Fjalimi i Steve Jobs në Stanford në vitin 2005 mbetet një nga mesazhet më frymëzuese për të rinjtë dhe profesionistët e ardhshëm. Ai na mëson se suksesi dhe lumturia lindin nga pasioni, kurioziteti dhe guximi për të ndjekur zemrën tonë:
”Jam i nderuar të jem me ju sot, në një nga universitetet më të mira në botë. Unë kurrë nuk u diplomova në një universitet Me thënë të vërtetën, kjo është e para herë që jam në një ceremoni diplomimi. Sot unë dua tu rrëfej tri histori nga jeta ime. Kjo është e tëra. Jo ndonjë gjë e madhe.
Vetëm tri rrëfime…..
I.HISTORIA E PARË ËSHTË SESI TË BASHKOSH APO TË LIDHËSH PIKAT
Unë u largova nga Reed College(Universitet privat në Oregon, Portland të SHBA), pas 6 mujorit të parë që fillova studimet, por më pas vazhdova të shkoja herë pas herë për gati 18 muaj përpara se të largohesha përfundimisht. Pse unë e braktisa universitetin? Kjo filloi para se të lindja unë. Nëna ime biologjike ishte një studente e porsadiplomuar dhe vendosi që të birësohesha nga një familje tjetër . Ajo kishte ndjesinë e fortë se unë duhej të birësohesha nga prindër që kishin diplomë universiteti dhe isha gati të bëhesha pjesë e një familje të re që përbëhej nga një jurist e gruaja e tij .Por kur erdha në këtë botë ,ata në minutën e fundit vendosën dhe thanë se në të vërtetë do të kishin dashur që foshnja të ishte vajzë.Në këtë mënyrë prindërit që kishin vendosur të më birësonin morën një telefonatë në mes të natës nga mamaja ime që u tha “ Ne kemi një fëmijë por nuk e prisnim që të ishte djalë A doni ta birësoni atë ? .Ata thanë “Sigurisht.”Nëna ime biologjike zbuloi më vonë se nëna që do të më birësonte nuk e kishte mbaruar universitetin ndërkohë që burri i saj apo babai im i ardhshëm nuk kishte mbaruar as shkollën e mesme.Për këtë arsye ajo nuk pranoi të nënshkruante dokumentet përfundimtare të birësimit . Por u zbut dhe u bind më vonë ta bënte këtë pasi prindërit e mi që më birësuan premtuan se do të më conin në universitet.
Dhe 17 vjet më vonë unë shkova në universitet. Në fakt zgjodha një që ishte po aq i shtrenjtë sa Stanfordi, dhe të gjitha kursimet e prindërve të mi do të shpenzoheshin për shkollimin tim aty. Pas gjashtë muajsh, arrita në përfundimin se kjo gjë nuk ia vlente . Nuk kisha asnjë ide se çfarë doja të bëja me jetën time dhe ashtu sikurse nuk kisha asnjë ide sesi universiteti do të më ndihmonte ta kuptoja atë. Po shpenzoja të gjitha paratë që prindërit e mi kishin kursyer gjithë jetën e tyre. Kështu që vendosa të braktis universitetin dhe besova se gjithçka do të shkonte mirë. Ishte shumë e frikshme në atë kohë, por duke shikuar prapa, ka qenë një nga vendimet më të mira që kam marrë. Në atë minutë që u largova nga aty,nuk do të vazhdoja më të mësoja gjëra që nuk më interesonin e do të filloja të mendoja për ato më dukeshin interesante.
Në fakt nuk ishte gjithcka kaq romantike . Unë nuk kisha një dhomë ku të flija e më ndodhte të më zinte gjumi në dyshemetë e dhomave të miqve, mblidhja shishe Coca Cola bosh që i shisja për 5 cent secilën dhe me ato blija ushqime. Ndërkohë ecja 7 kilometra nëpër qytet çdo natë të dielave për të marrë një vakt të mirë në javë në Tempullin Hare Krishna. E dashuroja atë. Dhe shumëçka nga ajo botë ku unë zhytesha duke ndjekur kuriozitetin dhe intuitën time doli se ishte dicka shumë e çmuar më vonë. Më lejoni t’ju jap një shembull:
Reed College , universiteti që nisa të ndjek në atë kohë , ofronte ndoshta lëndën më të mirë të kaligrafisë në SHBA. Përgjatë gjithë qytezës së konviktorëve çdo poster apo etiketë në çdo sirtar, ishte bukurshkruar mrekullisht me dorë. Ngaqë e kisha braktisur shkollën dhe nuk i kisha ndjekur mësimet rregullisht , për këtë arsye vendosa të ndjek disa orë leksionesh në kaligrafi. Në to mësova për llojet e shkronjave Serif dhe San Serif, rreth sasive të ndryshime të hapësirave midis tyre e kombinimeve të ndryshme që e bën tipografinë e mirëfilltë diçka të rëndësishme. Ishte një mënyrë e vecantë ku përzihej arti dhe historia, të cilën shkenca nuk mund ta kapte dhe këtë e kam konsideruar si gjënë më interesante.
