Sejko: po përmirësohet ritmi i rritjes ekonomike - Business Magazine Albania

Sejko: po përmirësohet ritmi i rritjes ekonomike

ritmi i rritjes ekonomike

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pa ndryshuar normën bazë të interesit. Gjatë fjalës së tij guvernatori Gent Sejko ka theksuar se ritmi I rritjes së ekonomisë është përshpejtuar.

Më poshtë deklarata e plotë e Guvernatorit Sejko

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin Tremujor të Politikës Monetare.

Informacioni i ri i marrë në analizë sugjeron se ritmi i rikuperimit ekonomik po vjen në përshpejtim.

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se faktorët mbështetës të rritjes ekonomike janë forcuar gjatë tremujorëve të fundit. Po ashtu, perspektiva e zhvillimeve ekonomike ka ardhur drejt përmirësimit dhe rreziqet e kahut të poshtëm – ndonëse të pranishme – kanë ardhur drejt zbehjes. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se inflacioni vijon të mbetet nën objektiv, se pasojat e pandemisë në ekonomi vijojnë të jenë prezente, dhe se rritja ekonomike vijon të kërkojë mbështetje nga një miks stimulues politikash monetare e fiskale.

Në këtë kontekst, Këshilli gjykon se politika monetare duhet të vijojë të mbetet në kahun lehtësues përgjatë gjithë horizontit afatmesëm. Stimuli monetar do të ndihmojë në ruajtjen e likuiditetit të bollshëm dhe kostove të ulëta të financimit, duke nxitur zgjerimin e konsumit dhe të investimeve të sektorit privat. Në këtë mënyrë, ky stimul do t’i shërbejë forcimit të qëndrueshmërisë së rritjes ekonomike, rritjes së punësimit dhe të pagave, si dhe kthimit të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv.

Sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm.

Në vijim, më lejoni të sqaroj më në detaje konkluzionet kryesore të Raportit Tremujor, pritjet tona për të ardhmen, si dhe arsyet që motivuan vendimin e sotëm të politikës monetare.

Informacioni i ri i përftuar gjatë tremujorit të fundit ka qenë në kahun e sipërm të pritjeve tona.

Inflacioni mesatar i tremujorit të dytë u rrit në vlerën 1.8%, duke korrektuar rënien e regjistruar në tremujorin e parë. Kjo rritje pasqyroi kryesisht një inflacion më të lartë të karburanteve dhe të artikujve ushqimorë, e sidomos atyre të papërpunuar, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë të shportës ishte i qëndrueshëm. Në veçanti, inflacioni bazë – i cili përfaqëson më mirë balancën e faktorëve që ndikojnë ecurinë e çmimeve të artikujve të konsumit në afatin e mesëm – ishte i qëndrueshëm.

Në tërësi, ecuria e inflacionit gjatë tremujorëve të fundit ka qenë subjekt i luhatjeve të shpeshta e të papritura të faktorëve të ofertës, të cilat kanë shfaqur dhe pritet të kenë një ndikim kalimtar. Nga ana tjetër, faktorët me ndikim afatmesëm në inflacion: rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, ecuria e çmimeve në vendet partnere dhe pritjet për inflacionin, shfaqen të qëndrueshme, por janë ende të pamjaftueshme për kthimin e inflacionit në objektiv.

Përditësimi i analizës dhe parashikimeve tona sugjeron se këta faktorë do të fuqizohen gjatë tremujorëve në vijim, duke mbështetur kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritjet tona. Kjo rritje pasqyroi zgjerimin e njëkohshëm të konsumit dhe investimeve të sektorit privat e publik, si dhe rritjen e eksporteve të mallrave. Njëkohësisht, ajo përfitoi nga një efekt bazë më i lartë – si pasojë e rishikimit për poshtë nga INSTAT-i të rritjes ekonomike të vitit 2020 – si dhe nga faktorë tranzitorë, si rritja e shpejtë e prodhimit të energjisë elektrike. Informacioni i disponuar sugjeron një përshpejtim të fortë të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë, ndonëse me një normë e cila nuk do të jetë indikative për ritmin e rritjes së mëtejshme të ekonomisë shqiptare.

Pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë. Niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta. Bazuar në ecurinë historike, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe e pagave do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra e shërbime.

Lexo: Hidhen në treg monedhat e reja metalike!

Në planin makroekonomik, përshpejtimi i rritjes ekonomike ka pasqyruar reduktimin e kufizimeve, si pasojë e përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe zgjerimit të vaksinimit, rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese fiskale dhe monetare.

Politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter ekspansionist gjatë gjysmës së parë të vitit. Deficiti buxhetor i kësaj periudhe qëndroi rreth nivelit 3.4% të PBB-së, duke gjeneruar një impuls pozitiv fiskal. Kjo ecuri pasqyroi rritjen me të shpejtë të shpenzimeve në raport me të ardhurat, ndonëse këto të fundit regjistruan një rritje vjetore prej rreth 37% në tremujorin e dytë.

Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të domosdoshme natyrën stimuluese të politikës fiskale gjatë pikut të pandemisë. Nga ana tjetër, me përfundimin e emergjencës shëndetësore dhe ekonomike, ne presim një rikthim të vëmendjes së qeverisë drejt konsolidimit të financave publike. Projeksionet tona për të ardhmen faktorizojnë një reduktim progresiv të stimulit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe periudhës në vijim.

Nga ana e saj, politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të gjenerojë një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga: qarkullimi normal i fondeve në tregje; kosto të ulëta kreditimi; dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi.

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të pasqyrojë një rritje relativisht të shpejtë e të qëndrueshme të kredisë në Lek, të kredisë për qëllime investimi dhe të asaj për blerje banese. Rritja e raportuar e kërkesës për kredi në tremujorin e tretë dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit premtojnë një mbështetje të vazhduar me fonde të nevojave për konsum dhe investime. Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe bilancet në përmirësim të bizneseve shqiptare, të cilat janë pasqyruar në rënien në nivelin 7.1% të raportit të kredive me probleme në muajin qershor.

Përditësimi i parashikimeve në këtë raport tremujor sugjeron një ecuri pozitive të ekonomisë në horizontin afatmesëm, duke riparë për lart projeksionin e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit aktual. Rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Kjo ecuri do të pasqyrojë përmirësimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, normalizimin gradual të aktivitetit ekonomik në vendet partnere, si dhe ambientin e favorshëm financiar në vend. Më tej, rritja e kërkesës agregate do të ndihmojë rritjen e punësimit dhe të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Këto parashikime janë ndërtuar mbi supozimin e: shmangies së kufizimeve të forta mbi aktivitetin ekonomik si pasojë e pandemisë; si dhe të reduktimit të ngadaltë, por progresiv, të stimulit fiskal në horizontin afatmesëm.

***

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerësoi se stimuli monetar ka pasur një transmetim efektiv në tregjet financiare. Gjithashtu, ai vlerësoi se ky stimul duhet të vijojë të jetë i pranishëm në ekonomi edhe gjatë afatit të mesëm, duke synuar mbështetjen e ekonomisë me kredi të bollshme e me kosto të ulët, si dhe duke kompensuar reduktimin e pritur të stimulit fiskal.

Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës vendosi:

të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%;

të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se rikuperimi ekonomik dhe kthimi i inflacionit në objektiv kërkojnë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare përgjatë horizontit të parashikimit.

Megjithatë, materializimi i skenarit bazë do të kërkojë dhe një normalizim gradual të politikës monetare, drejt niveleve më të qëndrueshme të normave të interesit. Në çdo rast, ky normalizim do të jetë transparent dhe i kujdesshëm, duke mos cenuar qëndrueshmërinë e rimëkëmbjes ekonomike dhe duke mos dëmtuar premisat e kthimit të inflacionit në objektiv.

Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se rreziqet e kahut të poshtëm janë reduktuar, ndonëse situata epidemiologjike vazhdon të mbetet burim goditjesh potenciale dhe ndikimi afatgjatë i pandemisë në ekonomi – ndonëse për momentin duket minimal – mbetet ende për t’u vlerësuar.

Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës thekson se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të agjendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #28 - Prill 2022

Si sipërmarrës e keni dëgjuar, madje e keni predikuar shprehjen: jeta nuk bëhet më e lehtë, thjesht ju bëheni më të fortë. Kësaj radhe po e përjetojmë siç nuk e kishim imagjinuar.

Ndërsa po synonim të dilnim nga kthetrat e pandemisë, një tjetër plagë goditi Europën. Sulmi rus ndaj Ukrainës, i pakonceptueshëm nga bota moderne, erdhi si një Tsunami në Europë dhe madje në të gjithë Botën. Lufta me armë shkatërruese, deri tek kërcënimi i përdorimit të armëve nukleare, po sjell një dëm të jashtëzakonshëm për Ukrainën dhe popullin e saj. Mijëra të vrarë dhe mbi 4 milionë të shpërngulur nga vendi, pavarësisht rezistencës së fortë dhe të paparashikuar të ukrain- asve.

Zhvillimet dinamike në më pak se një muaj, çuan në vendime të pamenduara më parë për dhjetëra kompani ndërkombëtare. Tregjet e lëndëve të para panë çmime të rritura me ritmet më të larta të 40 viteve të fundit, ndërsa sheshet në kryeqytetet botërore, përfshirë Tiranën, pritën protestat, fillimisht kundër luftës e më tej kundër rritjes së çmimeve. Më 8 Mars, Çmimi i Naftës kaloi nga 199 lekë/litër në 260-270 lekë për litër, ndërsa po gjatë marsit, çmimi i bukës masive kaloi nga 80 lekë në 100 dhë së fundi 120 lekë. Qeveria ngriti komitete për të …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0