SHBA, rritje rekord ekonomike në 3 muajt e fundit - Business Magazine Albania

SHBA, rritje rekord ekonomike në 3 muajt e fundit

Ekonomia amerikane u rrit me 7.4% nga korriku në shtator, njoftoi të enjten Departamenti i Tregtisë. Rritja erdhi ndërkohë që bizneset filluan të rihapen dhe konsumatorët, të mbështetur nga ndihma qeveritare e koronavirusit, nisën të shpenzonin përsëri në kushtet e pandemisë. Shifrat e rritjes së tremujorit të tretë kompensojnë pjesërisht rënien prej 9% në periudhën prill-qershor kur pjesa më e madhe e jetës ekonomike të vendit u mbyll për shkak të koronavirusit, që erdhi në SHBA nga Kina dhe Evropa.

Rritja e tremujorit të tretë është raporti i fundit i madh ekonomik para zgjedhjeve presidenciale dhe për kongresin të martën e ardhshme dhe mund të shërbejë si mbështetje për pohimet e Presidentit republikan Donald Trump në garën e tij kundër sfiduesit demokrat Joe Biden se vendi po ecën drejt rimëkëmbjes së shpejtë. Presidenti Trump, në një koment në Twitter, e quajti shifrën e re “Më të madhen dhe më të mirën në historinë e vendit”. “Viti i ardhshëm, shkruante ai, do të jetë FANTASTIK !!! E megjithatë, Joe Biden Gjumashi dhe ngritja e taksave në nivel rekord e propozuar prej tij, do t’i shuanin të gjitha. Pra, jam i lumtur që ky numër i shkëlqyer i PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) doli para 3 nëntorit.”

Zoti Biden tha në një deklaratë: “Po, vërtet PBB u rrit në tremujorin e fundit, por vizitat në bankat e ushqimit nuk janë ngadalësuar dhe varfëria është rritur. Afrikano-amerikanët dhe latinët ende përballen me norma dyshifrore papunësie. Barra e shtuar pas përgjigjes së dështuar të pandemisë nga ana e Presidentit Trump ka detyruar shumë gra të largohen plotësisht nga fuqia punëtore.” “Rimëkëmbja, – tha zoti Biden, – po ngadalësohet në mos po ndalet; rimëkëmbja që po ndodh është duke ndihmuar ata që janë në krye por duke lënë pas dhjetëra miliona familje punëtore dhe biznese të vogla”.

Rritja tre-mujore përkthehet në një normë vjetore prej 33.1%, një shifër fare e pazakontë në një vend që është mësuar me rritje vjetore prej 2% deri në 3%. Ekonomistët thonë se presin që ekonomia e SHBA, më e madhja në botë, të përparojë përsëri në tre muajt e fundit të vitit, por jo aq shpejt sa në tremujorin e tretë. Por Prodhimi i Përgjithshëm Kombëtar pritet të jetë më i vogël sesa ai në fund të vitit 2019.

LEXO: SHBA – Shqipëri, marrëveshje për bashkëpunim ekonomik

Pasiguria qëndron në faktin se SHBA tani po regjistron një numër të madh rastesh të reja me koronavirus – 70,000 ose më shumë në ditë – gjë që mund të frenojë tregtinë, pasi disa zyrtarë shtetërorë po rivendosin kufizimet në bizneset që i kishin hequr ato më parë. Nëse do të ketë më shumë ndihmë qeveritare për koronavirusin dhe kur mund të vijë kjo ndihmë, përtej 3 trilionë dollarëve të shpenzuar deri tani, kjo gjithashtu mbetet e paqartë.

Në ditët që mbeten para zgjedhjeve të së martës, Presidenti Trump nga njëra anë dhe ligjvënësit e përçarë republikanë dhe demokratë nga ana tjetër, nuk kanë arritur dot marrëveshje mbi një paketë të re ndihme, as mbi përmasat e saj dhe as mbi atë se kush saktësisht mund të përfitonte prej saj. Ekziston vetëm një dakordim i gjerë për të dërguar një seri të dytë çeqesh prej 1,200 dollarë secili tek shumica e amerikanëve të rritur dhe për të vazhduar pagesat e rritura të papunësisë, përveç ndihmave më pak bujare që japin qeveritë e shteteve.

Kongresi, në një sesion pas zgjedhjeve të së martës, mund të veprojë në lidhje me paketën e ndihmës për koronavirusin, ose të presë derisa fituesi i zgjedhjeve, Trump apo Biden, të bëjë betimin për një mandat të ri presidencial më 20 Janar.

VOA

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0