Asgjë nga këto që kisha mësuar në leksionet e kaligrafisë nuk shpresoja se mund ti zbatoja praktikisht ndonjëherë në jetën time. Por, dhjetë vjet më vonë, kur ishim duke projektuar kompjuterin Macintosh, të gjitha këto njohuri u rikthyen tek unë. Ato u përfshinë të gjitha në modelin e projektimit të Mac. Ai ishte kompjuteri i parë që kishte një mënyrë shkrimi të bukur. Nëse unë do ti kisha braktisur ato leksione të kaligrafisë në universitet, Mac nuk do t’i kishte pasur kurrë ato shumëllojshmëri shkronjash apo ato seri gërmash me hapësira aq të harmonizuara mes tyre. Ndërsa Windows thjesht kopjoi Mac, ka të ngjarë që asnjë kompjuter personal të mos ishte pa ato. Nëse unë nuk do ta kisha braktisur universitetin , kurrë nuk do të kisha hyrë në këtë kurs kaligrafie, dhe kompjuterët personalë nuk mund të kishin tipografinë e mrekullueshme që kanë. Sigurisht ishte e pamundur të bashkoja apo lidhja pikat e eksperiencës dhe njohurive time, kur isha në universitet Por kjo u bë shumë e qartë teksa hodha vështrimin prapa dhjetë vjet më vonë.
Megjithatë nuk mund të lidhni apo bashkoni pikat që do tu shfaqen në të ardhmen; ju mund ti lidhni apo bashkoni ato vetëm duke shikuar cfarë keni lënë pas. Në këtë rast duhet të besoni se këto pika eksperiencash, përvojash apo njohurish do të lidhen në një farë mënyre në të ardhmen tuaj. Ju duhet të besoni në diçka -, tek guximi, fati, jeta, karma, në çfarëdo tuajën. Kjo qasje nuk më ka lënë kurrë të rrëzohem, dhe ka përcaktuar të gjithë ndryshimet në jetën time.
II.HISTORIA IME E DYTË KA TË BËJË ME DASHURINË DHE HUMBJET
Unë isha me fat pasi e gjeta atë që doja të bëja që në fillim të jetës time .Woz dhe unë e filluam kompaninë Apple në garazhin e prindërve të mi kur isha 20 vjeç. Ne punuam shumë dhe për 10 vite Apple u bë aq e madhe vetëm nga ne të dy, duke filluar nga një garazh për të mbërritur një një kompani me pasuri 2 miliardë $ e me mbi 4000 të punësuar. Ne sapo kishim hedhur në treg një vit më parë produktin tonë më të mirë – Macintosh –dhe unë sapo kisha mbushur 30 vjeç. Dhe pastaj më pushuan. Si mund të pushohesh nga një kompani që ti vetë e ke krijuar? E pra, teksa Apple rritej ne punësuam dikë, që unë mendova se ishte shumë i talentuar për të drejtuar kompaninë bashkë me mua, Në vitet e para gjërat shkuan mirë. Por pastaj vizionet tona për të ardhmen filluan të ndahen dhe përfundimisht patëm një rënie. Kur marrëdhëniet tona u keqësuan dhe kompania nuk po ecte mirë, Bordi ynë i drejtorëve mori anën e tij. Pra, në moshën 30 vjeç unë u pushova nga puna. Dhe në mënyrë publike. Ajo që kishte qenë në qendër të gjithë jetës time derisa u rrita, tashmë ishte zhdukur dhe ndjeheshe i shkatërruar.
Në të vërtetë , për disa muaj me radhë nuk dija se çfarë të bëja. Ndjeva se e kisha lënë prapa brezin e mëparshëm të sipërmarrësve – e ndjeva se radha do të më vinte sërish.. U takova me David Packard e Bob Noyce dhe përpiqesha t’u kërkoja falje pse iu isha ngjitur si rrodhe. Unë isha një dështim publik, dhe madje po mendoja për largimin tim nga Silicon Valley. Por diçka filloi të lindte ngadalë brenda meje – unë ende dashuroja atë çfarë kisha bërë. Zhvillimi i ngjarjeve në Apple nuk e kishte ndryshuar aspak atë gjë. Unë isha braktisur por isha ende i dashuruar. Dhe kështu që vendosa të filloj përsëri.
