Sejko: Emigracioni, ndër sfida kryesore të Shqipërisë - Business Magazine Albania

Sejko: Emigracioni, ndër sfida kryesore të Shqipërisë

Sejko

Guvernatori Gent Sejko, ka theksuar gjatë prezantimit të Raportit të Tranzicionit të BERZH-it 2022 – 2023 se efektet e konfliktit në Ukrainë po japin efekte masive në tri drejtime kryesore: emigracioni, rritja e politikave proteksioniste dhe ulja e reformave strukturore”.

Pavaresisht masave të ndërmarra Shqipëria po vuan një nivel të lartë emigracioni, me efekte të forta sociale, sidomos për sa i përket tregut të punës dhe kompanive. Më poshtë lexoni fjalën e Guvernatorit rreth raportit të BERZH.

Kryefjalë e Raportit të këtij viti janë pasojat ekonomike të konfliktit ushtarak në Ukrainë, të para këto si në planin afatshkurtër e afatmesëm, ashtu dhe në atë afatgjatë. Ky konflikt tragjik ka shkaktuar humbje të mëdha në jetë njerëzore, gjymtime dhe pasoja afatgjata sociale, si dhe një shkundje të rendit gjeopolitik botëror. Me të drejtë, Raporti i Tranzicionit nënvizon se po jetojmë në një kohë të pazakontë dhe, për një pjesë të madhe të shoqërisë, deri para pak të paimagjinueshme . Në aspektin ekonomik, ky konflikt ishte një goditje e fortë oferte për thuajse gjithë kontinentin evropian, goditje e cila u pasqyrua në rritje të inflacionit dhe të pasigurisë, në përkeqësim të termave të tregtisë, në thellim të deficiteve të llogarisë korrente, si dhe në shtrëngim të kushteve financiare.

Në këto rrethana, brenda një harku të shkurtër kohor pas përfundimit të emergjencës së pandemisë, ekonomitë e rajonit u detyruan të përballen me një sfidë tjetër madhore, sfidë e cila rrezikoi stabilitetin ekonomik e financiar dhe dëmtoi perspektivat e rritjes për të ardhmen.

Në mënyrë të natyrshme, ekonomia shqiptare nuk bëri përjashtim nga ky realitet. Pas një rimëkëmbjeje të shpejtë e të plotë ekonomike gjatë vitit 2021, goditja e ofertës së huaj u transmetua direkt në kostot e prodhimit dhe në çmimet e konsumit. Për rrjedhojë, rritja e inflacionit u përshpejtua, duke arritur në nivele të pashënuara prej disa dekadash.

Këto zhvillime parashtruan sfida të qenësishme për vendimmarrësit e sektorit privat dhe publik.

Për operatorët e sektorit privat, rritja e kostove dhe dëmtimi i zinxhirëve ndërkombëtarë të prodhimit e të tregtimit, kërkoi një rivlerësim të përshtatshmërisë së planeve të biznesit, si dhe marrjen e masave operacionale e financiare për të ruajtur qëndrueshmërinë e bilanceve të tyre. Zhvillimet e deritanishme janë inkurajuese. Sektori privat shqiptar ka vijuar të shënojë rritje të konsumit dhe të investimeve, duke gjeneruar në të njëjtën kohë rritje të punësimit e të pagave, rritje të produktivitetit dhe bilance të shëndosha financiare.

Për vendimmarrësit e sektorit publik, rritja e shpejtë dhe e gjithanshme e çmimeve, parashtroi sfidën e dyfishtë të zbutjes së pasojave ekonomike e sociale në afatin e shkurtër dhe të ruajtjes së stabilitetit monetar e financiar të vendit në afatin e mesëm dhe të gjatë. Për të arritur këto qëllime, sikundër nënvizon dhe Raporti i Tranzicionit, harmonizimi i politikës monetare me atë fiskale ka qenë dhe mbetet një tipar esencial i politikave të suksesshme ekonomike.

