Sensori që të monitoron shëndetin... pa të prekur fare! - Business Magazine Albania

Sensori që të monitoron shëndetin… pa të prekur fare!

Sensori që të monitoron shëndetin... pa të prekur fare!

Studiuesit nga Universiteti Northwestern kanë zhvilluar pajisjen e parë që mund të vishet në botë që monitoron shëndetin përmes matjes së gazrave që lëkura lëshon dhe thith natyrshëm,  pa pasur nevojë për kontakt fizik. “Kjo teknologji ka potencialin të transformojë kujdesin shëndetësor, sidomos për grupet vulnerabël si foshnjat e porsalindura, të moshuarit, pacientët me diabet dhe ata me lëkurë të ndjeshme apo të dëmtuar,” – tha Dr. Guillermo A. Ameer, profesor i inxhinierisë biomjekësore dhe një nga drejtuesit e studimit.

Sinjale të fshehta nga lëkura

Lëkura nuk është thjesht një barrierë mbrojtëse; ajo është një rrugë me dy drejtime midis trupit dhe ambientit të jashtëm. Çdo ditë, gazra si dioksidi i karbonit, avujt e ujit, oksigjeni dhe komponimet organike të avullueshme (VOC) kalojnë në dhe nga lëkura, ndërkohë që ajo mbron trupin nga irritues, toksina dhe alergjenë. Pajisja e zhvilluar nga studiuesit e Northwestern mund të monitorojë këtë aktivitet pa e prekur fare lëkurën,  duke hapur një dritare të re në vëzhgimin e shëndetit të lëkurës.

E vogël, por e fuqishme

Pajisja është shumë e vogël,  vetëm dy centimetra e gjatë dhe një e gjysmë e gjerë  dhe është e pajisur me sensorë që thithin mostra gazi përmes një dhome të vogël ajri që qëndron pak mbi sipërfaqen e lëkurës, pa e prekur atë. Ky është një përparim i madh, pasi shumica e pajisjeve të veshshme kërkojnë të ngjiten mbi lëkurë, gjë që mund të jetë e vështirë për personat me lëkurë të dëmtuar apo të ndjeshme. Të dhënat që ajo mbledh mund të ofrojnë informacion mbi procesin e shërimit të plagëve, nivelin e hidratimit, shenjat e para të infeksioneve apo edhe ekspozimin ndaj kimikateve toksike. “Për punonjësit në mjedise të rrezikshme, është shumë e rëndësishme të dihet sa nga këto substanca të dëmshme po hyjnë në trup përmes lëkurës,” – tha Dr. John Rogers, profesor dhe bashkëdrejtues i studimit.

Monitorim në kohë reale, në duart tuaja

Një nga përparësitë më të mëdha të kësaj pajisjeje është mundësia që pacientët ta përdorin atë në shtëpi, duke shmangur nevojën për pajisje të mëdha spitalore. Madje, ajo lidhet me telefonin apo tabletin tuaj, duke ju dhënë të dhëna në kohë reale për gazrat që lëkura juaj lëshon apo përthith. Sipas studiuesve, kjo rrjedhshmëri dhe aksesueshmëri e informacionit do t’u mundësojë mjekëve të marrin vendime më të shpejta dhe më të sakta për trajtimin, veçanërisht në rastet e plagëve. “Përcaktimi nëse një plagë është e infektuar apo jo është shpesh një bast,” – tha Ameer. “Nëse pret derisa të bëhet e dukshme, mund të jetë vonë dhe pacienti mund të zhvillojë sepsë, që është shumë e rrezikshme.” Rritja e avujve të ujit, CO2 dhe VOC-ve lidhet me pranishmërinë e baktereve dhe ngadalësimin e shërimit, ndaj monitorimi i këtyre elementeve mund të ndihmojë për të zbuluar infeksionet në mënyrë më të hershme dhe më të saktë. “Të mundesh të monitorosh nga afër dhe në mënyrë të vazhdueshme një plagë, dhe të përshkruash antibiotikë në momentin më të hershëm të infeksionit është thelbësore,” – shtoi Ameer.

Lexo edhe: Intensifikimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Puglia-s përmes projekteve të infrastrukturës dhe logjistikës

Ekipi i Northwestern shpreson që kjo pajisje të ndihmojë edhe në përmirësimin e efikasitetit të repelentëve kundër insekteve, produkteve kozmetike dhe ilaçeve për shëndetin e lëkurës. Për shembull, dioksidi i karbonit dhe VOC-të tërheqin mushkonjat dhe insektet e tjera. Duke matur këto emetime nga lëkura, studiuesit mund të zhvillojnë strategji më efektive për t’i mbajtur larg ato. Pajisja gjithashtu mund të ndihmojë dermatologët të masin sa shpejt përthithen kremrat dhe losionet nga lëkura, si dhe të mbështesë vlerësimin e sigurisë së produkteve të kujdesit personal. Në të ardhmen, studiuesit synojnë të përmirësojnë edhe më tej këtë teknologji, duke shtuar sensorë për pH-in dhe duke krijuar sensorë me ndjeshmëri më të madhe kimike për të zbuluar në faza të hershme mosfunksionime të organeve apo sëmundje të ndryshme. “Kjo teknologji nuk ka të bëjë vetëm me matjen e gazrave dhe karakteristikave të lëkurës,” – tha Rogers. “Bëhet fjalë për parashikimin e shëndetit të përgjithshëm, parandalimin e sëmundjeve dhe ndërtimin e një të ardhmeje ku kujdesi shëndetësor është i personalizuar, në kohë reale dhe plotësisht jo-invaziv.”

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0