Atëherë nuk e kuptova këtë , por arrita në përfundimin se pushimi nga Apple ishte gjëja më e mirë që mund të më ketë ndodhur ndonjëherë. Zhurma që të shurdhonte nga të qenët i suksesshëm u zëvendësua me butësinë e të qenit sërish një fillestar më pak i sigurt për çdo gjë. Kjo më çliroi për të hyrë në një nga periudhat më krijuese të jetës sime.
Gjatë pesë viteve të pastajme, unë krijova një kompani të quajtur NeXT, një kompani tjetër me emrin Pixar, dhe rashë në dashuri me një femër të mahnitshme që do të bëhej gruaja ime. Pixar krijoi filmin e parë artistik të animuar në kompjuter në botë, Toy Story, dhe tani është studioja më e suksesshme e animacionit në botë. Në një kthesë të madhe të ngjarjeve, Apple bleu NeXT, unë u ktheva sërish atje dhe teknologjia që ne zhvilluam në NeXT është në zemër të rilindjes që po përjeton kompania Apple. Dhe Laurene e unë kemi një familje të mrekullueshme së bashku.Unë jam goxha i sigurt se kjo nuk do të kishte ndodhur sikur të mos isha pushuar nga Apple. Ky ishte një ilaç shumë i hidhur i jetës, por unë mendoj se për mua që isha bërë papritur ” pacient “, kjo ishte i nevojshme. Ndonjëherë jeta të godet me tullë kokës. Mos e humbni besimin. Unë jam i bindur se e vetmja gjë që më ka mbajtur në jetë është se e kam dashur atë që kam bërë. Ju duhet të zbuloni atë që doni. Dhe kjo është po aq e vërtetë , si për punën tuaj ashtu edhe nëse keni një të dashur. Puna ka për të mbushur një pjesë të madhe të jetës tuaj, dhe mënyra e vetme që të jeni me të vërtetë të kënaqur është të bëni atë që besoni , se është gjëja më e rëndësishme. Dhe mënyra e vetme për të bërë punë të madhe është ta doni atë punë që keni. Nëse nuk e keni gjetur ende, vazhdoni të kërkoni. Mos u dorëzoni. Si me të gjitha çështjet e zemrës, ju do ta kuptoni, kur ta gjeni atë. Dhe, si çdo marrëdhënie e madhe, ajo thjesht shkon gjithmonë e mē mirë e teksa vitet rrjedhin. Pra, vazhdoni ta kërkoni derisa ta gjeni atë. Mos u dorëzoni.
Lexo gjithashtu: Spanja prezanton një mjet të ri për të matur gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale
III.HISTORIA IME E TRETË ËSHTË PËR VDEKJEN
Kur isha 17 vjeç, kam lexuar një thënie pak a shumë të tillë: “Nëse ti e jeton çdo ditë sikur të ishte dita jote e fundit, një ditë patjetër do të arrish synimin tënd.” Kjo më bëri shumë përshtypje, dhe që atëherë, nē kēta 33 vitet e fundit, unë kam shikuar veten në pasqyrë çdo mëngjes dhe e kam pyetur: “Nëse sot është dita e fundit e jetës sime, a do të doja të bëj atë që unë jam gati të bëj sot? ” Dhe sa herë që përgjigja ka qenë “Jo” për shumë e shumë ditë në vijim, unë e dija se duhej të ndryshoja diçka.
Vetëdija se do të vdes shpejt është mjeti më i rëndësishëm që kam hasur ndonjëherë për të më ndihmuar që të bëj zgjedhje të mëdha në jetë. Sepse pothuajse çdo gjë – të gjitha pritjet ,krenaria, frika nga turpi apo dështimi – këto gjëra veniten përballë vdekjes, duke lënë vetëm atë që është me të vërtetë e rëndësishme. Vetëdija se ju do të vdisni është mënyra më e mirë që unë di për të shmangur kurthin e të menduarit se ke diçka për të humbur. Ti je tashmë i zhveshur. Nuk ka asnjë arsye për të mos ndjekur zemrën tënde.