Stabiliteti afatmesëm dhe afatgjatë i çmimeve ka qenë dhe mbetet objektivi prioritar i punës së Bankës së Shqipërisë. Për këtë arsye, ne nisëm herët dhe ndoqëm në mënyrë konsekuente një proces normalizimi të qëndrimit të politikës monetare. Ky proces u materializua në rritje progresive të normës bazë të interesit, në komunikim të hapur të pritjeve tona për të ardhmen, si dhe në rikonfirmim të vazhdueshëm të vullnetit të Bankës së Shqipërisë për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, brenda një horizonti kohor të arsyeshëm dhe me kosto sa më të ulëta mbi aktivitetin ekonomik. Këto vendime kanë qenë të udhëhequra nga analiza dhe parashikime të kujdesshme, të bazuara në informacionin më të fundit, si dhe të orientuara nga ruajtja e balancave të duhura midis rreziqeve për ekonominë e vendit.

Në të njëjtën kohë, reduktimi i deficitit buxhetor, i shfaqur në formën e frenimit të investimeve publike, ka ndihmuar në kontrollin e presioneve inflacioniste dhe ka rritur hapësirat e reagimit të politikës fiskale në të ardhmen. Paralelisht me të, subvencionimi i çmimit të shitjes me pakicë të energjisë elektrike për familjet dhe zbatimi i paketave sociale – masa këto të cilat vlerësohen rreth nivelit 2% të PBB-së -ndihmuan në zbutjen e ndikimit të goditjes në shtresat më të brishta të shoqërisë shqiptare.

Lexo:  Norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar, në 2.75%

Politikat tona ekonomike ndihmuan në ruajtjen e një niveli relativisht të ulët të inflacionit krahasuar me vendet e rajonit, në uljen e pasigurisë, si dhe në ruajtjen e stabilitetit financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se inflacioni do të vijojë trajektoren rënëse gjatë vitit 2023 dhe do të kthehet në objektiv brenda gjysmës së parë të vitit 2024. Për më tepër, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet gjatë kësaj periudhe, ndërsa bilancet e bizneseve e familjeve pritet të mbeten – në tërësinë e tyre – të shëndetshme.

Pavarësisht kësaj tabloje, sfidat mbi ekonomitë në tranzicion mbeten ende prezente. Raporti i Tranzicionit me të drejtë nënvizon se konfliktet dhe tensionet gjeopolitike sjellin pashmangshmërisht ndryshime të rëndësishme strukturore.

  • Së pari, këto konflikte shoqërohen me rritje të emigracionit, me pasoja afatgjata si për vendet pritëse dhe për ato të origjinës. Si një vend me histori të pasur emigracioni, Shqipëria ka përjetuar si anët pozitive ashtu edhe ato negative të tij. Nga njëra anë, ky fenomen ka gjeneruar flukse hyrëse valutore dhe rritje të përgjithshme të dijeve e të ekspertizës, të cilat janë të domosdoshme për zhvillimin e vendit. Nga ana tjetër, ai pakëson forcën e punës – sidomos në segmentet më të kualifikuara të saj – dhe dëmton perspektivat e rritjes afatgjatë. Për këtë arsye, mendoj se nevojitet një koordinim më i mirë në nivel ndërkombëtar, për t’u kujdesur që përfitimet e ardhura nga emigrimi dhe lëvizja e lirë e njerëzve, të ndahen në mënyrë sa më të drejtë midis vendeve.
  • Së dyti, tensionet gjeopolitike pasqyrohen në rritje të proteksionizmit, fragmentarizim të zinxhirëve të prodhimit dhe riorientim të flukseve të investimeve të huaja direkte drejt vendeve mike, si dhe frenim të procesit të globalizimit.
  • Së treti, tensionet gjeopolitike ulin vëmendjen ndaj reformave strukturore, të cilat kanë qenë dhe mbeten instrumenti i vetëm për një rritje më të shpejtë e më të qëndrueshme ekonomike.

Sa më sipër, detyra e politikëbërësve, në nivel kombëtar e ndërkombëtar, është t’i njohin këto sfida dhe të kujdesen për minimizimin e pasojave të tyre. Në veçanti, kryerja e reformave strukturore, e cila është ngadalësuar që prej nisjes së pandemisë në të gjitha vendet e rajonit, duhet të rikthehet si prioritet kombëtar strategjik për të gjitha vendet në tranzicion. Ndjekja e kësaj politike do të mundësonte si shuarjen e efekteve të mundshme negative në afat të gjatë, ashtu edhe nxjerrjen e disa përfitimeve ekonomike.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0