia sipas Këshillit Amerikan të Edukimin (ACE), pritet t’u shkaktojë një humbje të të ardhurave prej 23 miliardë dollarësh për institucionet. “COVID-19 vë në rrezik financat e arsimit të lartë. Për disa universitete, mungesat e të ardhurave do të shkaktojë dhimbje. Për universitete të tjera rënia mund të jetë shkatërruese”, shkruante Dick Startz, profesor i ekonomisë në universitetin e Kalifornisë, në një analizë për institutin “Brookings”.

“Së pari, pothuajse çdo shkollë rrezikon të humbasë të ardhura financiare të konsiderueshme. Së dyti, rreziqet janë tepër të ndryshme në shkolla të ndryshme. Shumë shkolla përballen me vështirësi. Nëse gjërat përkeqsohen, disa shkolla rrezikojnë të mbyllen”.

Ekspertët e arsimit thonë se kufizimet e fundit të vizave H1-B gjithashtu do të pengojnë më shumë studentë të huaj që të kërkojnë të edukohen në Shtetet e Bashkuara. Studentët ndërkombëtarë kanë qenë një burim të ardhurash për shumë kolegje e universitete. Vizat H1-B, J dhe vizat e tjera të përkohshme që lejojnë punësimin u pezulluan deri në fund të këtij viti nga administrata Trump.

Për vitin fiskal 2019 janë lëshuar më shumë se 188 mijë viza H1-B dhe mbi 350 mijë viza J-1. Ndërsa pezullimi ndikon tek aplikantët e rinj dhe jo tek ata që e kanë një të tillë, kombinimi i politikës më të fundit të lëshuar nga ICE për semestrin e vjeshtës dhe një urdhër i mëparshëm lidhur me vizat H1-B, do ta ulë pjesëmarrjen e studentëve të huaj në mënyrë drastike.

Kufizime për vizat u janë vendosur gjithashtu studentëve kinezë që ndjekin programin e Trajnimit Praktik Fakultativ (OPT), i cili u mundëson studentëve ndërkombëtarë në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM) që të “punojnë për një punëdhënës amerikan” për tre vjet, dhe atyre studentëve në fusha të tjera mundësi punësimi për një vit, ndërsa “qëndrojnë në SHBA me vizën e tyre të studentit”. Pjesëmarrja në OPT është rritur vitet e fundit. Në vitin 2017 u shënua “një rekord prej 276.500 studentësh të huaj të diplomuar të cilët siguruan viza punësimi në kuadër të këtij programi, krahasuar me 257.100 në 2016, sipas qendrës kërkimore “Pew”.

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0