Rreth një vit më parë unë u diagnostikova me kancer. Kisha bërë një skaner në mëngjes, që tregoi në mënyrë të qartë një tumor në pankreasin tim. Unë madje nuk e dija se çfarë ishte pankreasi. Mjekët më thanë pothuajse me siguri, se ishte një lloj kanceri i pashërueshëm, dhe unë nuk mund të jetoja më shumë se tre deri gjashtë muaj. Mjeku im më këshilloi të shkoj në shtëpi dhe të merrem me punët e mia, një mënyrë, që është kodi i mjekut për t’i përgatitur pacientët që të përballen me vdekjen. Kjo do të thotë të përpiqeni t’ju tregoni fëmijëve tuaj brenda disa muajve gjithçka që kishit menduar t’jua tregonit në 10 vitet e ardhshme. T’i siguroni që gjithçka ka mbaruar, çka do të jetë më lehtë për familjen tuaj. Në njëfarë mënyre është të jepni lamtumirët tuaja.
Jetova me këtë diagnozë gjatë gjithë ditës. Më vonë atë mbrëmje kisha një biopsi, ku mjekët më mbërthyen një endoskop poshtë fytit, nëpër stomakun dhe në zorrët e mia, vendosën një gjilpërë në pankreasin tim dhe morën disa qeliza tumorale. Unë isha nën narkozë, por gruaja ime, e cila ishte atje, më tha se kur t’i shikuan qelizat në një mikroskop, mjekët filluan të qanin, sepse doli një formë shumë e rrallë e kancerit të pankreasit, që është e shërueshme me kirurgji. Bëra operacionin dhe tani unë jam mirë.
Kjo ishte përballja ime më e afërt me vdekjen, dhe unë shpresoj se kjo afërsi të largohet për disa dekada . Duke jetuar me këtë ndjesi për njëfarë kohe, tani mund ta them këtë pak me më shumë siguri sesa kur vdekja ishte një koncept i dobishëm, por thjesht intelektual:Askush nuk dëshiron të vdesë. Edhe njerëzit që dëshirojnë të shkojnë në parajsë, nuk duan të vdesin për të arritur atje. Por vdekja është stacioni drejt të cilit do të ndalojmë të gjithë një ditë.. Askush nuk ka ikur kurrë kësaj.
Dhe kjo është jeta, sepse vdekja ka shumë gjasa të jetë shpikja e vetme e mirë e jetës. Ajo është faktor ndryshimi teksa pastron të vjetrën që të hapë rrugën për të renë. Tani për tani e reja jeni ju, por një ditë jo shumë të largët do të bëheni të vjetër dhe do tu vi radha të largoheni. Na vjen keq për këtë dramë të jetës , por është mjaft e vërtetë.
Koha juaj është e kufizuar, prandaj mos e humbni atë duke jetuar jetën e dikujt tjetër, mos u bllokoni nga dogma – e cila thotë të jetoni me rezultatet e të menduarit të njerëzve të tjerë. Mos lejoni zhurmën e mendimeve të të tjerëve që të mbytë zërin tuaj të brendshëm. Dhe më e rëndësishmia, guxoni të ndiqni zemrën dhe intuitën tuaj. Ato e dinë atë që ju dëshironi të bëheni në të vērtetë Çdo gjë tjetër është dytësore.
Kur isha i ri, kam pasur një botim të mahnitshëm të quajtur Katalogu i Gjithë Tokës(The Whole Earth Catalog) i cili ishte një nga Biblat e brezit tim. Ai ishte krijuar nga një shoku im i quajtur Stewart Brand që banonte jo shumë larg nga këtu, në Menlo Park dhe e solli këtë vepër në jetë me ndjesinë e tij poetike. Këtë vepër e hartoi në vitin 1960, para se të dilnin kompjuterat personalë, kështu që e gjithë puna u bë me makina shkrimi, gërshërë, dhe kamera Polaroid. Ai ishte si Google me kapak të hollë, 35 vjet përpara se të dilte Google, një botim ideal , i tejmbushur me mjete, rregulla dhe nocione të mëdha.
Stewart dhe ekipi i tij bënë disa botime të Katalogut të Gjithë Tokës(The Whole Earth Catalog) dhe pastaj kur ai kishte kryer detyrën e tij, ata bënë një botim përfundimtar. Ishte mesi i viteve 1970, dhe unë isha në moshën tuaj.
Në kopertinën e pasme të botimit të tyre të fundit ishte një fotografi e një rruge diku në SHBA , herët në mëngjes, ku ju mund ta gjeni veten duke u vërdallosur kuturu, në qoftë se keni qenë aventurierë. Nën të ishin fjalët: “Qëndroi i uritur dhe i çuditur.” Ai ishte mesazhi lamtumirës i tyre i nënshkruar nga ata vetë. Ji i uritur. Ji çuditur Dhe unë kam dëshiruar gjithmonë atë për veten time. Dhe tani, teksa diplomoheni për të filluar një jetë të re, do të dëshiroja atë për ju.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto